Ekonomi, Lajmi kryesor

Për pesë muaj vdesin gjashtë punëtorë në vendin e punës

Niveli i ulët i sigurisë në punë, por edhe pakujdesia janë identifikuar si faktorët që kanë ndikuar nga viti në vit të rriten numri i të vdekurave në vendin e punës. Sipas statistikave nga 1 janari 2018 e deri më sot kanë humbur jetën 6 punëtorë në vendet e tyre të punës

Vdekjet dhe lëndimet e punëtorëve në vendet e punës kryesisht kanë ndodhur në sektorin e ndërtimit, por nuk përjashtohen edhe sektorët e tjerë. Të enjten në Fushë Kosovë u regjistrua viktima e fundit, i cili ra nga një objekt ku po kryheshin punime.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë për Telegrafin se gjendja e punëtorëve është shumë e rëndë. “Gjendja e punëtorëve është shumë e rëndë, të cilët askush nuk po merret me ata. Fatkeqësisht patëm një rast të vdekjes, sot merremi pak a shumë dhe decidivisht nuk kemi asnjë aktivitet të arsyeshëm lidhur me ligjin dhe sigurinë e punëtorëve”, tha për Telegrafin, Azemi.

Ai ka thënë se pak është duke u bërë për të rritur sigurinë e punëtorëve në punë. “Ne si shoqëri, si sindikatë, si mekanizma të shoqërisë nuk jemi duke e bërë as punën më të vogël të cilët punëtorët tonë e meritojnë të bëhet më shumë për ta. Është e habitshme edhe na ana e punëtorëve, që veta ata duhet të janë të vetëdijshëm dhe të shikojnë se në çfarë vende të punës janë duke punuar”, tha Azemi.

Ndryshe, kryeinspektori i Inspektoratit të Punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Basri Ibrahimi, kishte thënë për Telegrafin se në tremujorin e parë të vitit 2018 krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit paraprak është rritur numri inspektimeve dhe gjobave.

“Gjatë vitit 2018 në kemi pasur gjithsej 2950 inspektime, prej të cilave kemi shqiptuar 56 gjoba, që nëse e krahasojmë me vitin 2017 kemi 600 inspektime dhe 26 gjoba më shumë”, tha për Telegrafin, Ibrahimi.

Ai tha se në tremujorin e parë të vitit 2018 kemi 5 vdekje në vendin e punës. “Në tremujorin e parë të vitit 2018 kemi 5 vdekje në vendin e punës, dy kanë ndodhur në sektorin e ndërtimtarisë dhe për herë të parë deri më tani janë tri vdekje që janë shkaktuar nga rryma. Ndërsa, gjatë vitit 2017, fatkeqësisht i kemi 19 vdekje në vendin e punës, prej të cilave 14 kanë qenë me fatalitet, 5 janë konstatuar si vdekje natyrore në vendin e punës”, tha ai.

Ibrahimi ka paralajmëruar se do të ketë ashpërsim të masave nga ana e Inspektoratit të Punës. “Do të ketë gjoba më shumë dhe do të ketë gjoba më të ashpra se sa vitin e kaluar. Kjo është për shkak se kemi provuar të gjitha metodat tjera për ngritjen e vetëdijes tek punëdhënësi, por ne po e shohim se nuk po e jep rezultatin e mjaftueshëm që ne e presim nga punëdhënësi, prandaj fatkeqësisht ne duhet të t’i ashpërsojmë masat. Ne nuk dëshirojmë që të gjobisim askënd, por më që vetëdija po shkon shumë ngadalë dhe numri i viktimave në vendin e punës nuk po ulët, atëherë ne jemi të detyruar t’i ashpërsojmë masat, sepse ne besojmë se do të jetë një masë për parandalimin e aksidenteve të tjera në vendin e punës”, tha ai.

Milaim Morina, nga Qendra për Politika dhe Avokim, tha për Telegrafin se në zbatimin i Ligjit të Punës dhe Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë ka shumë shkelje. “Lidhur me zbatimin e Ligjit të Punës dhe Ligjit për Siguri dhe Shëndet në Punë, mund të konstatohen shumë shkelje. Nëse i referohemi sigurisë në punë, viti i kaluar ka qenë ndër vitet në të cilën janë shënuar më së shumti raste të lëndimeve dhe vdekjeve në punë. Gjatë tri viteve të fundit janë hartuar mbi 10 rregullore, qëllimi i të cilave ka qenë përmirësimi i gjendjes së sigurisë në punë, mirëpo deri me tash nuk është vërejtur ndonjë rezultat pozitiv. Kjo për faktin se punëdhënësit nuk kanë krijuar kushte të përshtatshme të cilat janë te domosdoshme për sigurinë e punëtorëve”, tha Morina.

Mos efikasiteti i Inspektoratit të Punës, sipas tij, po ndikon në mos zbatimin e duhur të ligjeve që lidhen me vendet e punës. “Përveç mungesës së pajisjeve personale të punës dhe sigurisë së mjedisit në punë, punëdhënësit nuk kanë aftësuar të punësuarit e tyre për punët të cilat paraqesin rrezik për jetën e tyre. Inspektorati i punës nuk është treguar efikas në kryerjen e punës së tij, pasi që me 48 inspektorë nuk kanë mundur asnjëherë të inspektojnë me shumë se 8 mijë punëdhënës nga 75 mijë sa janë aktiv”, tha Morina.

Sipas Anketës së Fuqisë Punëtore për vitin 2018, të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, sektori i ndërtimtarisë ka 12.9 për qind të të punësuarve. “Tregtia, prodhimi, ndërtimtaria dhe arsimi punësonin më shumë se gjysmën e personave të punësuar në vitin 2017. Tregtia punësonte 14.7 për qind, duke vazhduar me prodhimin 13.2 për qind, ndërtimtarinë 12.9 për qind dhe arsimi 9.5 për qind të personave të punësuar në Kosovë”, thuhet në raportin e ASK-së, shkruan Telegrafi.

Përveç shkallës së ulët të punësimit në Kosovë, 23.1 për qind e personave të punësuar punojnë në vende pune të paqëndrueshme.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *