Lajme

Peterle: Reforma zgjedhore, hap shumë i rëndësishëm në rrugën drejt BE-së

Shefi i Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, Alojz Peterle në një konferencë prezantoi raportin përfundimtar të misionit të tij për procesin zgjedhor të 22 tetorit në Kosovë. Raporti përmban një vlerësim të të gjithë procesit zgjedhor dhe ofron 22 rekomandime për përmirësimin e proceseve të ardhshme zgjedhore në Kosovë, përfshirë këtu 7 rekomandime prioritare

Peterle tha se raporti final i EU EOM reflekton gjetjet e deklaratës preliminare të Misionit, që thotë se zgjedhjet ishin vërtetë konkurruese në pjesën më të madhe të komunave të Kosovës me shumicë shqiptare, por në shumë komunitete me shumicë serbe dhe me komunitete të tjera jo-shumicë fushata u shëmtua nga frikësimet.

“Dobësi të kahershme të procesit zgjedhor në Kosovë duhet të adresohen mjaftueshëm, për shembull çështjet lidhur me regjistrin e votuesve, trajnimin dhe profesionalizmin e këshillave të vendvotimeve, mangësitë në sistemin e votimit jashtë Kosovës, stimulimin e kufizuar për ndjekje penale të aktiviteteve penale që lidhen me zgjedhjet, mungesën e mekanizmave efektivë për kërkesat për financimin e fushatës dhe rregullimin e programeve të sponzoruara në TV”, tha ai.

Peterle më tej shtoi se nevojitet vullnet politik nga i gjithë spektri politik për të adresuar rekomandimet, duke përfshirë ato prioritare të cilat përmbajnë përmirësime në listën e votuesve, mbikëqyrje më të mirë mbi shpenzimet e fushatës, kujdes të shtuar mbi sistemin e votimit jashtë Kosovës, dhe rritje të pjesëmarrjes së grave në procesin zgjedhor.

“Zgjedhjet nuk përfshijnë vetëm ditën e zgjedhjeve, por tërë procesin zgjedhor brenda ciklit zgjedhor”, tha Peterle.

Ai tha se reforma zgjedhore është vetëm një hap në rrugën drejt BE-së, por hap shumë i rëndësishëm.

“BE-ja do të angazhohet në pjesën pasuese gjatë periudhës ndër-zgjedhore dhe është e gatshme të ofrojë ndihmë elektorale dhe mbështetje financiare me fokus në implementimin e rekomandimeve të Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve dhe rekomandimet tjera që do t’i avanconin reformat zgjedhore dhe demokratike në Kosovë”, tha ndër të tjera, shefi i Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian.

Ndryshe, më 20 shkurt EU EOM do të mbajë një tavolinë të rrumbullakët për të diskutuar këto rekomandime dhe sugjerime më detajisht.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *