Opinion

Poterexhinjtë e Tiranës në Beograd

Të shkosh në kryeqytetin e Serbisë dhe t’i thuash opinionit serb se vetëm Kosova është pengesë, sepse mes serbëve dhe shqiptarëve nuk ka dallime – kjo tregon për një inferioritet fatal dhe një nevojë të pashpjegueshme për të qenë servil. Duket se disa publicistë të Tiranës janë aq të verbër, saqë nuk e vërejnë kryedallimin: Serbia hegjemoniste ka kryer gjenocid në Bosnjë, ndërsa shqiptarët i shpëtoi perëndimi nga gjenocidi serb

Nga Enver Robelli

Në vitet ’90 kishte gazetarë e politikanë opozitarë të Tiranës që shkonin në Beograd për të dëshmuar karshi bashkësisë ndërkombëtare se janë të hapur, shumë mendjehapur, të kulturuar, se nuk janë si «nacionalisti e maloku» Sali Berisha. Kishte analistë nga Tirana që apelonin të ndahet Kosova, 40 për qind t’i jepet Serbisë, 60 për qind ta marrë Shqipëria. Sali Berisha thoshte se shqiptarët e Kosovës duhet të përkrahin «opozitën demokratike serbe» në protestat kundër Sllobodan Millosheviqit dhe të pajtohen me një «hapësirë demokratike» në Jugosllavi, ndërsa Fatos Nano mendonte në një intervistë me «Der Spiegel» se pavarësia (e Kosovës) nuk është kërkesë moderne dhe premtonte se do të përpiqej t’ia ndërronte mendjen Ibrahim Rugovës, liderit të atëhershëm të shqiptarëve të Kosovës.

Nuk është se në vitet ’90 nuk ka pasur në Tiranë njohës të problemit të Kosovës dhe të historisë së raporteve shqiptaro-serbe. Të tillët janë injoruar atëherë, duke u etiketuar si nacionalistë panshqiptarë – dhe të tillët injorohen edhe sot, sepse zëri i tyre mund të pengojë idilin e rrejshëm të marrëdhënieve mes serbëve dhe shqiptarëve në Ballkan, një idil që krijohet me honorarë të ndonjë organizate ndërkombëtare, e cila dëshiron ta mbajë gjallë iluzionin se mjafton të flasin dy veta, ndërsa problemet mund të mbesin edhe të pazgjidhura.

Kryeproblemi është ky: ndërsa Serbia me çdo mjet përpiqet të sabotojë shtetësinë e Kosovës, t’i përshkruajë shqiptarë si primitivë, si racë e ulët, të flasësh për pajtim, integrime europiane e dokrra të tilla është humbje kohe. Serbia nuk është e interesuar të zgjidhë problemin e Kosovës, por të presë ndryshimin e rrethanave gjeostrategjike, atëherë shpejt mund të ngjallen ëndrra edhe për pushtimin e Durrësit. Sepse ëndrrat e mëdha e kriminale nuk i kanë munguar gati kurrë qeverive serbe që nga viti 1912.

Këto ditë një grusht analistësh e figurash të tjera publike nga Tirana kanë vajtur në Beograd për të diskutuar për raportet serbo-shqiptare. Ka mes pjesëmarrësve nga Tirana personalitete të shquara që dallohen për mendime të matura, por ka edhe poterexhi si puna e Mustafa Nanos, i cili po përpiqet ta etablojë veten si «njohës të thellë» të punëve të Ballkanit, «si zhveshës i miteve», «si tallës i historisë», «si rojtar i urave të dialogut mes serbëve dhe shqiptarëve». Para pak ditësh ai qortoi dy futbollistë shqiptarë të Zvicrës për shkak të gjestit të shqiponjës që ata bënë në ndeshjen kundër Serbisë, pasi gati 90 minuta huliganët serbë kishin bërtitur: «Vrite, vrite shqiptarin». Tani pason analiza e radhës e Nanos në konferencën e Beogradit, të organizuar nga agjencia serbe e lajmeve Tanjug dhe ajo shqiptare ATSH: «Unë personalisht shoh më shumë të përbashkëta sesa dallime midis serbëve dhe shqiptarëve. (…) Serbët dhe bota e tyre më duket shumë e ngjashme me botën time. Asgjë në botë nuk është e ngjashme siç është bota e Shqipërisë me Serbinë. Dhe mendoj se kjo është mënyra se ku duhet të fokusohemi kur bëhet fjalë për shqiptarët dhe serbët».

Po, ka shumë gjëra të përbashkëta mes serbëve dhe shqiptarëve – janë njerëz. Kanë halle pothuaj të ngjashme, jetojnë në shtete jo aq funksionale, ëndërrojnë për një jetë më të mirë dhe i mban shpresa se një ditë do të bëhen «pjesë e Europës». Përtej kësaj ka pak gjëra që shqiptarët dhe serbët kanë të përbashkët sa i përket politikës dhe historisë.

Të fillojmë nga më e tmerrshmja: Serbia dhe forcat e serbëve të Bosnjës kanë kryer gjenocid në Srebrenicë, duke filluar nga 11 korriku 1995. Është gjenocidi i parë në Europë pas plojës naziste në Luftën e Dytë Botërore. Ndërsa shqiptarët e Kosovës i shpëtoi nga gjenocidi serb bota perëndimore. Forcat serbe në Bosnjë (të përkrahura nga Beogradi) kanë mbajtur nën rrethim më shumë se tri vjet Sarajevën – dhe me atë rast kanë vrarë mbi 10 mijë civilë e mbrojtës të qytetit, mes tyre rreth 1600 fëmijë. Forcat e serbëve të Kroacisë kanë shkatërruar qytetin barok të Vukovarit dhe po aty, pas pushtimit, kanë ekzekutuar mbi 200 pacientë të spitalit dhe banorë të tjerë, mes tyre edhe shqiptarë, emrat e tyre gjenden në muzeun përkujtimor në periferi të Vukovarit. Ushtria serbo-malazeze dhe paramilitarë serbë nga Bosnja e Serbia kanë dëmtuar rëndë qytetin e Dubrovnikut, pjesa e vjetër e të cilit është e mbrojtur nga UNESCO. Njëri nga politikanët lokalë serbë atëbotë ishte pyetur nëse e dinte se Dubrovniku është qytet i vjetër dhe i mbrojtur. Ai ishte përgjigjur se pasi ta futnin nën kontroll këtë qytet, forcat serbe do ta ndërtonin në Dubrovnik edhe më të vjetër.

Forcat serbe kanë transportuar rreth 1000 kufoma të civilëve shqiptarë nga Kosova në afërsi të Beogradit. Kufomat janë hedhur në varreza masive në Batajnicë, brenda poligonit për trajnim të policisë speciale serbe. Aty sivjet i janë vendosur themelet një kishe ortodokse, ndërsa patriarku Irinej i ka përgëzuar pjesëtarët e njësisë speciale të policisë serbe për idenë që të ndërtojnë një kishë. Në këtë bazë të policisë serbe nuk ka asnjë pllakë që kujton krimin e madh masiv kundër shqiptarëve të Kosovës. Nuk është e pamundshme ta kenë këtë informacion edhe publicistët e Tiranës, por atyre këto çikërrima nuk u interesojnë, sepse të përmendësh 1000 shqiptarë të transportuar me kamionë në Serbi për të fshehur gjurmët e krimeve – kjo mund ta prish pasqyrën ku e shohin veten dhe zgërdhihen pajtimtarët e rinj dhe pa mandat nga Tirana.

Problemi më i madh i shumicës së serbëve është ndjenja e superioritetit, e shoqëruar edhe me racizëm ndaj shqiptarëve, sidomos atyre të Kosovës. Në emisionet e popullarizuara të televizioneve serbe për shqiptarët flitet si fis tribal, si banorë të ndonjë planeti ekzotik. Pas vizitës në Kosovë njëri nga moderatorët më të popullarizuar serbë tha: «Ata (shqiptarët) kishin shtëpi të mëdha». Shqiptari, sipas kësaj mendësie, ende duhet të jetojë në kasolle primitive, në shtëpi me qerpiç dhe të mendojë se bora është sheqer. Në stadiumin e Kaliningradit të vetmen gjë që dinin për shqiptarët «fansat» serbë ishte të çirreshin në drejtim të Granit Xhakës me fjalët: «Qisha none». Sepse shqiptarët, siç ka shkruar babai i kombit serb, Dobrica Qosiq, janë «llum social» dhe – «ky llum social, politik dhe moral i Ballkanit tribal dhe barbar bën aleancë me Amerikën dhe Bashkimin Europian kundër popullit më demokratik, më civilizues dhe më të arsimuar të Ballkanit – kundër popullit serb». Nuk besoj të gjendet një intelektual shqiptar me ndikim të ketë përdorur këtë gjuhë ndaj serbëve. Gjithsesi edhe shqiptarët kanë ultranacionalistët e tyre, folkloristët e tyre, lahutarët e tyre politikë, por deri më tani ata, fatmirësisht, nuk kanë ndikim në shoqëri siç kishte Dobrica Qosiqi, i cili ka qenë edhe president i Jugosllavisë së përbërë nga Serbia dhe Mali i Zi. Edhe ky është një dallim mes serbëve dhe shqiptarëve.

Qosiq shkruan: «Gënjeshtra është pikëpamje e patriotizmit tonë dhe dëshmi e inteligjencës sonë të lindur. Gënjejmë me kreativitet, me imagjinatë, me novacion», «gënjeshtra është interes shtetëror serb», «në këtë vend secila gënjeshtër dikur bëhet e vërtetë», «serbët aq shpesh gjatë historisë i ka shpëtuar gënjeshtra». A mund të gjejmë një intelektual shqiptar me ndikim që mendon e shkruan kështu? Qe, pra, edhe një fakt se mes serbëve dhe shqiptarëve ka dallime, të mëdha madje.

Sipas një ankete mbi 80 për qind e serbëve thonë se nuk dinë asgjë për varrezat masive në Serbi, ku regjimi pati fshehur kufomat e shqiptarëve të Kosovës. Por, historiania Dubravka Stojanoviq ka një mendim tjetër për injorancën e serbëve: «Nuk është se nuk e dinë, por nuk duan të dinë». 70 për qind e të anketuarve nuk ka qenë në gjendje të tregojë se cili qytet i ish-Jugosllavisë ka qenë i rrethuar dhe bombarduar me vite (Sarajeva!). 40 për qind e të anketuarve në Serbi thonë se nuk kanë dëgjuar se në Srebrenicë ka ndodhur diçka e rëndësishme në vitin 1995, ndërsa pjesa tjetër ose mendojnë se aty janë vrarë serbët ose thonë se ka ndodhur një krim, por pa përmendur se krimin e kanë kryer forcat serbe. «Njerëzit nuk duan të dinë, sepse kështu e lirojnë veten nga përgjegjësia për krimet që janë kryer në emër të tyre. Ndërsa pushteti hedh poshtë këtë temë, sepse frikësohet se duhet të paguajë dëmshpërblim», deklaroi Stojanoviq për BBC.

Sidoqoftë, mes serbëve dhe shqiptarëve nuk paskësh asnjë dallim. Ah, sikur të mos ishte Kosova, kjo therë në këmbën e predikuesve të tolerancës (së rrejshme), predikuesve të fqinjësisë së mirë, predikuesve të bashkëpunimit rajonal, luftëtarëve kundër dallimeve etj. Sa mirë do të ishte që ndonjë nga kokat publicistike të sokakëve të Tiranës të shkonin në Beograd dhe të flisnin vetëm për cilësinë e rakisë së Skraparit.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *