Lajme, Lajmi kryesor

Provokacija: Jo të gjitha rrugët çojnë në Beograd

Serbët vërtet e bëjnë të shijshëm “kiselo kupusin”, ‘‘pecenje od teletine i svinjetinje”, po ama shlivovica serbe nuk mund ti ofrohet rakisë së Skraparit, prandaj edhe të dehë, po besa kush e shijon “srpksi paprikasin” politik , e shumta që mund ta fitojë është një varr në Beograd si Esat Toptani, Cana Begu, Ali Shukria e ndonjë tjetër, sepse Nikolla Pashiqi moto në atë udhëzimin që ua dërgonte zyrtarëve civil e ushtarak në tokat e pushtuara shqiptare e kishte “obecaj-pa ne daj” (premto e mos jep), siç edhe e kishte titulluar dokumentin

Shkruan: Ymer Avdiu

Shkrimtari , publicist italian që kishte edhe plot profesione të tjera,Curzio Malaparte në “Kaput” e tij të famshëm nxjerr aq natyrshëm një kontekst interesant, se viktima kurrë nuk hakmerret ndaj xhelatit e madje e ndjen edhe një lloj kënaqësie, të cilën Erih From në “Ikje nga liria” e quan mazohizëm dhe sadomazohizëm. Kurse vrasjet dhe krimet më makabre bëhen në emër të një ideje madhore, humane, civilizuese. Jo pak raste të tilla të këtij mazohizmi dhe sadomazohizmi gjendet në marrëdhëniet dhe sjelljen e shqiptarëve ndaj serbëve, që nga 1912 e këndej. Po edhe sa krimet janë kryer mbi shqiptarët pikërisht mbi këto “ide madhore” sadiste. Dimitrije Tucoviqi do na tregojë se ndaj ushtrisë serbe që kishte bërë krime të llahtarshme në Shqipëri që nga Podujeva e Novi Pazari deri në Durrës e Rogozhinë gjatë Luftës së Parë Ballkanike, me rastin e kalimit të ushtrisë serbe nëpër Shqipëri, duke ikur nga ushtria e “Boshtit”, më 1915, pra gjatë Luftës së Parë Botërore, jo vetëm se shqiptarët nuk i ishin hakmarrë dhe as i kishin penguar, por përkundrazi e kishin ndihmuar me ushqime e veshmbathje, sado që e kishin rastin që ta asgjësonin këtë ushtri e cila sa ishte e rrezikuar sa nga austriakët dhe bullgarët, aq ishte edhe nga moti dhe sëmundjet.

Dihet pastaj ç’sjellje e veprime kishte bërë ushtria serbe pas Luftës së Parë Botërore ndaj shqiptarëve jo vetëm në tokat e pushtuara shqiptare, por dihen edhe mizoritë e tyre ne zonat kufitare si Lumë, Dibër etj. Raste të tilla të “humanizmit” të shqiptarëve ndaj soldateskës serbe u përsëritën edhe sa e sa herë, po sidomos dihen sjelljet e disa kuadrove të partizanëve shqiptarë të ardhur në Kosovë e Sanxhak ti ndihmonin vëllezërit jugosllav. Të frymëzuar nga “solidariteti” i Titos, i Milladin Popoviqit, Dushan Mugoshës, S.V. Tepmpos, Velimir Stojniqit ishin treguar shumë të zellshëm në mposhtjen e nacionalistëve shqiptarë jo vetëm në Kosovë, Sanxhak e Gostivar, por kishin rrjepur për së gjallë edhe nacionalistë në Jug të Shqipërisë sic tregohet rasti në familjen Butka.

Asgjë në botë nuk na qenka më e ngjashme siç është bota e Shqipërisë me Serbinë?!!!

Është e vërtetë se shumë shqiptarë rruga i ka nxjerrë dhe i nxjerr në Beograd. Disa nga nostalgjia, disa nga interesi, disa nga detyrimi, disa nga halli, disa nga inferioriteti…Shkojnë pjesëtarë të shoqërisë civile nga Prishtina, që mjelin fonde në emër të kozmopolitizmit nga fondacione të ndryshme, shkojnë tregtarë të vegjël të blejnë bagëti dhe ushqim për kafshë, shkojnë ndërmarrës të mëdhenj që blejnë të gjitha llojet e prodhimeve serbe dhe i furnizojnë tregjet e Kosovës e besa edhe të Shqipërisë, shkojnë mafiozë e tregtarë ilegal të nëntokës, shkojnë spiun që edhe po nuk deshën janë të detyruar, shkojnë grupe punuese nga institucionet shtetërore të Shqipërisë në seminare e grupe të ndryshme të punës, shkojnë pacientë hallexhi që nuk kanë para të shërohen në Kosovë, në Maqedoni, në Turqi a gjetiu, shkojnë vajza të reja shqiptare për tu martuar me serb pleq në fshatrat e braktisura që shiten për 1-2 mijë euro, shkojnë edhe për kokrrën e qejfit që të takojnë miqtë, dashnorët dhe dashnoret e vjetra…ka plot e përplot shqiptarë të Kosovës që kanë pasaporta serbe…

Prof.dr. Hatixha Berisha, profesoreshë në Akademinë Ushtarake Serbe në një intervistë në RTS, pos se tregon se ndjehet shumë krenare që vëllezërit e saj ranë heroikisht për Serbinë, njëri në Vukovar e tjetri në Kosovë, tregon se ka mbi 100 oficerë shqiptarë që shërbejnë në ushtrinë serbe (diku kaq oficerë shqiptarë i kishin pri ushtrisë serbe, përkatësisht formacioneve paramilitare, ngase myslimanet nuk lejoheshin të ishin pjesëtarë të ushtrisë serbe, më 1912 kur i kishin pushtuar tokat shqiptare). Mirëpo, gjithë këta udhëtarë që shkojnë drejt Beogradit të shumtën e mbajnë të fshehur, aty-këtu ndonjë grup punues bënë ndonjë fotografi në takimet e përbashkëta me qëllim të vetëm që të përfitojnë fonde. Mirëpo, takimi i fundit i organizuar ndërmjet agjencive telegrafike TANJUG dhe ATSH në Beograd u përcoll me shumë bujë e shumë shamatë në opinion dhe veçmas fjala e Mustafa Nanos që e ka marr rolin e zëdhënësit të “bratsvto-jedonstvos” (bashkim-vëllazërimit) shqiptaro-serb.

E ky Nano pasi shpreh një dozë të vogël të pakënaqësisë ndaj ministrit serb Daçiq pse edhe ai nuk menduaka si kozmopoliti Mustafa konstaton me shumë “kompetencë”, siç e citojnë mediet:…..“Unë personalisht shoh më shumë të përbashkëta sesa dallime midis serbëve dhe shqiptarëve”, , duke shtuar se kur vjen në Beograd, ndihet si në shtëpi….“Serbët dhe bota e tyre më duket shumë e ngjashme me botën time. Asgjë në botë nuk është e ngjashme siç është bota e Shqipërisë me Serbinë. …“Ju përmendët programin tim televiziv, që titullohet “Provokacja” dhe unë kam zgjedhur një emër serb sepse doja të përcillja mesazhin se asgjë që i përket botës serbe nuk është e çuditshme për ne, shqiptarët, asgjë nuk është armiqësore për shqiptarët” …. “Aktualisht është çështja e Kosovës që na ndan, asgjë tjetër. “Ajo që do më bënte më shumë optimist është që të kanalizohet diskutimi në një tjetër drejtim. Të mos fokusohet tek Kosova”.

Pra, hall për Nanon na qenka vetëm Kosova që duhet mënjanuar se të tjerat qenkan “vaj e mjaltë”, pasi për Luginën e Preshevës , pale në emër të kujt flet me kaq kompetenca e paska gati formulën: “ Herën e fundit që vizitova Serbinë isha në Preshevë. Pashë atje disa persona që fizikisht ishin aty, në Serbi, por me mendje ata ishin në Tiranë, në Prishtinë. Pra këta persona nuk janë këtu në Serbi…. Dua që Edi Rama të vijë dhe t’u thotë këtyre njerëzve, dëgjoni ju jeni këtu, jeni pjesë e Serbisë dhe do të jeni këtu gjithë kohën….” (Sa mirë që Presheva është e Serbisë, po c’ ti bëhet Kosovës, që është e pavarur tani nga Serbia dhe sa mire do të ishte të zhvendosej diku në ishujt e Paqësorit dhe të mos ishte pengesë ndërmjet Serbisë e disa kozmopolitëve shqiptarë!!!).

Nuk është turp të humbasësh-turp është të jesh shqiptar (Shesheli)

Është krejt në rregull që ta ndjejë vetën në Beograd si në shtëpi, ti duken njëjtë serbët si shqiptarët, ta titullojë emisionin e vet si të dojë, të përshëndet me tre gishta e të bëjë si të dojë, por, vetëm për vete. Sesa dallojnë serbët e shqiptarët flasin mijëra fakte e fakte: Shqiptarët nuk kanë pushtuar asnjë pëllëmbë toke të huaj, por përkundrazi kanë humbur dy të tretat e tokës së tyre, kurse serbët jo vetëm se kanë pushtuar , po kanë aq shumë projekte e elaborate se Serbia në jug duhet të shtrihet nga Ohri përgjatë lumit Shkumbin e në Rogozhinë, kurse në Veri në vijën Benkovc-Karllovc,Karllobag Virovitica të Kroacisë; shqiptarët institucionalisht nuk kanë vrarë e ndjekur asnjë serb, kurse serbët në këto 100 vjet kanë vrarë qindra mija shqiptarë, duke përfshirë edhe brenda kufirit të shtetit shqiptarë dhe kanë dëbuar nga tokat e tyre për në Turqi dhe gjetiu miliona shqiptarë; Shqiptarët nuk kanë asnjë elaborat kundër serbëve, kurse serbët duke filluar nga “Nacertanija” e Garashaninit (1846) e deri te elaboratet e ASHA të Serbisë kanë 7-8 elaborate për shfarosjen e shqiptarëve, duke i quajtur shqiptarët njerëz pa identitet, pa kulturë, pa shkollë, të prirë për anarki deri edhe njerëz me bisht (Vlladan Gjorgjeviq), popull i egër që rrezikojnë civilizimin evropian dhe kristianizmin dhe trazojnë serbët, kombin më të kulturuar dhe më të civilizuar të rajonit.

Përkundër këtyre krimeve asnjëherë nuk u kanë kërkuar falje shqiptarëve dhe as shtrirë dorën e pajtimit , siç ua kanë shtrirë me poltronizëm disa herë elita të caktuara shqiptare serbëve. Dhe siç e kanë thënë edhe disa intelektual serb serbi i zakonshëm edhe nuk e di, po edhe nuk do ta di e ta pranojë se shteti serb ka bërë krime ndaj të tjerëve. Propaganda serbe gati dy shekullore ka mbërrijë ta bind serbin e zakonshëm se serbët janë viktimë e të tjerëve dhe indirekt të duket se vrasja e shqiptarëve,(kujto vetëm luftën e fundit në Kosovë) vrasja e boshnjakëve myslimanë (kujto Srebrenicën) dhe vrasja e kroatëve katolik (kujto Vukovarin) është detyrë e shenjtë! Me një fjalë dallimi është se shqiptarët duan të jetojnë në vendin e vet të rrudhur dhe në paqe më fqinjët, pavarësisht historisë tragjike me ta, kurse serbët shqiptarët i trajtojnë si racë të ulët mbi të cilën duhet të sundojnë sipas të drejtës qiellore (nebeski narod) , sepse “nuk është turp të humbasësh-turp është të jesh shqiptarë” (e dëgjuar nga Shesheli pas humbjes së Serbisë nga Zvicra në futboll, nga i cili konstatim nuk u distancua askush në Serbi), kurse për analistë e kozmopolitë shqiptarë ishte e keqe dhe e dëmshme pse futbollistët shqiptarë të Zvicrës bën simbolin e tyre kombëtar në çastet e gëzimit kur shënuan gol. Dhe, kështu vargu i dallimeve është i gjatë…

Po ka dallime esenciale, serbët gënjeshtrën, mitin, dinë ta bëjnë vlerë dhe fakt historik,(Beteja e Kosovës, Mesjeta kishtare, etj.), shqiptarët faktet historike i mitizojnë, argumentin e fshehin, madje atakohet dhe kontestohet edhe figura dhe etnia e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti_Skënderbut. Përderisa serbët e duan lirinë për vete dhe vendin e tyre sa më të madh në dëm të tjerëve dhe e shprehin në trajta institucionale , shqiptarët ketë krenari për shqiptarinë dhe atdheun ose e shprehin në trajtë folklori, e disa të tjerë janë të kompleksuar nga inferioriteti. Kurse kuptimin e lirisë nuk e ka asnjëra kategori. Për shqiptarin e zakonshëm serbi është një fqinj, njeri si të gjithë të tjerët (për një kategori sadomazohistësh shqiptarë shoqëria serbë është mishërim i ideales), kurse për institucionet serbe shqiptari është primitiv dhe i mirë është vetëm shqiptari i vdekur.

Të jemi të drejtë. Serbët kanë edhe atë kategori të intelektualëve e humanistëve që kanë kaluar mbi mendësinë politike e shtetërore dhe e kanë shpërfaqur dhe dënuar krimin shtetëror serb ndaj popujve të tjerë në mënyrë shumë të ndershme dhe dinjitoze e pa poltronizëm. Pikërisht se e duan atdheun dhe kombin e vet. Shembull tipik, ndër të tjerë, janë Natasha Kandiq, Sonja Biserko, sepse punën që nuk e kryen shqiptarët (zbardhjen e krimeve shtetrore serbe mbi civilët, gra, pleq fëmijë dhe dhunimin e grave shqiptare në luftën e fundit (në vend se ta bënin institucionet shqiptare dhe ta plasonin analistët shqiptarë ) e bëri fondacioni i zonjës Kandiq, thuajse pa ndihmën e shqiptarëve.

Dhe kulmi i lezetit është ( është e mundur sa të mos e dijë këtë fakt analisti Nano) kur konstaton: “ Kur vjen çështja tek besimi fetar, ne jemi ballkanas, jemi pak të relasksuar, nuk shqetësohemi aq shumë sikurse me të diku tjetër”. Po, shqiptarët nuk shqetësohen shumë për çështjen fetare, bile janë i vetmi vend në botë që institucionalisht e kishte ndaluar fenë. Mirëpo , Serbia dhe vendet fqinjë si Greqia identitetin e tyre nacional, kulturor, emocional dhe shtetëror e kanë të ndërtuar mbi kishën dhe kisha e ka fjalën kryesore në zhvillimet e këtyre vendeve. Ky soj shqiptarësh vërtet nuk janë shqetësuar fare pse shumica absolute e fëmijëve të mërgimtarëve shqiptarë në Greqi, po edhe vetë mërgimtarët shqiptarë është dashur të pagëzohen në ortodoks dhe dihet rregulli grek: ” Çdo ortodoks është grek”.

Është e vërtet se serbët dhe shqiptarët kanë diçka të përbashkët: ecin vertikalisht, marrin frymë, pinë raki…Nuk ka asnjë dilemë se duhet bërë një zgjidhje të marrëdhënieve shqiptaro-serbe dhe mbylljen e armiqësisë gati dy njëshekullore. Por, kjo është më së paku në dorën e shqiptarëve, të cilët edhe pse viktimë, e kanë shtrirë shumë herë dhe vazhdojnë ta shtrijnë dorën e pajtimit, siç po bëjnë edhe sot, kur ende nuk dihen varret e mbi një mijë shqiptarëve të masakruar në luftën e fundit , kur ende kullojnë gjak e vrer plagët e rreth 20 mijë grave e vajzave të dhunuara nga ushtria e policia serbe. Mirëpo, këtë dorë pajtimi nuk e shtrijnë institucionet serbe që akoma luajnë rolin e viktimës dhe deri në atomin e fundit luftojnë për “tokën e shenjtë”, apo “Jerusalemin serb”.

Duket se shqiptarët pak kanë mësuar nga historia e tyre tragjike. Aq më pak një pjesë e intelektualëve të dehur nga kozmopolitizmi dhe fonde që marrin aty këtu dhe dehen nga shlivovica serbe. Serbët vërtet e bëjnë të shijshëm “kiselo kupusin”, (lakrën turshi)‘‘pecenje od teletine i svinjetinje”, po ama shlivovica serbe nuk mund ti ofrohet rakisë së Skraparit, prandaj të deh shpejt , po besa kush e shijon “srpksi paprikasin” politik serb, e shumta që mund ta fitojë është një varr në Beograd si Esat Toptani, Cana Begu, Ali Shukria e ndonjë tjetër, sepse Nikolla Pashiqi moto në atë udhëzimin që ua dërgonte zyrtarëve civil e ushtarak në tokat e pushtuara shqiptare e kishte “obecaj-pa ne daj” (premto e mos jep), siç edhe e kishte titulluar dokumentin.

Po, historia ka treguar se nuk ka shumë shqiptarë që rruga i nxjerr në Beograd.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *