Opinion

Pse fetarët braktisin ‘shqiptarizmën’?

Besimtarët e feve përkushtohen dhe adhurojnë më shumë se çdo “besim” tjetër besimin në “doktrinë”: sepse nga ajo burojnë të “vërtetat” dhe krijohen mendësitë dhe ndjesitë përkatëse dhe, jo nga njeriu

Megjithëse për liberalët ‘individi’ është më i rëndësishëm dhe për nacionalistët është ‘kombi’, historikisht ata kanë kombinuar programet politike dhe vlerat që kanë adoptuar kanë qenë liria (negative), vetëqeverisja dhe përgjegjësia. Marksi dhe Engelsi argumentonin se lëvizjet kombëtare shërbejnë si beteja klasash dhe duhet të mbështeten, por komb-shteti duhet të shkrihet nga klasa punëtore përgjatë fazës komuniste, d.m.th faza e një shoqërie pa klasa. Ndërsa liberalët dhe nacionalistët bashkojnë programet politike dhe synojnë ruajtjen e individit dhe shtet-kombit, komunistët përfshijnë edhe individin edhe kombin, por synojnë një objektiv më të lartë: një shoqëri pa klasa. Por ndërsa socializmi marksist-leninist, i cili supozohet se do të çonte në një shoqëri komuniste, dështoi, thuajse gjithë objektivat e mësipërm, sfidohen nga Rendi i Ri Botëror i globalizmit neoliberal. Do të ishte, rrjedhimisht, në dobi të shoqërisë të shqyrtonim rolin e shtetit modern në përgjithësi dhe globalizmit neoliberal në veçanti, lidhur me patriotët dhe nacionalistët dhe objektivat që ata pretendojnë: sepse, siç do të shohim në këtë studim, ndërsa patriotët janë përfshirë në dinamikën tërësore të shoqërisë —konkurrencës, përfitimit, dhe individualizmit— dhe nuk kanë asnjë mundësi për të mbrojtur me dashuri vendin ku lindin, nacionalistët, të cilët janë përfshirë gjithashtu në të njëjtën dinamikë, marrin një karakter tjetër: mbrojtës, sesa ekspansionit, si në shekullin e kaluar.

Kështu, në nivel ekonomik shteti modern është rezultat i përpjekjeve të grosistëve dhe bankierëve të kombeve,[1] shumica e të cilëve, në sytë e popujve, u shfaqën si “patriotë” dhe “nacionalistë”. Këta, me rradhë, krijuan ideologjinë moderne: të rritjes ekonomike në nivel shtet-kombi. Lindja e shtetit modern pason periudhën e gjatë mesjetare ku dominonte kleri, mbretërit, dhe perandrorët. Por me një ndryshim: në Perëndim dominonte kleri dhe mbretëritë ndërsa në Lindje kleri dhe perandorët (sulltanët etj.). Fjalori i Oksfordit e përshkruan shtetin si ‘një komunitet politik i organizuar dhe i kontrolluar nga një qeveri’.[2] Ndërkohë, fjalori ligjor i Osbornit e përshkruan shtetin si: ‘komunitet i organizuar; autoritetit qendror politik’. Ndërsa në të drejtën ndërkombëtare, ‘një shtet është një person i cili zotëron një territor fiks për gjithë kohën, të lidhur të gjithë në një njësi politike me një subjekt të përbashkët, kundrejt disa autoriteteve të përcaktuara duke ushtruar, nëpërmjet një qeverie mesatare të organizuar, një kontroll kundrejt të gjithë personave dhe gjërave brenda territorit të vet, i aftë për të mbajtur marrëdhënie paqeje dhe lufte dhe i lirë nga kontrolle të huaja nga jashtë’.[3]

Ndërsa përcaktimi i parë përjashton kontrollin e organizuar nga komunitarët, sepse këtë të drejtë ia vesh vetëm një qeverie, përcaktimi i dytë, i fjalorit juridik, flet për ‘komunitet të organizuar ndërsa zëvendëson ‘qeverinë’ me një autoritet qendror politik’, ndërsa i treti, autoritetin përfundimtar ia atribuon, sërish, qeverisë! Kjo është arsyeja se përse koncepti i ‘patriotizmit’ dhe ‘nacionalizmit’ duhet të shihen në raport me shtetin modern: sepse këta koncepte nënkuptojnë një veprimtari politike për organizimin e shtet-kombeve ndryshe nga e kaluara mesjetare. Kuptimi semiotik i këtyre koncepteve, dhe kryesisht, se si u zhvilluan dhe çfarë nënkuptojnë, do të ishte me interes jo vetëm për individin por dhe për shoqërinë gjithashtu. Etimologjikisht, fjala “patriotizëm” buron nga fjala “patris”, e cila lidhet herë me zanafillën dhe herë me prindin e një individi.

Ndërsa “nacionalizmi” ka një kuptim më të gjerë: ai lidhet me kombin. Si koncept ka lindur bashkë me lindjen e shtetit: rreth dyqind vjet më parë. Fjalori i gjuhës shqipe kuptimin e fjalës “patriotizëm” e përshkruan si vijon: ‘dashuria për atdheun e për popullin e vet dhe gatishmëria për t’u shërbyer atyre me besnikëri; ndjenja e lartë për të mbrojtur me vetëmohim interesat e atdheut dhe të popullit të vet; atdhetari’.[4] Sipas të njëjtit fjalor, “nacionalizmi” përshkruhet si: ‘ideologji dhe politikë reaksionare e borgjezisë së një vendi e cila i vë interesat e veta të ngushta klasore mbi gjithçka, duke i paraqitur si interesa të të gjithë kombit, e quan këtë më epror ndaj kombeve të tjera dhe ndez përçmimin e armiqësisë ndaj tyre’.[5]

Patriotizmin, fjalori, e lidh me dashurinë për atdheun, popullin dhe gadishmërinë për t’i shërbyer atij me besnikëri, dhe me ndjenjat e larta për të mbrojtur me vetëmohim interesat e atdheut dhe të popullit…duke e vendosur mbi çdo dashuri tjetër. Si i tillë, ai është një përcaktim i mirë: sepse dashuria për atdheun duhet të mbizotërojë mbi çdo dashuri tjetër. Duhet të ‘mbizotërojë’ sepse çdo dashuri tjetër varet nga dashuria për atdheun. Për mbarëvajtjen e martesës (e cila supozohet se është rezultat i dashurisë), për shembull, kërkohet të tregohet dashuri, me empati dhe konsistencë.[6] Njëlloj duhet të tregohet për shoqërinë dhe ekosistemin: sepse nëse nuk tregojmë dashuri, tregojmë të kundërtën: urrejtje. Dhe nëse të gjithë tregojmë urrejtje, në nivel shoqëror dhe ekologjik, jeta e planetit do të zhduket. Dashuria për atdheun buron nga kënaqësitë dhe lumturitë që ai gjeneron dhe riprodhon për një popull.

Dashuria për atdheun duhet të jetë e para: sepse pa këtë dashuri asnjë dashuri tjetër s’mund të zhvillohet. Atdhedashuri, jo në kuptimin e dashurisë për pronën e atit. Kjo lloj “dashurie” do të ishte shumë e ngushtë. Por në kuptimin e dashurisë për vlerat e shoqërisë së tij. Populli shqiptar, për shembull, ka zhvilluar ndër shekuj plotë vlera. Besa, për shembull, është një ndër vlerat më spikatëse të tij. Besa, në kuptimin e fjalës së dhënë. “Burri, mbahet nga fjala“, thotë një fjalë e urtë në anët tona, “dhe jo nga koqet”. Por kjo fjalë ‘edukative’ përjashton gratë. Ndaj do të ishte mirë ta kuptojmë ‘besën’ se nga buron ajo dhe si zhvillohet. Besa nënkupton “besnikëri” kundrejt ose një fjale të dhënë ose një parimi ose një ndjenje. Si e tillë, ajo varet nga një njeri virtuoz në besnikëri.

Domethënë, nga një njeri të palëkundshëm në fjalën e dhënë, parimor, dhe nga ndjenja e cila ka karakter pozitiv. Palëkundshmëria në fjalë varet nga virtyti i besnikërisë. Ky i fundit nuk mund të zhvillohet pa e lartësuar si virtyt. Lartësimi i tij në shoqëri krijon ndjesinë e të qenit “i lartë”. Ndaj dhe virtyti i besnikërisë varet nga lartësimi i tij në shoqëri dhe ndjesia e lartë që krijon te njeriu. Kur ky virtyt nuk lartësohet – ai nuk mund të zhvillohet ose mund të zhvillohet në shkallë të ulët dhe në pak njerëz. Populli ynë më shumë se çdo popull tjetër ka ditur ta zhvillojë. Por sërish, jo mjaftueshëm: sepse s’është kuptuar ontologjisht. Ndaj është e nevojshme që virtyti i besnikërisë ose besës të zhvillohet duke kuptuar përmbajtjen dhe dinamikën e tij. Por popujt zhvillojnë edhe vyrtyte të tjerë: nderin, solidaritetin etj. Shkurt, të gjithë virtytet duhet të kuptohen se nga burojnë dhe si zhvillohen.

Kur kuptojmë këto dinamika (“nga dhe si”) ne mund të kuptojmë dhe arsyet (ose shkaqet) se pse shkatërrohen. Besa, për shembull, nuk zhvillohet as në nivelin e saj mesatar kur në shoqëri dominojnë vlera të kundërta me ‘besnikërinë’. Kur ajo zhvillohet në mesataren e saj – dhe kur në shoqëri mbizotëron konkurrenca dhe individualizmi, përqendrimi i pushtetit dhe heteronomia, si në sistemin aktual, besa humbet kuptimin e saj: sepse dominohet nga dinamika kryesore e shoqërisë. Besa jonë është trazuar edhe nga besimet fetare: sepse besimtarët vendosin të parin besimin në zot dhe rrjedhimisht dhe doktrinën përkatëse që e shoqëron atë. Besimtarët e feve përkushtohen dhe adhurojnë më shumë se çdo “besim” tjetër besimin në “doktrinë”: sepse nga ajo burojnë të “vërtetat” dhe krijohen mendësitë dhe ndjesitë përkatëse dhe, jo nga njeriu. Kështu ata, jo vetëm që s’e kuptojnë se nga buron besimi dhe si zhvillohet mes njerëzish por krijojnë mendësi të ngurta saqë çdo ‘besim’ tjetër është i huaj dhe i papranueshëm. Besimet e njerëzve fetarë bëhen edhe më të ngurtë kur ata nuk fitojnë vegla teorike për të kuptuar realitetin në të cilin jetojnë. Për shembull, për të sqarur lindjen e universit ata kanë nevojë për dije shkencore. Pa patur këtë lloj ‘dije’ (megjithëse e pamjaftueshme) ata s’kanë se si ta kritikojnë një lloj besimi fetar lidhur me universin. Dhe pa kuptuar rëndësinë e besimit që duhet zhvillojnë shoqëritë, ata e kanë të lehtë të zëvendësojnë çdo lloj besimi që buron nga prindërit dhe shoqëria e tyre me besime të një populli tjetër — që hamendësisht është “prekur” nga zoti!

Kjo është arsyeja se pse ata përbuzin vlerat e pararendësve që s’besojnë në çka besojnë ata dhe i zëvendësojnë ato me vlera të një populli tjetër. Në Shqipëri, për shembull, muslimanët (megjithëse jo të gjithë) jo vetëm që zëvendësojnë karakteristikat kryesore të gjuhës shqipe kur përshëndesin në arabisht, por braktisin dhe traditat tona. Për shembull, ata kremtojnë festat fetare dhe “harrojnë” festat kombëtare, të cilat, në të shumtën e rasteve kanë lidhje me betejat që kanë zhvilluar prindërit e tyre. Ata bëhen edhe më shumë “patroktonë” kur mbivendosin prijësit e fesë së tyre (Sulltanët) mbi prijësit e popullit të tyre (mbi Skënderbeun për shembull). Ngatërrojnë, domethënë, qëllimshëm, ndonjë herë edhe në padije, perandorin me çlirimtarin: të parin e paraqesin si “çlirimtarë” (sepse ai predikon fenë e tyre) të dytin si “tradhëtar” ose më keq, si “katolik” (sepse ai, sipas tyre, nuk mbështet fenë e tyre). Kështu vendosin të parën fenë dhe për të shpesh japin dhe jetën. Por në këtë proces kanë braktisur gjithçka tjetër. Veçanërisht dashurinë për atdheun – nga e cila varet edhe dashuria për zotin ose dashuria për imagjinatën që krijojnë fetarët falë tregimeve dhe librave fetarë që qarkullojnë rreth nesh. Kanë braktisur, gjithashtu, dashurinë për gjuhën amtare. Për emrat e saj kuptimlotë. Janë kthyer në “shqiptarë” të dyzuar: me këmbë në tokë por me shpirt në qiell dhe gati për të shkuar atje sa herë t’ua kërkojë prijësi i doktrinës apo haluçinacioni… //shqiperiajone.org/

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *