Lajme, Lajmi kryesor

Prerja e shiritave në Ballkan

Që nga një ashensor i ri e deri te tualetet në një pikë kalimi kufitar – politikanët ballkanas rrallë e humbin mundësinë për të prerë një shirit të kuq inaugurimi

Në Ballkan ndonjëherë është vështirë të gjesh lajme të mira. Kështu që përse një zëvendëskryeministër të mos presë shiritin e inaugurimit të një tualeti të ri apo ministri i një kabineti të pagëzojë një ashensor? Ata e kanë bërë dhe s’janë të vetëm. Vitet e fundit kanë parë politikanët në Ballkan të gërmojnë thellë në kërkimin e tyre për një mundësi të hairit për foto dhe mundësinë për të marrë meritat për bujarinë e shtetit. «Kjo na kushtoi rreth 30 mijë leva, duke përfshirë edhe këto tualete të reja fantastike që do të isha mëse i lumtur t’jua tregoja», tha zëvendëskryeministri bullgar dhe kreu i Frontit Kombëtar për Shpëtimin e Bullgarisë, Valeri Simeonov, për gazetarët gjatë zbulimit të tualeteve në pikën kufitare Kalotina midis Bullgarisë dhe Serbisë në nëntor të vitit të kaluar. «Ato janë të reja, me panele diellore dhe moderne», tha ai.

Megjithatë, Simeonov është thjesht një amator në krahasim me kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borissov, i cili e ka marrë shumë përzemër prerjen e shiritit të inaugurimit, zakonisht në shoqërinë e një prifti. Borissov është i famshëm dhe ndonjëherë e tallin, për zakonin e tij të inaugurimit të çdo cope rruge të re të sapondërtuar autostrade në Bullgari, një vend jo shumë i njohur për cilësinë e rrugëve të tij.

Ngjarja e vitit!

Në Bosnjë, ku zyrtarët publikë shpesh duket se i tejkalojnë në numër njerëzit e zakonshëm, kreu i komunës së Sarajevës së Re (Novo Sarajevo), Nexhad Kolxho, në dhjetor të vitit të kaluar prezantoi operimin e një kazani plehrash, një kazan plehrash i teknologjisë së lartë për të ashtuquajturat e-mbeturina, i pari i llojit të vet në atë komunë. Në shtator 2017, kreu i presidencës trepalëshe të Bosnjës, Dragan Çoviq hapi një nënstacion elektrik në qytetin jugor të Çitlukut. Nja dy muaj më parë, kolegu i tij boshnjak, Bakir Izetbegoviqi, paketoi biskota në një fabrikë në Velika Kladushë në Bosnjën veriore. Por ishte përurimi nga politikanët i një pjesë të rindërtuar trotuari para godinës së presidencës boshnjake në Sarajevë në vitin 2016, që ndezi mediat sociale, duke shkaktuar një ortek komentesh satirike në Twitter dhe Facebook rreth «ngjarjes së vitit».

Në Bosnjë, zyrtarët vitin e kaluar zbuluan një rrethrrotullim në qytetin e Banoviqit dhe një semafor në Doboj. Milorad Dodik dhe Zhelka Cvijanoviq, presidenti serb dhe kryeministrja serbe e Bosnjës, morën pjesë në një ceremoni për hapjen e një tuneli të rinovuar prej 205 metrash. Në Kroaci pak vetë mund të maten me aftësinë e prerjes me gërshërë të kryetarit të Zagrebit Milan Bandiq në hapjen e festivaleve, kalimeve për këmbësorë, shatërvanëve dhe triçikelave elektrike. Presidentja Kolinda Grabar Kitaroviq bën më të mirën e saj, duke hapur një Departament Materniteti në një spital në qytetin kroat të Çakovecit muajin e kaluar, e shoqëruar nga roje solemne dhe himni kombëtar. Sfida demografike e Kroacisë është një nga shqetësimet më të mëdha të presidentes.

Ndezja e një semafori

Në Kosovë këtë maj, Goran Rakiq, kryetar i pjesës veriore me shumicë serbe të Mitrovicës, preu një shirit të kuq të lidhur nëpër disa kazanë të mëdhenj plehrash në prani të mediave lokale. Në Prishtinë në mars, kryeministri Ramush Haradinaj, mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të një marrëveshje për ndërtimin e një hoteli të ri nga zinxhiri amerikan Sheraton. Ambasadori i SHBA-së Greg Delawie ishte gjithashtu i pranishëm atje. Poshtë një postimi të Ambasadës së SHBA-së në Facebook rreth eventit, një kosovar i pakënaqur shkroi: «Si thoni sikur të ndërtoni fabrika në Kosovë? Në mënyrë që njerëzit të mund të fitojnë një rrogë me punë të vështirë dhe të prodhohet diçka Made në Kosovë – MIK». Në vitin 2016, Delawie u bashkua me kryetarin e komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti në prerjen e shiritit të një fast-food KFC në qytet. Një vit më parë, presidentja e atëhershme e Kosovës Atifete Jahjaga bekoi ndërtimin e një spitali të ri pediatrik me 22 milionë euro para nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Nuk ka ende asnjë shenjë për ndërtimin e ndonjë ndërtese.

Për të mos e lënë pa përmendur, koalicioni qeverisës i Serbisë është tallur më shumë se njëherë për dëshirën e tij për ceremonitë e çuditshme të prerjes së shiritit, që nga shpërndarja e kazanëve të plehrave në një komunë të Beogradit, deri në inaugurimin e një semafori të ri në qytetin jugor të Kralevës, në të cilën mori pjesë kryetari vendas i komunës. Por pak vetë mund t’ia kalojnë ministrit të mbrojtjes Aleksandar Vulin, i cili në vitin 2015, në një paraqitje të mëparshme si ministër i punës, preu shiritin para një ashensori të ri në një azil të moshuarish./BIRN

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *