Lajme, Lajmi kryesor

Prapaskenat e përplasjeve Thaçi – Haradinaj

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në gusht të këtij viti kishte dalë me idenë për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë për të përfshirë Luginën e Preshevës, Medvegjën e Bujanocin në territor të Kosovës. Por, ideja e korrigjimit të kufijve vazhdimisht është kundërshtuar nga kreu i Qeverisë së Kosovës Ramush Haradinaj

Pas kundërshtimeve të vazhdueshme për korrigjimin e kufijve, kanë filluar edhe polemikat mes dy krerëve të shtetit. Madje këto polemika kanë shkuar deri në kërcënim me “rrëzim të Qeverisë” nga ana e presidentit.

Haradinaj së fundi kishte thënë se ideja e korrigjimit të kufijve tashmë ‘ka vdekur’ dhe u ka shprehur ngushëllime atyre që kanë pasur pretendime për ndryshim të territoreve. “I shpreh ngushëllimet e mia për këtë ide të kufijve, pasi që mendoj se ka vdekur, dhe njëkohësisht edhe përgëzime”, ka thënë ai.

E Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se asnjëherë nuk do ta lejojnë shkëmbimin e territoreve, ndarjen e as asociacionin me elemente ekzekutive. Sipas Thaçit këto dy gjëra janë “të vdekura”.

Kurse, nuk ka hezituar të kundërpërgjigjet dhe të japë edhe ai ngushëllime. “Sa për ngushëllim i ngushëlloj gjithë ata që punojnë për ndarje dhe për Asociacionin me elemente ekzekutive. Ndërsa te korrigjimi i kufirit duke përfshirë Luginën e Preshëves, Medvegjës e Bujanocin. Në moment që unë jam i bindur që është në interes të Kosovës dhe që ShBA, BE dhe NATO japin garanci se Serbia do ta njohë Republikën e Kosovës unë do ta nënshkruaj sepse Kosovës i duhet më tepër se politika populiste, NATO e OKB”, tha Thaçi.

Thaçi gjithashtu ka thënë se dikush në Kosovë ka premtuar Asociacion me kompetenca ekzekutive, madje edhe kryetar të këtij Asociacioni. “Ngushëllimi shkon për ata që kanë premtuar Asociacion me elemente ekzekutive, madje që ka propozuar edhe kryetar të atij Asociacioni, ky ngushëllim shkon për ata që mendojnë për ndarje”, tha në mes tjerash Thaçi, por pa përmendur emra edhe pse është pyetur nëse po aludon në kryeministrin Haradinaj.

Thaçi gjithashtu e ftoi Haradinajn që “t’i korrigjojë deklaratat” e veta. “Jam i sigurt se kryeministri ka nevojë t’i korrigjoje deklaratat e tij në lidhje me procesin e dialogut. Pa dialog nuk ka të ardhme për Kosovën. Të gjithë e dimë se pozitat tona nuk janë të përhershme, mund të ndërrohet në rast se nuk korrigjohen”, tha ai.

Thaçi e konsideroi si “interesante” deklaratën e Haradinajt. “Kjo tregon se ose është në humor të mirë ose ndihet komod në karrigen e vet. Një kryeministër serioz nuk flet çdo ditë për luftëra dhe tragjedi”, tha ai.

Haradinaj menjëherë pas kësaj deklarate ka thënë se tha se ata që mendojnë të bëjnë diçka nuk flasin, por veprojnë. “Kush e ka njet me rrëzu Qeverinë e rrëzon e nuk flet. Ai që ka vdekë nuk ngjallet më, veç njëherë ka ndodhë. Ka vdekur Krishti edhe është ngjallë. Nuk ka mundësi politike që në tavoline të diskutohet kjo, sepse tashmë e kanë kuptuar të gjithë. Kjo është temë e vdekur”, deklaroi Haradinaj.

Përtej deklaratave për korrigjim të kufijve, Thaçi e Haradinaj kanë prekur edhe tema të tjera për të cilat shprehin kundërshtime. Thaçi, po ashtu në njërën nga konferencat e rregullta, ka përmendur edhe numrin e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas Thaçit, numri i veteranëve nuk ka qenë më tepër se 12 deri në 15 mijë. “Në listat zyrtare të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk kanë qenë më tepër se 12 mijë deri në 15 mijë”, tha Thaçi.

Edhe kryeministri Ramush Haradinaj, nuk e ka lënë pa e sulmuar me fjalë presidentin lidhur me numrin e veteranëve të UÇK-së. Në pyetjen e KALLXO.com në lidhje më këtë deklaratë të Thaçit, Haradinaj ironizoi duke përmendur hotel “Rognerin”, hotel ky në Shqipëri, ku pjesëtarë e udhëheqës të UÇK-së e kishin frekuentuar shumë gjatë kohës së luftës në Kosovë. “Tash s’po di a i ka përfshi presidenti edhe ata të Rognerit a vetëm ata të Kosovës”, tha Haradinaj.

Tutje Kryeministri tha se i qëndron mbrapa asaj çfarë ka deklaruar për rajonin e Dukagjinit. “Ju siguroj se në Dukagjin, gjendja ashtu qysh e kam përshkru, që ka qenë një mobilizim i tërë moshës së rritur. Mundet me më ofendu gjithkush në çfarëdo forme, por asnjëherë për luftën në Dukagjin”, tha tutje kryeministri duke shtuar se çështjen e veteranëve e ka marrë të votuar në Kuvend.

Për përplasjet e Thaçit dhe Haradinajt, analisti politik Ramush Tahiri ka vlerësuar për KALLXO.com, se udhëheqësit institucionalë nuk janë unikë në pikëpamjet kryesore politike.

“Kundërshtimet mes presidentit dhe kryeministrit janë qe disa muaj publike dhe shprehin një dallim të thellë në pikëpamjet kryesore që kanë të bëjnë me dialogun por që kanë të bëjnë edhe me numrin e veteranëve të luftës dhe të thëna publikisht e ndajnë edhe opinionin dhe tregojnë pikëpamje të ndryshme që rrezikojnë udhëheqjen e shtetit sepse ne duhet të kemi një politikë unike të qeverisjes dhe duhet të kemi koordinim të plotë mes presidentit dhe qeverisë dhe tash është fakt që nuk e kemi”, tha Tahiri.

Sipas tij presidenti është i pari që e ka shpreh një qëndrim për dialogun dhe dallimet për këtë çështje shihen krejtësisht të panevojshme sipas Tahirit. Sipas tij qeveria nuk do të duhej të reagonte fare. “Me Kushtetutë presidenti i udhëheq bisedimet politike dhe këtë funksion nuk mundet me ia marr Kuvendi. A për bisedimet teknike, Kuvendi e ka autorizuar Qeverinë. Tash pse po hyjnë në konflikt sigurisht kanë ose inate të veta ose interesa të ardhshme”, tha Tahiri.

Sa i përket rrezikimit të karriges së Haradinajt, njohësi i zhvillimeve politike vlerëson se edhe nëse nuk rrezikohet rrëzimi i Qeverisë, kryeministri bëhet i paefektshëm.

“Edhe mos mu rreziku kryeministri bëhet i paefektshëm tash sepse nuk mund të merren vendimet nëse kundërshtohen nga presidenti ose nga partia nga e cila ka ardhë presidenti ani pse presidenti tash është i pa varur në bazë të ligjit dhe Kushtetutës”, tha ai.

E rëndësishme sipas Tahirit, është që të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe marrëveshja të jetë e vullnetshme, “jo e imponueshme” që t’ia mundësojë Kosovës anëtarësimin në Kombe të Bashkuara, të ketë njohje reciproke mes Kosovës e Serbisë si dhe të kenë marrëdhënie diplomatike.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *