Sport

Prishtina deklasoi ekipin nga Gjibraltari

Bardhekaltrit e deklasuan me rezultat 5:0 FC Europa. Prishtina tani përgatitet për takimin e radhës, kundër Fola nga Luksembugu. ndeshja e parë luhet me 12 korrik në Luksemburg, kurse ajo e kthimit pas një jave

Prishtina kualifikohet në rrethin tjetër të Europa League në futboll. Skuadra më e trofeshme në vendin tonë, pa asnjë problem e mundi me rezultat të thellë 5:0 FC Europa nga Gjibraltari, në ndeshjen e kthimit që u zhvillua në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Ndeshja e parë kishte përfunduar me 1:1 dhe Prishtina kualifikohet me rezultat të përgjithshëm 6:1. Në 45 minutat e parë gjithçka u qartësua kur Prishtina udhëhoqi me rezultat 3:0. Në minutën e 9-të, penallti për Prishtinën, pasi u pengua Khalid Abdul Basit, të cilën e shndërroi në gol kapiteni Armend Dallku.

Mankenda me dinakërinë dhe nga distanca rreth 20 metra thelloi epërsinë në 2:0 në minutën e 14-të.
Dy golat e hershëm i dhanë edhe më shumë motiv prishtinasve, të cilët administruan lojën pa problem dhe thelluan epërsinë (3:0), duke iu falënderuar Dallkut, që ishte i saktë nga penalltia.

Prishtina u tregua shumë e fortë në mbrojtje dhe në të gjitha repartet tjera, duke mos lejuar rivalin që të jetë i rrezikshëm. FC Europa nuk ishte rival i barabartë dhe në asnjë moment nuk kishte forcë që t’i kundërvihet lojës së bardhekaltër.

Kapiteni Dallku me bashkëlojtarë ishin jashtëzakonisht të mirë, duke kënaqur me lojë edhe tifozët që ishin të pranishëm në stadiumin “Adem Jashari”.

Në pjesën e dytë, Prishtina luajti me ritëm sikurse në pjesën e parë. Në minutën e 59-të, Ahmed Januzi shënoi për 4:0, duke shuar të gjitha shpresat e rivalit.

Në minutën e 75-të, Mërgim Pefqeli futet në lojë dhe tregoi paraqitje të mirë. Ai në minutën e 86-të, nga rreth 17 metra me një goditje të fortë thelloi fitoren në 5:0. Prishtina me lojë e rezultat e deklasoi ekipin nga Gjibraltari, Europa.

Trajneri i Prishtinës, Mirel Josa, gjithsesi se është i kanaqur me paraqitjen e djelmoshave të tij dhe për fitoren bindëse. Prishtina tani përgatitet për takimin e radhës, kundër Fola nga Luksembugu. ndeshja e parë luhet me 12 korrik në Luksemburg, kurse ajo e kthimit pas një jave.

Pas Dritës nga Gjilani që ishte kualifikuar në rrethin eliminatorë të Champions League, tani është edhe Prishtina në Europa League. Ky është viti i dytë që skuadrat nga Ksoova marrin pjesë në garat evropiane dhe hera e parë që kualifikohen.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *