Lajme, Lajmi kryesor

Polonia do një Evropë ndryshe

Kryeministri polak do një BE ndryshe. Para Parlamentit Europian ai tha se BE duhet të jetë një aleancë ekonomike dhe mbrojtëse e kombeve të pavarura pa rregulla të përbashkëta ligjore

Është rastësi që Tadeusz Morawieckit i ra këtë javë radha për të paraqitur vizionin e tij për Evropën në Parlamentin Evropian, vetëm dy ditë pasi Komisioni Evropian hapi procedurat për shkelje të marrëveshjeve kundër qeverisë së tij. Ndërsa gjykatësit po protestojnë në Poloni kundër daljes së detyruar në pension, kreu i qeverisë po mbron reformën gjyqësore: “Çdo vend ka të drejtë të krijojë sistemin e vet ligjor në lidhje me traditat e veta”. Ajo që ai prezanton në Strasburg është vizioni i një Europe illiberale pa kufizime demokratike, një aleancë shtetesh krejtësisht të pavarura, pa detyrime politike për bashkësinë.

BE-ja si një aleancë e lirshme shtetesh

“Evropa duhet të ribalancojë marrëdhëniet midis vendeve anëtare dhe institucioneve të BE,” thotë Morawiecki. Dhe ai përdor për këtë konceptin e lirisë së qytetarëve, të cilat, megjithatë, sipas kryeministrit polak duhet të ushtrohen vetëm nga shtete të pavarura kombëtare. Identitetet kombëtare duhet të respektohen dhe e ardhmja e BE-së nuk është e paracaktuar, “Nuk është e pashmangshme që shtet anëtare të kalojnë edhe më shumë pjesë të pushtetit të tyre në nivelin e BE-së”, tha Kryeministri polak. Integrimi i mëtejshëm nuk është kurrë qëllim në vetvete.

Nga ana tjetër, kryeministri polak dëshiron të vazhdojë absolutisht të marrë përfitimet nga BE-ja: duhet të luftohet pabarazia dhe për këtë arsye ka shumë luftë në negociatat buxhetore. Por fondet e kohezionit duhet të ruhen sepse ato mund të ndihmojnë për të kapërcyer ndarjet në BE. Morawiecki po lufton për pjesën e ardhshme të vendit të tij nga ndihmat e BE. Deri tani Polonia ka qenë përfituesja më e madhe neto, por tani kërcënohet nga shkurtimet e ardhshme buxhetore, sepse performanca ekonomike e Polonisë kohët e fundit është rritur, dhe BE-ja po mendon për shkurtime të mundshme për shkak të refuzimit polak për të marrë pjesë në një shpërndarje të gjerë të refugjatëve në BE.

“Ne nuk kemi nevojë për një Europë të re”

Manfred Weber, udhëheqësi i grupit parlamentar të Partive Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian, e sulmoi Morawieckin për qëndrimin e qeverisë së tij: “Ka kaq shumë pyetje: Pse është televizioni shtetëror një mjet propagande dhe jo më medie e lirë? Pse protestues paqësorë arrestohen ndërsa ekstremistë të djathtë të dhunshëm nuk dënohen? “, Tha Weber. “Nuk ka liri pa sundimin e ligjit,” theksoi ai. Dhe ai vë në dyshim nëse është e drejtë që Polonia të flasë për sovranitetin e shteteve dhe të krijojë një klimë anti-BE-së në vend.

Weber në fund tha: “Ne nuk kemi nevojë për një Evropë tjetër, tashmë ekziston një BE”. Por një Evropë e nacionalizmit dhe egoizmit nuk mund të funksionojë dhe të punojë për të mirën e qytetarëve. Presidenti i PPE kritikoi edhe ndjenjat anti-gjermane të qeverisë polake, që janë të vështira për t’u kuptuar. Problemi i këtij apeli pasionant për një Evropë demokratike është se ai do të qe më i besueshëm nëse kristiandemokratët do të kritikonin edhe hungarezin Viktor Orban. Por ai është pjesë e grupit të tyre partiake dhe për këtë arsye nuk kritikohet, edhe pse gjyqësori në Hungari është të paktën po aq problem i madh sa në Poloni dhe Hungaria është duke avancuar në rrugën drejt autokracisë.

Kritika të forta pati edhe nga socialdemokratët dhe liberalët, por qeveria e Varshavës do të vazhdojë të mbështesë ndarjen e Europës në shtete populiste që quhen demokratike me qëndrim themelor nacionalist. Qeveria polake shpreson tani se do të ketë mbështetje jo vetëm brenda grupit të Vishegradit, por edhe nga Italia dhe Austria.

DW

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *