Opinion

Për Visar Ymerin, me shkas

Nga Besnik Bislimi

Nga takimi im i fundit me Visar Ymerin në përpjekje për ta bindur që të mos dorëhiqet nga Lëvizja, më ka mbetur në kujtesë një fjali e tij. Më tregoi se sa rëndë e kishte marrë Albini kur Visari e kishte informuar se ka vendosur të dorëhiqet, nëse Albini nuk e tërheq kandidaturën e tij për kryetar të Lëvizjes. Dhe Visari e kishte besuar këtë. Njësoj siç më besoi edhe mua kur i thashë që largimi i tij do mbetet enigmë për mua dhe që Visari ishte i vetmi person nga lista e 110 kandidatëve në listën e VV për zgjedhjet nacionale të 11 qershorit, për të cilin kisha lutur familjen time që ta votonin. i kisha lutur meqë e konsideroja shumë me rëndësi që të dilte kandidati i dytë më i votuar, sidomos pas konstatimit tim nga pozicioni I shefit të shtabit zgjedhor, që tre persona nga dhjetëshja e parë po lobonin fuqishëm dhe pandershëm që të dilnin më mirë se ai.

Miku im Visar, u ndjeva shumë keq mbrëmë duke përcjellë intervistën tënde tek Zona B, emision që duket është avancuar në promotorin kryesor të partisë suaj të re. U ndjeva shumë keq kur konstatova lehtësinë me të cilën lejove të përdoresh mbrëmë nga moderatori. Dhe mu kujtua menjëherë një bashkëpartiak i yti për të cilin i njëjti person në maj të vitit të kaluar në vazhdimësi pohonte: “Për X-in jam në gjendje të bëjë gjithçka”. Lutjes sime që ky bashkëpartiaku yt, atëherë anëtarë me shumë peshë në Lëvizje, të distancohet nga këto deklarata që haptazi synonin të demolonin politikisht, ai iu përgjigj me nivelin maksimal ta naivitetit: E di, tha, që po përpiqet të më dëmtojë, por për sa kohë unë po e shfrytëzoj dhe përdori atë, le të vazhdon të besojë që po më dëmton. Shpresoj shumë që të paktën ti të mos e përdorësh të njëjtin pseudoargument për këtë paraqitje mbrëmë tek Zona B. Miku im Visar, dua të prekë vetëm tri elemente nga intervista jote e të cilat besoj që do të më mbeten në kujtesë për degradimin komplet të cilit vullnetarisht iu nënshtrove mbrëmë:

1. U përmend, si edhe në secilin prononcim të eksponentëve të PSD-së qështja e sondazhit (madje e përcjellë me komente idioteske të moderatorit për gjoja mungesën e njerëzve në VV që tani dinë të merren me sondazhe), të cilit i është referuar Albini në intervistën e tij televizive. Sa për informim, unë jam personi që bashkë me një anëtarë tjetër te kryesisë kemi porositur këtë sondazh, dhe për më tepër e kemi porositur te i njëjti institucion ku kemi porositur shumicën e sondazheve të mëhershme, sa keni qenë ju në krye të Lëvizjes. Më poshtë do e publikoj gjithë pyetjen dhe rezultatin e anketës (besoj fuqishëm që asnjëri nga ju nuk vë në pikëpyetje kredibilitetin e kompanisë. Do të vëreni që në këtë pyetje qëllimisht është vendosur Shpend Ahmeti si boshti rreth të cilit do të ndërtohet subjekti i ri politik, edhe pse në atë kohë Shpendi kishte deklaruar “me sinqeritetin maksimal” që e përcjell çdo deklarim të tij publik, se ai nuk do i bashkëngjitet subjektit të ri por do mbetet neutral. Në atë moment (unë dhe anëtari tjetër i kryesisë) kemi qenë të bindur që Shpendi është dirigjenti i gjithë idesë për dëmtimin e Lëvizjes dhe personi i cili për gjatë periudhës kur po “ndërmjetësonte” mes palëve, në fakt po takonte deputetët në zyrën e tij në komunë duke i bindur (joshur apo …) që të largohen nga Lëvizja dhe të kalojnë në subjektin e ri. Kemi qenë të bindur që Shpendi do jetë kryetari i subjektit të ri edhe pse kanë qarkulluar dy argumente shumë të fuqishme kundër kësaj hipoteze. Argumenti i parë që përmendej ishte që subjekti i ri do të të kandidojë pikërisht ty, miku im Visar, për kryetarë, mes tjerash edhe për arsye që s’ka logjikë nëse ata t’i atribuojnë ty meritat kryesore për dyfishimin e votave të Lëvizjes dhe njëkohësisht të të mos ta besojnë të njëjtën në subjektin e ri dukshëm më të vogël. Argumenti i dytë ishte zhgënjimi evident i Shpendit me Dardanin, i cili i kishte premtuar se do e sillte bazën, por krejt çka kishte sjellë ishte një ekip i zyrtarëve të paguar që tani kishin nevojë për sistemim. Ishim të bindur se të larguarit nuk do e lejojnë Shpendin të tërhiqet aq lehtë pasi i kishte motivuar të tjerët që të tërhiqen. Në fund të këtij shkrimi e gjeni pyetjen nga sondazhi në fillim të prillit

2. U përmend disa herë dhe po përhapet me shumë zell nga subjekti i PSD-së ideja që VV paska krijuar koalicion me PDK në Prishtinë. Kjo nuk i ka hije assesi dikujt të nivelit tënd, sidomos kur je i familjarizuar me detajet. Lëvizja Vetëvendosje është zvogëluar artificialisht dhe me padrejtësi nga fituesja e zgjedhjeve në komunën e Prishtinës në 7 asamblistë. Kjo nuk nënkupton që ajo nuk do vazhdojë përpjekjet e saj për të kontrolluar dhe garantuar implementimin e programit të Lëvizjes, program ky me të cilin janë fituar zgjedhjet. Sidomos tani që vërehet se asnjë partner tjetër bashkëqeverisës nuk e ka as interesimin më të vogël për ta implementuar atë (përfshirë këtu edhe vetë kryetarin e komunës i cili haptazi po dëshmon që është lodhur nga politikat lokale). Rrjedhimisht, asamblistët tanë e kanë obligim që të evidentojnë dhe shpërfaqin çfarëdo lloj devijimi nga i njëjti. Është logjike që sa herë një subjekt politik nxjerrë një propozim në asamble edhe është i interesuar që propozimi i tij të mbështetet sa më shumë dhe mundësisht të aprovohet. Kjo edhe ka qenë logjika e VV në mandatin e parë qeverisës në Prishtinë, ku kryetari Ahmeti ka vendosur të mos bëjë koalicion me asnjë subjekt politik, por gjithnjë ka kërkuar nga asamblistët e subjekteve tjera që të mbështesin propozimet e tij. Nuk e mbaj mend që Shpendi apo ndonjëri nga ne tjerët të kemi akuzuar Shpendin që ka krijuar koalicione sa herë janë votuar propozimet e tij. Madje as atëherë kur ai me marrëveshje të fshehtë me Lirakun e PDK, ka arritur të pastrojë bordet e ndërmarrjeve publike nga militantët e LDK. Krejtësisht ngjashëm edhe asamblistët e VV kanë nxjerrë një propozim për largimin e një militanti nga këshilli i aksionarëve, për të cilin kanë besuar që po dëmton ndërmarrjen dhe po punon kundër interesave edhe të vetë kryetarit Ahmeti. Krejt logjikshëm, VV është dashur t’i gëzohet secilës votë që e mbështetë propozimin e saj, e besoj që më së shumti do i ishte gëzuar vetë votës së ish asamblistëve të VV, të cilët duke votuar për shkarkim do të dokumentonin që nuk e kanë braktisur komplet programin qeverisës të VV-së. Por ja që nuk ndodhi. Ne shpresojmë që edhe në të ardhmen, Brenda asamblesë së Prishtinës do ketë mjaft asamblistë që do votojnë në favor të propozimeve të grupit tonë aty, meqë këtë e shohim si garanci për pamundësimin e çfarëdo devijimi në implementimin e programit qeverisës.

3. Në vazhdimësi po akuzohen aktivistët e VV-së sepse po merren shumë me PSD-në, apo me eksponentë Brenda strukturave udhëheqëse të saj. Kjo mbase edhe mund të duket ashtu, por ka një dallim thelbësorë këtu. Sa herë aktivistët e VV-së merren me dikë nga PSD, ata merren me individin, meqë ata nuk i lidh ama bash asgjë me subjektin PSD. Por mllefi i tyre është me individët të cilët nga këndvështrimi i tyre kanë tradhtuar votën e tyre në momentin kyç për Kosovën duke i mundësuar pushtetit shkatërrimin e vazhdueshëm të ardhmërisë së Kosovës. Por sa herë që eksponentët e tërhequr reagojnë, ata derdhin vrer në Lëvizjen, në shtëpinë ku kanë bashkëjetuar me vite. Mllefi i tyre nuk është me individë, por ata synojnë që ta dëmtojnë vetë Lëvizjen. Kuptoje të lutem dallimin mes mllefit të një aktivisti ndaj për shembull Zgjim Hysenit, dhe mllefin e Zgjimit ndaj Lëvizjes.

Krejt në fund miku im Visar, për dallim prej shumë aktivistëve të VV-së të cilit do të donin ta shihnin PSD jashtë parlamentit në legjislaturën e ardhshme, unë fuqishëm ju uroj sukses dhe do gëzohem shumë nëse grumbulloni sa më shumë vota. Pse e mendoj këtë? Mënyra e largimit tuaj nga VV, vendimet e juaja që nga momenti i largimit dhe tentativat për ta dëmtuar Lëvizjen qoftë në imazh, qoftë përmes joshjes së anëtarësisë sonë me idenë që ta lëshojnë lëvizjen, u ka vënë një hipotekë shumë të rëndë. Hipotekë që do ju rëndojë edhe bukur gjatë dhe e cila do e bëjë terrenin e aktivistëve të VV të pa qasshëm për PSD. Rrjedhimisht për subjektin tuaj mbetet vetëm një vetëshërbim e ky është anëtarësia e LDK-së. Trashja e PSD-së është e barabartë me tkurrjen e LDK, andaj shumë suksese.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *