Kulturë

Perikli Qiriazi: Shqipëria, një muze i madh i trashëgimisë

Nga Dritan Xhemalaj

Në një kohë kur librat e mirëfilltë studimor i hasim rrallë e më rrallë nëpër librari, studiuesi Perikli Qiriazi na dhuron një vepër me vlera të veçanta mbi trashëgiminë natyrore. “Trashëgimia natyrore e Shqipërisë” (Vlerat, rreziqet dhe menaxhimi) quhet libri i prof. dr. Perikli Qiriazi, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Trashëgimia përfshin në vetvete vlera natyrore e kulturore që përcillen brez pas brezi.

Sipas studiuesit Qiriazi kur pjesë e saj janë vlera të mjedisit natyror, kemi të bëjmë me trashëgimi natyrore, ndërsa kur bëhet fjalë për vlera materiale e shpirtërore të shoqërisë, kemi trashëgimi kulturore. Ndërsa kur trashëgimia natyrore është vlerë e rrallë në shkallë ndërkombëtare, cilësohet “trashëgimi botërore”. “Si e tillë së bashku me trashëgiminë e veçantë kulturore të popujve, radhitet në Listën e Trashëgimisë Botërore, që mbrohet nga Konventa e Trashëgimisë Botërore.

Midis 1073 siteve (korrik 2017) të kësaj liste me dinjitet të plotë dhe vlera unike, qëndrojnë sitet nga vendi ynë dhe nga hapësira gjeografike shqiptare jashtë kufijve tanë politikë:Rajca dhe gashi me pyje primarë dhe të vjetra ahu të Karpateve dhe rajoneve të tjera të Europës; Butrinti; Gjirokastra; Berati;rajoni i liqenit të Ohrit dhe kompleksi i manastireve dhe i kishave mesjetare në Kosovë. Krahas tyre janë shpallur:

Rezerva Ndërkufitare e Biosferës Prespë–Ohër, e para rezervë biosfere ndërkufitare Shqipëri-Maqedoni që iu bashkua rrjetit Botëror të Rezervave të Biosferës dhe katër ligatina të kategorisë ndërkombëtare Ramsar:Laguna Karavasta-Pisha e Divjakës, Liqeni i Shkodrës-lumi Buna; kanali i Cukës –Butrint-Kepi i Stilit dhe kompleksi natyror i liqeneve të Prespave, me sipërfaqje të përgjithshme 98180 ha, baras me 3,4 të territorit të vendit tonë (2013)”, shkruan studiuesi Qiriazi në parathënien e këtij botimi. Sipas tij, në regjistrin e UNESCO_s “Kujtesa e Botës” janë regjistruar si vlera të kulturës sonë dokumentare kodikët e Beratit dhe Isopolifonia shqiptare.

Edhe për Eposin e Kreshnikëve është përfunduar studimi dhe propozimi për statusin “Kujtesa e Botës”. Çdo vend i kulturuar e cilëson dhe e trajton si të shenjtë trashëgiminë natyrore dhe kulturore, ndaj ky studim i prof. Qiriazit është i një rëndësie jo vetëm në informacionin e hollësishëm që jep mbi këtë pasuri, por dhe hulumtimin e kujdesshëm që i bën kësaj trashëgimie.

Ai e sheh Shqipërinë si një muze të madh natyror me resurse të jashtëzakonshme, çka e bëjnë atë një vend të rëndësishëm krahas vendeve të tjera që e posedojnë këtë lloj trashëgimie. Ruajtja e kësaj trashëgimie është një detyrë kombëtare. Libri i prof. Qiriazit e ngre shkencën shqiptare në të njëjtin nivel bashkëkohor me libra të këtij karakteri që botohen sot në botë, duke na treguar profilin e një shkencëtari par exelence.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *