Ekonomi, Lajmi kryesor

Prapaskenat e faljes së 58 milionë eurove nga kryeministri

Në qershor të këtij viti prodhuesit e ujit dhe ata të pijeve alkoolike u mblodhën në Odën Ekonomike të Kosovës, për të parë mundësinë e gjetjes së një marrëveshjeje për kthimin e borxhit prej 58 milionë eurove ndaj shtetit

Madje kishin krijuar edhe grup punues i cili do të fliste me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe për hartimin e një marrëveshjeje mes tyre për tu zgjidhur ky problem. Gazeta Fjala ka siguruar transkriptin nga ky takim ku palët në fund janë marr vesh që të filloj kthimi i borxheve, por që vetëm katër muaj më vonë kryeministri Haradinaj mori vendim për faljen e tyre.

“Hapi i tretë- pas nënshkrimit të marrëveshjes, Ambalazhuesit e ujit të bëjnë vet-deklarimin vullnetarë të obligimeve financiar (sipas rekomandimeve të grupit punues) ndaj MMPH-së, që dalin nga Udhëzimit Administrativ për Strukturën e Pagesave të Ujit nr .06/2006”, thuhet në njërën nga rekomandimet që dalin nga ky takim ku prezentë kanë qenë prodhuesit e ujit dhe pijeve alkoolike dhe joalkolike dhe përfaqësuesit e Klubit të Prodhuesve të Kosovës.

Prodhuesit e ujit nga ky takim janë pajtuar po ashtu që Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në bazë të deklarimit nga Ambalazhuesit e Ujit (të përcaktuar në marrëveshje), të përgatisë vendimet financiare për pagesat e obligimeve në përputhje me ligjin dhe marrëveshjen.

“Hapi i dytë- Nënshkrimi i marrëveshjes së lartëcekur në mes të MMPH-së dhe Ambalazhuesve të ujit”, thuhet në transkriptet e kësaj mbledhjeje.

Por kjo marrëveshje nuk do të arrihej kurrë. Vetëm katër muaj më vonë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori vendim që t’i fal të gjitha borxhet milionëshe, që prodhuesit e ujit i kanë krijuar ndër vite ndaj shtetit.

Gazeta Fjala ka kontaktuar me kryetarin e Shoqatës së Prodhuesve të Pijeve Alkoolike dhe Joalkolike, Bashkim Osmani, por ai nuk ka qenë i gatshëm të tregoj se pse kjo marrëveshje për kthimin e borxheve nuk u arrit kurrë. Ai nuk e ka komentuar as vendimin e kryeministrit Haradinaj.

Sipas një raporti që i është dorëzuar Zyrës së kryeministrit, një kopje të te cilit e ka siguruar Gazeta Fjala, vlerësohet se totali i borxheve që prodhuesit e ujit e kanë ndaj shtetit, për periudhën 2008-2015, është 58 milionë e 936 mijë e 715 euro. Totali është mbledhur nga taksa për shfrytëzimin e ujit, për shkarkimin e ujit dhe nxjerrjen e materialeve inerte.

Ky vendim i kryeministrit Haradinaj për faljen e borxheve prodhuesve të ujit vjen përkundër faktit se këto borxhe po trajtoheshin nëpër gjykata. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka vite që është duke u përballur me këto kompani në gjykata, për kthimin e borxhit.

Kërkohet hetim për faljen e borxheve

Vendimi i Hardinajt ka ngjallur reagime të shumta nga opozita dhe njohësit e ekonomisë, duke e quajtur një vendim arbitrar të kryeministrit dhe kanë kërkuar edhe hetime nga prokuroria.

Pas publikimit të tekstit nga Gazeta Fjala, mbi faljen e mbi 58 milionë eurove milionë eurove nga Qeveria e Kosovës, kanë nisur edhe reagimet.

Shoqëria Civile dhe deputetët e opozitës kanë kërkuar përgjegjësi për këtë veprim të Haradinjat. Sipas tyre, ky vendim tregon shpërfilljen e Qeverisë ndaj parasë publike.

Po ashtu deputetet e opozitës në deklarime për media kanë paralajmëruar se do të kërkojnë sqarime nga kryeministri Haradinaj rreth këtij vendimi.

Kurse, publicisiti Veton Surroi në një shkrim në Facebook ka thënë se nëse janë falë 59 milionë euro obligime ndaj shtetit, është dritë e kuqe e ndezur për korrupsion.

“..janë para që kanë mundur të përdoren në cilëndo sferë publike që ka nevojë urgjente parash (prej arsimit te shëndetësia), janë para që kur nuk mblidhen nga afarizmi duhet të mblidhen nga xhepat e qytetarëve, tregon shpërfillje të Qeverisë ndaj parasë publike, pra edhe ndaj interesit publik, është udhëzim që qytetari që paguan me rregull obligimet është i dënuar nga shteti; i favorizuar është ai që nuk paguan e i falën”, ka shkruar Surroi.

Kush janë borxhlinjtë që u falen

Në bazë të dokumenteve që posedon Gazeta Fjala, borxhliu më i madh del te jetë ndërmarrja sh.p.k. Arbëria që prodhon Ujin e Alpeve, e cila ka borxh mbi 9 milionë euro. Vendin e dytë e zë ndërmarrja Fluidi me afro 4.5 milionë euro, e pasuar nga Compact Group që prodhon ujin DEA apo uji Miros që kanë mbi 3 milionë euro borxhe secila.

Në listën e borxhlinjve figurojnë edhe Ujë Rugove me pronar Visar Klemendin dhe Birra Peje e cila është në pronësinë e kompanisë Devolli.

Gazeta Fjala ka siguruar një kopje të këtij vendimi i cili e ka shfuqizuar një nen të Udhëzimit Adminsitrativ përmes të cilit prodhuesit e ujit obligoheshin që ti kryejnë borxhet në mënyrë retroaktive.

“Aprovohet falja e borxheve për Ambalazhuesit e ujit, të paraparë në nenin 12 të Udhëzimit Administrativ (QRK) Nr. 02/2016 për Struykturën e Pagesave të Ujit”, thuhet në vendimin e Haradinajt, i cili ka hyrë në fuqi qysh ditën e nënshkrimit.

Ndërkohë neni 12 i Udhëzimit Administrativ për Strukturën e Pagesës së Ujit, i cili u shfuqizua nga vendimi i kryeministrit Haradinaj, ka paraparë që të gjitha borxhet e akumuluara që nga paslufta, prodhuesit duhet t’i paguajnë në mënyrë retroaktive.

“Të gjithë detyruesit te cilët deri në hyrjen në fuqi të këtij Udhëzimi Administrativ nuk i kanë kryer detyrimet, obligohen që brenda afatit prej dy (2) vitesh t’i kryejnë detyrimet e parapara me Udhëzimin Administrativ Nr.06/2006”. UA nr 02/2016 ka hy në fuqi në mars të vitit 2016”, thuhet në këtë nen.

Gazeta Fjala ka raportuar ndër vite për këtë problematik dhe i posedon në tërësi dokumentacionin dhe emrat e kompanive të ujit që i kanë borxh shtetit dhe vlerën e borxheve. /Gazeta Fjala/

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *