Lajme, Lajmi kryesor

Phillips: Serbia, Rusia dhe Turqia, janë cënuesit më të mëdhenj të sovranitetit të Kosovës

Eksperti amerikan i Politikës së Jashtme, David Phillips, njëherit edhe drejtor i programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Universitetin Columbia të Nju Jorkut, gjatë prezantimit sot në Prishtinë të publikimit të Universitetit Columbia dhe Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave – KIPRED, “Kërcënimet dhe sfidat për sovranitetin e Kosovës”, ka përmendur tre kërcënuesit më të mëdhenj të sovranitetit të Kosovës

Ai në këtë mes përveç Serbisë dhe Rusisë, ka futur edhe Turqinë, e cila sipas tij është duke ndjekur një politikë neo-otomane në Kosovë dhe në tërë Ballkanin Perëndimor, shkruan gazetametro.net.

Kur ka folur për Serbinë, Phillips ka thënë se Serbia vazhdimisht punon që ta dëmtojë Kosovën, përmes formave të ndryshme diplomatike, por edhe veprimeve direkte në Kosovë për ta destabilizuar atë, siç kishim rastin e trenit me mbishkrime nacionaliste që kishte qëllim nxitjen e dhunës.

Ndërsa prapa Serbisë, sipas tij, fshihet Rusia e cila flet për solidarizimin e popujve sllavë, dhe edhe pse saj nuk i interesojnë Serbia e as serbët e Kosovës, ata i përdor për të dëmtuar projektet amerikane dhe heqjen e dominimit amerikan në rajon.

Phillips duke thënë se Amerika nuk ka aleat më të madh dhe besnik se sa shqiptarët, ka theksuar se Rusia është e motivuar nga një fakt i vetëm, e që është delegjitimimi i intervenimit të Perendimit, ekskluzivisht atij amerikan në Kosovë.

“Rusia është e obsesionuar në minimin e NATO’s dhe institucioneve ndërkombëtare të aleancës perëndimore. Për Moskën, Serbia dhe serbët e Kosovës, fare nuk kanë të bëjnë me ta, nuk i interesojnë ata, por thjeshtë një instrument për t’i arritur qëllimet e veta në raport me SHBA’në dhe aleancën e saj perëndimore”.

Ndërsa, si kërcënim të tretë të sovranitetit të shtetit të Kosovës, eksperti amerikan i Politikës së Jashtme, ka renditur Turqinë.

“Kërcënimi i tretë për sovranitetin e Kosovës, është Turqia e cila ndjekë një agjendë neo-otomane në Ballkanin Perëndimor. Në vitet e fundit Turqia në mënyrë sistematike është e përpjekur që ta kthejë Kosovën në një shtet vasal. Ajo eksporton islamizmin nën maskën e bashkëpunimit kulturor, me qëllimin e ndërrimit të natyrës së shoqërisë kosovare. Dhe tani me sa i kam njohur unë shqiptarët, ata janë nacionalistë, nuk janë islamistë”.

Ai ka thënë se agjenda turke do të dështonte sikur ajo të mos e ndihmonte këtë përmes fuqisë ekonomike.

“Unë nuk e shohë agjendën turke si të suksesshme këtu, por për shkak se Turqia ka mjete të tjera, ekonomike e imperialiste, ajo paraqet një kërcënim të vërtetë ndaj zhvillimit të identitetit të Kosovës si një shtet i pavarur dhe sovran”, ka thënë Phillips.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *