Opinion

Pse Ermal Meta?

Nga Ilir Yzeiri

Në festivalin e ardhshëm të këngës në Eurovizion do të marrin pjesë tre shqiptarë që përfaqësojnë shtete të ndryshme. Një vajzë shqiptare do të përfaqësojë Qipron, Ermal Meta Italinë dhe Bushpepa Shqipërinë. Në pamje të parë kjo është shenja e vitalitetit të lirisë dhe transferimit të vlerave nga vende të pazhvilluara në vende që kanë gjithë infrastrukturën e mundshme që talenti i vërtetë të lulëzojë. Në këtë pikë ne duhet të tregohemi modestë sepse, megjithë që kemi një Rita Ora, Bebe Rexha apo Dua Lipa, apo edhe Ermal Metën, italjanët fjala vjen, kanë më shumë se gjysmën e artistëve të Hollivudit apo njerëz të tjerë të shquar në të gjithë globin. Dukuria bëhet komplekse nëse e shohim nga një kënd tjetër.

Ermal Meta apo Kledi Kadiu në Itali janë produkt i emigracionit gati biblik që ndërmorën shqiptarët pas rënies së komunizmit, ndërsa Inva Mula fjala vjen e siguroi suksesin e saj falë talentit dhe mundësisë që të krijon qarkullimi i vlerave dhe elitave. Ndërkaq, fenomeni Ermal Meta na zbulon një anë tjetër të dukurisë e cila, nga njëra anë na bën të ndjehemi krenarë dhe nga ana tjetër na bën të ndjehemi të trishtuar, sepse në të gjitha rastet Ermal Meta ka vetëm origjinën shqiptare. Ai tashmë është një artist italjan, është kantautor italjan dhe, në të gjitha rastet, ai identifikohet me kulturën italjane, ashtu siç identifikohet fjala vjen De Niro me Hollivudin amerikan, megjithëse rrënjët e tij janë italjane.

Kjo është një dukuri me të cilën ne duhet të fillojmë të mësohemi dhe duhet të kuptojmë se talenti nuk është medoemos i lidhur me etninë. Në anë tjetër, fenomeni Ermal Meta ashtu si fenomeni Kledi Kadiu, duhet të na bëjnë esëll dhe të na shtyjnë të mendojmë e të kuptojmë se Shqipëria kështu siç është dhe me këtë sjellje ndaj kulturës do të zhbëhet prej artistëve seriozë dhe do të popullohet gjithnjë e më shumë nga ahengxhinjtë dhe shakaxhinjtë e netëve të vona që bashkë me kokëboshët e të enjteve fatale, po e rrezikojnë këtë vend që ta kthejnë në një mejhane të madhe me njerëz gjysmë të çakërdisur që duan llahinga, aheng, lloqe dhe mburravecë ekranesh që tregojnë se sa herë e kanë mundur kundërshtarin dhe se në ç’mënyrë e kanë sfiduar tavolinën.

Duke u bërë vazhdimisht një fshat i madh, ne po e kthejmë kulturën në një festival barcaletash dhe batutash bajate që i tregojmë në ekranet e televizioneve si gjetje të fundit të kokës sonë bosh. Fenomeni Ermal Meta na tregon përsëri e përsëri se jeta në liri, jeta pa kufij, jeta pa diktaturë mund të bëhet një shthurje totale dhe mund ta zhbëjë një komb të tërë më keq sesa e zhbënte

diktatura hapur dhe me ligje. Edhe në shumë shkrime të tjera para këtij, kam përmendur se diktatura komuniste kishte një projekt të qartë dhe atë projekt që ajo ashtu si gjysma e globit, e mendonte të drejtë, e zbatoi me përpikmëri. Ajo krijoi një rrjet të gjerë institucionesh kulturore, teatro, estrada, krijoi Kinostudion me ambiente të jashtëzakonshme që sot mund të përdoreshin si atelie për studio të huaja dhe shpalli se me anë të këtij mekanizmi, do të krijinte njeriun e ri dhe kulturën e re. Në fund projekti dështoi në mënyrë tragjike.

Dhe ajo që dihet botërisht është se me anë të këtij projekti, komunistët krijuan borgjezinë komuniste e cila ishte e para që filloi ta përqeshte projektin komunist të krijimit të njeriut të ri derisa e përmbysi atë në fund të viteve ’80. Për ironi të fatit borgjezia komuniste u bë aleatja e parë e të burgosurëve politikë. Por kjo është një temë më vete. Pëllumb Kulla, regjisori, shkrimtari dhe intelektuali më i dalluar i kohës sonë, në librat e tij, në artikujt e tij e ka shpjeguar në mënyrë brilante pikërisht këtë dukuri.

Ai vetë bashkë me talentin që ka, është emblema e kësaj dukurie. Mirëpo, liria që fituam pas rrëzimit të diktaturës nuk po na ndihmon që të rindërtojmë edhe shpirtin, pra, nuk po na ndihmon që të kemi edhe artistët tanë që të identifikohemi me ta. Mund të ketë shumë arsye dhe natyrisht në kufijtë e një komenti të tillë është vështirë të rroken të gjitha arsyet dhe shkaqet e kësaj gjendjeje. Ndërkaq ajo që është përsëritur me kohë në të gjitha vështrimet për këtë dukuri është kriza e modelit dhe shkatërrimi i institucioneve të politizuara apo të ideologjizuara të kohës së komunizmit.

Kjo mund të jetë një arsye, por, sipas meje, shkaku është më i thellë. Kriza e rëndë në kulturën shqiptare, pra në një vend që nuk ka një këngëtar si Ermal Meta që të këndojë Shqipërinë, nuk ka një aktor, nuk ka një piktor, një arkitekt, shkurt nuk ka artistë që të na frymëzojnë dhe të na bëjnë të qajmë prej emocioneve të bukura, është më e thellë. Ne nuk kemi një shfaqje që të na mbushë sytë me lot prej kënaqësisë, por në vend të tyre kemi njerëz që dalin në ekran, çirren apo tjerrin me tinguj një tekst që të nervozon dhe nga ana tjetër, shfaqjet që tërheqin më shumë njerëzit e lodhur të këtij vendi janë sherret banale mes njerëzish që ngatërrohen mes vedi për partira apo për grupe politike që ngjajnë me bandat.

Duke qenë kështu, ky vend kënaqësinë për t’u frymëzuar, për t’u emocionuar do ta marrë nga artistë të huaj. Nuk dua të jem pesimist, por kështu siç e kemi zënë, ky vend do të vazhdojë të zbrazet nga gjithçka e bukur dhe që të bën të derdhësh lot. Në ekranet e këtij vendi do të vijë dita që do të shohim vetëm cuba, moderatorë që masturbohen mendërisht me batutat e kohës së qepës, debate me njerëz të lodhur e të mërzitshëm deri në çmenduri, koketa kokëboshe që do të mbushin studiot dhe do t’u flasin shqiptarëve të droguar për pushimet që kanë kaluar nëpër plazhe afër

Kolumbisë dhe fëmijët tanë apo nipat tanë do të kenë vetëm një ëndërr. Të mos shohin çfarë llomotisin dhe për çfarë çirren ata shqiptarë që dalin nëpër ekrane, të mbarojnë shpejt një shkollë dhe të ikin nga sytë këmbët në një vend tjetër që atje të paktën të mësojnë se për t’u kënaqur duhet të provosh emocione që të mbushin sytë me lot. Do të ikin nga një vend që të vetmen kënaqësi ka kultivimin e arrogancës, fodullëkut dhe banalitetin. Do të thyejnë qafën nga ky vend që të mos dëgjojnë më sherrin e ministres së kulturës me Robert Ndrenikën, do të bëjnë të pamundurën që, nëse kanë pak zë për të kënduar, të shkojnë në një vend tjetër dhe të provojnë fatin ashtu si Ermal Meta.

Dhe ata që do të mbeten këtu duhet të përgatiten që festivalet e këngës apo manifestimet e tjera të mëdha të kulturës shqiptare do të bëhen gjithnjë e më shumë si ato paradat e trishtuara të injorantëve , mediokërve dhe budallenjve. Pas shumë e shumë kohësh, jam i sigurtë që të vetmit këngëtarë shqiptarë që do të kujtohen do të jenë ata që kënduan në komunizëm, të vetmit filma ata që u bënë në komunizëm. Dhe njerëzit e atyre kohëve do të pyesin me habi po kjo kënga « Bisedë me pushkën » ç’do të thotë?

Në këtë rast do ta gjejnë përgjigjen sepse për diktaturën do të flitet gjithmonë. Ajo që nuk do të kuptojnë ata do të jetë koha e pasdiktaturës. Për këtë kohë ata nuk do të dinë të flasin dhe nuk do të dinë çfarë të tregojnë, sepse asnjë tingull i kësaj kohe nuk do të jetë i vendosur në ndonjë vend që ata ta shohin e të emocioniohen me të. Do qeshin me diktaturën dhe me këngë si bisedë më pushkën, por do të vënë duart në kokë kur të hapin kapakun e ndonjë pusete me ahengjet e regjistruara në festivalet e këngës shqiptare pas rënies së komunizmit.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *