Ekonomi

Përkeqësohet gjendja edhe më shumë në sektorin privat!

Qeveria e re, problemet e njëjta. Sektori privat edhe me tutje po vazhdon të mos ketë përmirësime. Pagat e vogla, mos respektimi i ligjit dhe mos përmirësimi i kushteve të punës vazhdojnë të mbesin problemet më të cilat po ballafaqohet punëtori i sektorit privat

Për përfaqësuesin e sindikatës së punëtorëve të sektorit privat, gjendja e punëtorëve në këtë sektor po vazhdon të jetë e njëjtë. Ndërsa, sipas njohëseve të ekonomisë, sektori privat përkundër kontributit të tij nga asnjë qeveri nuk është trajtuar siç duhet.

Nuk ka asnjë përmirësim

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat në Kosovë, Jusuf Azemi, në një bisedë për “Bota sot”, tha se ende nuk ka përmirësim të gjendjes së punëtorëve në sektorin privat. Sipas tij, edhe pse Këshilli Ekonomik Social e arriti një pajtueshmëri dhe i propozoi kryeministrit Ramush Haradinaj që paga minimale të jetë 250 euro, megjithatë, ai është skeptik se do të ndodh një gjë e tillë.

“Gjendja e punëtorëve në sektorin privat po vazhdon të jetë e njëjtë dhe nuk ka përmirësime. Këshilli Ekonomik Social e arriti një pajtueshmëri dhe i propozoi kryeministrit Ramush Haradinaj që paga minimale të jetë 250 euro, megjithatë nuk e dimë si do të përfundojë edhe pse realisht para se të vije kryeministri në një memorandum marrëveshje që ka me BSPK-në paga minimale është pagë që është biseduar më herët dhe ajo është pagë 250 euro e që është e kapshme, mirëpo, për këtë nuk e dimë se a do të aprovohet apo nuk do të aprovohet”, tha ai.

Azemi shtoi nuk ka asnjë lëvizje pozitive në këtë drejtim, dhe gjendja po shkon e po përkeqësohet vazhdimisht. Ai gjithashtu përmend një rast eklatantë ku edhe Qeveria e Kosovës është shkelëse e të drejtave të punëtorëve.

“Për pjesën tjetër absolutisht nuk kemi asnjë lëvizje, dhe gjendja po shkon e po përkeqësohet, bile-bile ka kompani që janë duke marrë punë nga kompanitë shtetërore dhe Qeveria e Kosovës si dhe Komuna e Prishtinës po ua vonojnë pagat kompanive dhe në mënyrë të drejtpërdrejt pasojat po i bartë punëtori. Nuk ka asnjë përkujdesje, nuk ka asnjë përmirësim. As nuk kemi përmirësime në respektimin e ligjit, nuk ka përmirësime në marrëveshjet kolektive, nuk kemi përmirësime për shëndetin në punë, nuk kemi përmirësime në rroga dhe në asnjë qasje tjetër, vetëm përkundrazi”, deklaroi Azemi.

Ai është shprehur se sfidë e Qeverisë Haradinaj mbetët që të funksionalizojë atë se çka është shkruar në letër.

“Qeveria Haradinaj ka hyrë në muajin e katërt dhe sfidat e presin janë jashtëzakonisht shumë, mirëpo janë sfida që kanë qenë shumë lehtë për t’i përballuar sepse ligjin e punës e ka, marrëveshjen kolektive e ka, i vetmi element që është dashur të bëjë është për t’i funksionalizuar, sepse këto nuk janë duke u funksionalizuar. Në kotë jemi duke kërkuar rritje të pagave kur këto nuk zbatohen. Në Qeverinë Haradinaj punëtori sot paguhet jashtëligjshëm, sepse paguhet me pagë 130 euro nga kompani që bëjnë sigurimin e Qeverisë, duke u nise në ndërtesën ku punon kryeministri Haradinaj po kemi shkelje të të drejtave të punëtorëve, e mos të flasim për ato punë që bëhen në periferi. Sfidë është se nuk është duke funksionuar asgjë çka është në letër”, përfundoi Juzuf Azemi për “Bota sot”.

“Sektori që u anashkalua nga të gjitha qeveritë”

Eksperti i çështjeve ekonomike Nexhat Kryeziu, në një prononcim për “Bota sot”, theksoi se sektori privat përkundër kontributit të tij nga asnjë qeveri nuk është trajtuar siç duhet.

Ai tha se fokusi i qeverive të kaluara në blerjen e “paqes sociale” përmes asistencës sociale të kategorive të shumta në njërën anë dhe fokusi tek korporatat e mëdha, ka anashkaluar interesin te bizneset e vogla.

“Sektori privat përkundër kontributit të tij në zhvillim ekonomik dhe në pagesa të tatimeve dhe taksave në buxhetin e Kosovës, jo vetëm nga Qeveria Haradinaj, mirëpo nga asnjë qeveri e mëparshme nuk është trajtuar siç duhet. Fokusi i qeverive të kaluara në blerjen e “paqes sociale” përmes asistencës sociale të kategorive të shumta në njërën anë dhe fokusi tek korporatat e mëdha, ka anashkaluar interesin te bizneset e vogla dhe të mesme të cilat krijojnë numrin më të madh të punëtorëve në vend si dhe kanë barrën kryesore në pagesën e ngarkesave tatimore e rrjedhimisht në mbushjen e arkës shtetërore”, ka deklaruar Kryeziu.

Eksperti i ekonomisë tregon edhe për kontratat e punës, të cilat janë me kohë të caktuar dhe nuk kanë ndonjë mbrojtje ligjore.

“Për më shumë, nëse krejt këtë e shohim se kush paguan koston e kësaj, atëherë janë punëtorët e sektorit privat që vazhdojnë të mbajnë barrën ku, kontratat e punës janë me kohë të caktuar dhe nuk kanë ndonjë mbrojtje ligjore nëse punëdhënësi shkëput kontratën në mënyrë të njëanshëm, nuk ka ndonjë fond të krijuar ku shteti paguan punëtorët në rast të humbjes së vendit të punës, shteti kryesisht nuk subvencionon krijimin e vendeve të reja të punës direkt në llogarinë e punëtorit, qeveria nuk monitoron mjaftueshëm punishtet dhe kushtet e punës përmes organeve të veta (inspektoratit), shumë punëtorë të sektorit privat vazhdojnë të punojnë më shumë se 40 orë punë në javë”, tha ai.

Sipas Kryeziut, në sektorin privat nevojitet fokus më i madh dhe koordinim i politikave qeveritare me biznesin dhe sindikatat që të ketë një dakordim më efektivë.

“Nevojitet fokus më i madh dhe koordinim i politikave qeveritare me biznesin dhe sindikatat që të ketë një dakordim në hapa të cilat secila palë të përfitoj: shteti të ketë punësim më të madh, ndërmarrjet apo bizneset të kenë fuqi punëtore kualitative dhe të mjaftueshme, dhe punëtorë që nuk iu shkelen të drejtat dhe me kushte të përshtatshme pune. Fokusi i deritashëm qeverive në sektorin publik përfshirë edhe ndërmarrjet publike gjithnjë e më shumë ka zbehë interesin e sektorit privat, ku politikat e tilla kanë sjellë degradim dhe prishje të balancit ekonomik dhe që mund të ketë pasoja të konsiderueshme në të ardhmen”, ka përfunduar Nexhat Kryeziu për “Bota sot”.

“Qeveria e fokusuara në krijimin e lehtësirave për importimin e lëndëve të para”

Në anën tjetër, Naim Gashi, ekspert për çështje ekonomike, në një prononcim për “Bota sot” thotë se ende është herët për të dhënë një vlerësim për Qeverinë e re lidhur me gjendjen e sektorit privat.

Ai u shpreh se Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj është e fokusuar më shumë në krijimin e lehtësirave për importimin e lëndëve të para.

“Është kohë e shkurtër për të dhënë një vlerësim për Qeverinë Haradinaj lidhur me përkrahjen e sektorit privat. Ndryshimet fiskale të aplikuara nga Qeveria janë të fokusuara në krijimin e lehtësirave për importimin e lëndëve të para dhe reporomaterialeve të përdorura në prodhimtari”, tha Gashi.

Njohësi i ekonomisë, krejt në fund, thotë se duhet të presim për të kuptuar se cilat do të jenë efektet e saja në këtë sektor.

“Duhet të presim efektet e saj, cilat do të jenë në të ardhëm”, ka përfunduar njohësi i ekonomisë, Naim Gashi, për “Bota sot”.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *