Ekonomi

PTK pranon se është në humbje financiare dhe se ka nepotizëm

Drejtori Menaxhues i Postës dhe Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, ka pranuar se ndërmarrja që ai udhëheq ka pasur bilanc negativ financiar më 2016

Për Express Intervistën ai ka thënë se humbjet nuk janë më shumë se 5 apo 6 milionë euro dhe jo siç është raportuar së fundmi se humbjet kanë shkuar deri në 30 milionë euro.

“Ato raporte nuk qëndrojnë. Një pse ka mund të raportohet ashtu është për shkak se në fund të vitit 2016, Arbitrazhi nxori një vendim dhe shqiptoi gjobë 26.1 milionë euro. Do të duhej të futej si një rezervim, si humbje e pritshme, që do të reflektonte në pasqyrat financiare. Në vitin 2016 kemi pas shumë probleme me qeverinë e asaj kohe në raportim me dividentën. Ishte dividenta 30 milionë euro, më 2015 paguam 15 dhe 15 të tjerat s’i paguam sepse ishim në situatë jo të favorshme. Viti 2016 në total pati humbje prej 5-6 milionë euro dhe nuk ka të bëjë me 30 milionë”, ka thënë ai duke u arsyetuar se në situatë të ngjashme me PTK-në janë edhe një numër i kompanive telekomunikuese në rajon.

Ai ka thënë se PTK po ka probleme që të zhvillojë biznes për shkak të ligjit të prokurimit.

“Kemi dhjetëra raste ku kemi identifikuar një fushë interesante dhe fitimprurëse për PTK-në. Kemi filluar të merremi me atë fushë, por deri kur kemi qenë të gatshëm të punojmë në terren, kjo procedurë na është vonuar dhe kemi dalë si të katërtit. Rivalët janë më fleksibilë sepse s’kanë obligimet që kemi ne”, ka thënë Mustafa.

Sa i përket raportimeve për nepozitëm në PTK, Mustafa nuk ka mohuar asgjë. Ai po ashtu ka thënë se kjo ndërmarrje ka mbipunësime.

“Gjemani një vend në Kosovë që s’ka nepotizëm. Qoftë ndërmarrje publike apo private. Vend i vogël jemi. Gjithsecili njihen me njëri-tjetrin. Janë pranuar në bazë të konkurseve ku u janë nënshtruar komisioneve”, ka thënë ai duke rikonfirmuar se paga mesatare në PTK është prej 960 deri 980 euro.

Punësimi masiv, sipas Mustafës, ka ndodhur më 2009-10.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *