Lajme, Lajmi kryesor

Për një shpjegim të ri, origjinal të përkrenares së Skënderbeut

Simbolika e përkrenares së Skënderbeut është një enigmë çudigrishëse, një kurth semantik i jashtëzakonshëm, një fjalëkryq hamendësor për tërë semiologët, një lloj komete në qiejt emocionalë, drithërues, kërcitës, flladitës të Kuriozitetit të Madh

Nga Moikom Zeqo

Përkrenarja me kokë dhie, ose cjapi (kush dreqin e përcakton gjininë!?), tashmë është bërë një metaforë shënjuese e një identifikimi të patjetërsueshëm, aq sa, kur nënkuptojmë Heroin, vetvetiu me dëshirë, apo pa dëshirë, me inteligjencë apo me shpërfillje, duam, apo nuk duam përfytyrojmë përkrenaren madhështore dhe të tmerrshme, epike, mitologjike, biblike, surrealiste, futuriste, poetike, fatale dhe ngadhënjimtare me dy brirët e mprehtë sipërorë, qiellorë, kundërshtorë, të pabindshëm, triumfues.

Këta brirë na përgjakin imagjinatat, na plagosin arsyen, na lumturojnë dhe na sfilitin në dilema ciklike.

Ç’përfaqëson kjo përkrenare?

***
Në portretet e hershme të Gjergj Kastriotit, përgjithësisht ai paraqitet pa përkrenare, por me një kapele tipologjike europiane njëlloj si Erazmi i Roterdamit, ose si Martin Luteri, si një napolitan, apo venedikas, si një spanjoll, apo një anzhuin.

Paraqitet gjithmonë me kapele si për të treguar karakterin e tij laik dhe qytetar, civil dhe aspak ushtarak. Kështu është grafikuar portreti i tij në kryeveprën barletiane dhe s’ka se si të ndodhte ndryshe.

Ne nuk trashëgojmë realisht një shëmbëlltyrë konkrete, autentike, qoftë dhe të çuditshme, apo dhe origjinale të Skënderbeut kur ai hipte mbi kalin e parzmuar, i armatosur me armët këlthitëse dhe hakmarrëse, duke përshëndetur Vdekjen, në fqinjëri të padyshimtë dhe fatale me Lirinë.

Përgjithësisht kur Skënderbeu kapërcente Adriatikun ai paraqitej me një gardërobë civile, madje dhe “varfanjake”, më i thjeshtë nga ç’ishte, pra fuqimisht më i ndërlikuar dhe më i veçantë.

Në brigjet e Italisë përtej adriatikase, Skënderbeu qe një europian që kishte kapërcyer Rubikonin, që ndante Perandorinë Osmane nga Europa e mozaikuar pafundësisht, por gjithëpërfshirëse në idenë e rrezikimit gati të pashmangshëm.

Vetëm më vonë ikonografia e Skënderbeut fton një motiv: përkrenaren dybrirore. Por asnjëherë nuk paraqitet në shumësinë grafikore europiane me përkrenaren mbi kokë. Përkrenarja është diku nën këmbët e tij, Skënderbeu tregohet me shpatën në dorën e djathtë, ose në gjoks, por jo me përkrenaren.

Shpikja e ikonografisë së re të Skënderbeut me përkrenaren në kokë është një shpikje e shqiptarëve, kryesisht piktorë minorë të epokës së Rilindjes Kombëtare të Shqipërisë, të romantizmit inkandeshent De Rada – Naimian.

Kjo risi u bë më pas e padyshimtë, gati absolute.

Tashmë është e vështirë të nënkuptojmë një imazh të Heroit pa atributin magjik, zbukurimor, fantazmor, identifikues, magjipërhapës të përkrenares. Por përkrenarja ekziston dhe nuk është megjithatë një shpikje, ajo është tashmë muzeore, por me një status të pashtershëm ngacmimi të mprehtë, gati të papërballueshëm.

Për këtë përkrenare është folur shumë, por asnjëherë saktësisht. Është një subjekt, që duket se e ka tejkaluar historinë, është një objekt metalik i shkëlqyer, që vetëm mund të subjektivizohet pambarimisht.

Askush nuk ka fuqi ta zhbëjë më, ta tresë dhe ta humbasë këtë mrekulli. Përkrenarja është riprodhuar, si në një klonim marramendës. Kuptohet që në Vjenë kjo përkrenare është vetë Heroi. Kjo përkrenare është porta e tij për në amëshim, ashtu siç është dhe paradoksi i tij i pashpjeguar asnjëherë.
Shkencërisht dihet, se përkrenarja në gjendjen e sotme është riparuar, apo restauruar. Mbi të janë shtuar elementët dekorativë me rozeta si dhe mbishkrimi me iniciale, më vonë, shumë mbas vdekjes së heroit.

Kush e ndërmori këtë nismë të restaurimit, pse u shtuan rozetat, apo inicialet mbishkrimore?

Askush nuk mund të thotë një përgjigje të saktë. Përkrenarja përmban një kurorë me gjashtë rozeta gjashtëpetalëshe. Pse pikërisht me gjashtë rozeta (dikush i ka quajtur edhe trëndafil)? Inicialet janë: IN. PE. RA. TO. RE. BT.

Ato zbërthehen në latinisht:

I (HESUS) N (AZARENUS) JEZUSI NAZARETAS

P (RINCIPI) E (MATHIAE) PRINCIN E MATIT

R (EGI) A (LBANIAE) MBRETIN E SHQIPËRISË

T (ERRORI) O (SMANORUM) TMERRIN E OSMANËVE

BT (BENEDICTUM TE) BEKON TY

Për fat të keq ky mbishkrim nuk analizuar, nuk është bërë një hulumtim tekstor i mirëfilltë. Ai, që e ka inicuar mbishkrimin dëshmon një vetëdije të qartë. Mbishkrimi latin është me stilin gjysmëgotik, përdor praktikën e inicialeve, kaq e përhapur dhe simbolike të kohës. Mbishkrimi ka një formulë tipologjike të krishterë, ku kryepersonazhi është Jezu Krishti, ose më saktë kryemotivi.

Duket si një formulë rituale e pakundërshtueshme dhe përjetësuese. Është pikërisht Krishti, që e bekon Skënderbeun, pikërisht mbi përkrenaren, shkrim i tërëshenjtë për të gjitha kohërat. Pra njeriu që e ka bërë këtë mbishkrim është tërësisht një europian vizionar i krishterë, që i shpërfill dyzimet dhe e shpall Urbi et Orbi Skënderbeun si një Kryekalorës të Jezu Krishtit.

Mbishkrimi e quan Skënderbeun si” Princin e Matit”, ç’ka nënkupton gati si në një biografi të rreptë, origjinën e tij nga krahina e Matit, apo fillesën e Principatës Kastriotase origjinale.

Titulli « Mbret i Shqipërisë » është në titull, që Skënderbeu nuk e mori asnjëherë zyrtarisht. Dihet, që në aktet zyrtare Skënderbeu ka firmosur si” Dominus Albaniae,” “Zot i Shqipërisë.” Në Kongresin e Mantovës në 1459 Papa Piu II (Pikolomini) pati mirësinë, apo krenarinë befasuese por dhe mbushamendëse të kurorëzimit, sipas kanunit papal të Gjergj Kastriot Skënderbeut me statusin dallues shkëlqimtar të Mbretit.

Problematika e titullit « Mbret » për Skënderbeun mbetet e hapur de jure, pavarësisht situatës de facto.
Midis këtyre dy skajeve duhet kuptuar gjithçka, rreptësia e cilësimit, karakteri mbiemëror i rolit.
Përkrenarja e Skënderbeut është një monument i dyfishtë : është një vepër arti skulpturore e metaltë, ku spikat koka e kafshës toteme (nuk e dimë skulptorin e panjohur të këtij arketipi) ngjitur, apo pllenuar në një kaskë metalike ushtarake të llojit venedikas, si dhe një dokument epigrafik, le të kuptohet post mortem.

Midis metalit të skulpturuar dhe mbishkrimit është Vdekja dhe Lavdia e Heroit. Ai e ka prekur me duart e tij përkrenaren, por mbishkrimi ka qenë i padukshëm për të, ndonëse i vetëkuptueshëm, diçka e paasgjësueshme, por në ajër, në vetëdijen shqiptare, por dhe atë europiane, një mbishkrim fantazmë që Historia do ta kthente në substancë.

Nuk e dimë se në çfarë rrethanash u krijua kjo përkrenare kryevepër. Kush qe mjeshtri që e modeloi, sipas një ideje paraprake, ose gjithëpërfshirëse. A ia ka dhuruar këtë përkrenare Skënderbeut Papa në Romë, apo Mbreti i Napolit (nuk përjashtohet edhe dikush tjetër !).

Kjo përkrenare ka qenë kuptimshmëria e një ceremonie të veçantë, me këtë rast duhet të jenë thënë fjalë të paharrueshme, por sot të zhdukura. Të gjitha këto hamendësime kanë grishjen e logjikës, pra thelbin e vërtetësisë dhe të përjetësisë reliktuare.

Duke qenë para së gjithash një ide konceptuale, përkrenarja ka pasur një qëllim dhe një simbolikë të pakundërshtueshme, të tërëpranueshme, një kumbim universal për të tjerët, por në radhë të parë për vetë Heroin. Ekziston edhe mundësia tjetër që vetë Skënderbeu të ketë dhënë idenë e veçanësisë tipologjike të përkrenares së skulpturuar.

Nëse ai do ta mbante vetë këtë përkrenare, vallë nuk do të përfillej vetëdija e tij?
A do të pranonte Skënderbeu diçka që nuk qe në harmoni me të ?
Nuk e besoj.

Logjika është brenda fakteve dhe jo jashtë tyre, logjika është shpëtimtare dhe pohuese, shmang në të gjitha kuptimet rastësitë, apo tiraninë e paradoksit. Ndoshta Heroi e ka porositur vetë, sipas imazhit të tij përkrenaren. Mund të mendojmë thjeshtësisht, se përkrenarja është realizuar në Romë, në Venedik, në Napoli.

Por mundet që përkrenarja të jetë realizuar në Krujë.
Pse?

Në Krujë ka ekzistuar një punishte armëtarie.

Dhimitër Frëngu, dëshmitar okular dhe intim i Heroit na ka lënë dëshmi, besoj të pakundërshtueshme se në Krujë “rastisi të vinte një mjeshtër fort i dëgjuar prej Italisë, i cili i bëri tri kordha, që jo vetëm mund të vlerësoheshin të mira, por krejt të përsosura”.

Cilësimi kaq i lartë i mjeshtrit nënkupton gati një personalitet me famë të rrafshit të tij, pa harruar të përcaktohet origjina nga Italia, ku ka më tepër gjasa që ubikacioni të përcaktohet në Mbretërinë e Napolit, frutshmëria e një aleance të shpallur dhe reale.

Mundet që vetë Skënderbeu t’ia ketë dhënë idenë e përkrenares këtij mjeshtri. Skulpturimi i kokës tregon një ndjeshmëri dhe stilizim artistik të përsosur, duke përjashtuar çdo arkaizim, apo modelim amator.
Kjo skulpturë e metaltë është e denjë për t’u përmendur dhe në historinë e arteve figurative të shekullit XV në Shqipëri, duke kapërcyer cakun kohor pambarimisht.

***

Por në substancë përkrenarja e strukturuar kërkon një shpjegim semantik të një mbushamendjeje të qëndrueshme, larg tundimeve subjektiviste, apo interpretimeve fantazmagorike.

Deri më sot studiuesit kanë dhënë shpjegime të befta, kuptime imazhore, shpesh folklorike. Ka zotëruar mendimi se në përkrenare kemi të bëjmë me kultin e dhisë së egër, simbolin e zanave shqiptare, pra një reflektim aktualizues të Eposit të Kreshnikëve të Veriut.

Madje ka shkuar deri tek një shpjegim kontradiktor, krejt i pakuptimtë, duke cituar kronikanin romak të shekullit II të erës sonë C. Seuton Tranquilli (De Vita Caesarum, LII, 12, 94) i cili ka shkruar se perandori romak Augusti, gjatë luftës kundër Batos së ilirëve, kur arriti në Apoloni, preu për nder të fitores së tij, një monedhë argjendi me kokën e dhisë së egër.

Ky është një lexim i gabuar i Seutonit.

Në të vërtetë C. Seutoni Tranquilli në librin II Divus Augustus (Augusti Hyjnor) flet për kohën, kur Augusti i ri qe student në shkollat e Apolonisë të Ilirisë.

Pasazhi i Seutonit është “Gjatë qëndrimit të vetmuar në Apoloni, një ditë i shoqëruar nga Agripa, hyri në Observatorin e astrologut Theogen. Agripës, i cili e pyeti i pari astrologun, iu fallxhuan gjëra të mëdha dhe pothuaj të pabesueshme.

Nga frika dhe turpi se ora e lindjes së tij do të paraqitej më pak e rëndësishme, ai e vuri në heshtje këtë dhe me këmbëngulje nuk dëgjonte të tregohej.

Por kur pas përpjekjesh të shumta me mundim e nxori nga goja, Theogeni, u ngrit dhe i ra në këmbë në shenjë nderimi.

Qysh prej asaj dite, Augusti kishte besim të plotë në yllin e tij (në shenjën zodiakore) dhe shenjën në të cilën kishte lindur e shpalli publikisht dhe preu një monetë argjendi me figurën e dhisë së egër”.

Pra, kuptohet qartë, që kemi të bëjmë me shenjën zodiakore të Bricjapit, ç’ka nënkupton detyrën funksionale të astrologut Theogen, i cili u muar me ditën origjinale të lindjes së Augustit.

Augusti në atë cak kohor qe një djalosh i ri, nuk qe bërë perandor, pra nuk qe bërë August.

Kryengritja e Batos ka ndodhur vite më vonë.

Nuk ka mundësi, që një shenjë astrologjike të ketë kuptimshmëri të tillë, që të reflektohet tek përkrenarja e Skënderbeut, por qoftë edhe tek kulti i dhisë së egër të epeve mesjetare shqiptare.

Kemi të bëjmë me një turbullirë, por jo me një kthjelltësi të semantikës.

***

Unë vetë në disa shkrime të miat kam mbrojtur tezën e mitit iliro-epirot të dhisë Amaltea, që ushqeu me qumështin e saj Zeusin fëmijë.

Kjo për analogji të një trashëgimie mendësore, shpirtërore, kultologjike, që lidhej me apelacionin e Epirit, në vetëdeklarimet, apo kulturën historike të Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Për këtë fakt mbështetesha edhe tek dëshmia historike e Pompon Atikut, eruditit të madh romak, i cili në një letër dërguar mikut të tij Ciceronit, përshkruan një tempull të quajtur Amaltion, pranë Butrintit, të zbukuruar me skulptura dhe me epigrame poetike.

Kjo tregon se kulti i Amalteas qe i gjallë dhe monumentalisht arkeologjik në jug të Shqipërisë.

Pra, logjika funksionon, pjell argumente.

Por tashmë mendoj se nuk kemi të bëjmë me një shpjegim shterrues, përfundimtar.

***

Kjo më shtyn t’i besoj një krahasueshmërie më të madhe, më të thellë në kohë dhe më hapësirore në gjeografi.

Teza, se Gjergj Kastrioti u mbiquajt Skënderbe për nder të Aleksandrit të Madh përveç karakterit metaforik ka dhe një besueshmëri historike, për shkak të analogjisë.

Aleksandri i Madh është mbiquajtur si Dybrirëshi, madje përmendet edhe në Kuran.

Për Aleksandrin e Madh ka ndodhur një mutacion legjendash, epesh, romanesh mesjetare, nga më të pabesueshmit.

Aleksandri i Madh është njohur në Shqipëri që në hershmëri.

Kulti i Aleksandrit të Madh dokumentohet në disa monumente mesjetare në vendin tonë.

Subjekti ikonografik i quajtur “Ngjitja e Aleksandrit të Madh në qiell”, subjekt çuditërisht i krishtëruar, vetë kuptohet gati surrealist në aspektin teologjik, lidhet me ngjitjen e Aleksandrit të Madh në Zenitin parajsor mes dy grifonëve.

Një reliev me këtë subjekt ikonografik, që gjendet në kishën e shën Markut në Venedik me sa duket ka pasur përafërsime dhe pllenim relievesh në Durrës dhe në Kurian të Fierit.

Figura e Aleksandrit të Madh, shoqëruar me epigrama poetike gjendet dhe në afresket kishtare të Shqipërisë.

***
Kronikanët osmanë për shkak të kakofonisë emërore e lidhin dhe emrin e Shkodrës (Skadar, Iskudar), gjoja si themelim të Aleksandrit të Madh, gjithashtu në dokumentin e jashtëzakonshëm juridik “Statuti i Shkodrës” gjendet dhe në diplomë latinisht apo apokrife në formën e një lloj testamenti të Aleksandrit të Madh.

Kjo tregon se kulti i tij ka qenë i gjallë dhe fuqipërhapës në Shqipërinë Mesjetare.

Shqiptarët kanë krijuar gojëdhëna dhe mite lokale për të, aq sa në eposin poetik “Florimont” të poetit frëng Aimon de Varanes të shekullit XII shtjellohet çuditshëm dhe mrekullisht një gjenealogji, që kinse Florimonti, kryepar i Durrësit në shekullin IV para Krishtit paska qenë vetë gjyshi gjinor i Aleksandrit të Madh.

***

Tani le të rikthehemi tek Skënderbeu.

Thuhet, që turqit e mbiquajtën Skënderbe, ç’ka përbën formën lindore të emrit Aleksandër.

Dijetari gjerman Peter Robert Franke nga Vestfalia ka ardhur në Shqipëri në vitin 1981, me këtë rast kam pasur nderin ta takoj dhe të bisedoj me të.

Ai është doktoruar në 1954 për Epirin dhe Mbretërinë e Molosëve, është numizmat i madh, sidomos i numizmatikës epirote.

Pikërisht në librin e tij “Albanien im Altertum” (Shqipëria në Lashtësi), botuar në revistën Antike Welt në 1983 ai na jep për herë të parë kyçin e artë zbërthyes për zbërthimin e enigmës së përkrenares kastriotase.

Franke e quan përkrenaren e Skënderbeut një “përkrenare të rangut të kurorës, që është një punim italian rreth vitit 1460, dhe mund të pranohet se Skënderbeu e ka porositur, ose e ka marrë si dhuratë këtë send më vonë të përpunuar shumë herë gjatë qëndrimit të tij në Itali në vitet 1453, 1461, ose 1466”.

Sipas Frankes, stolisja e përkrenares lidhet me një arketip të lashtë, pikërisht me një simbol të derës së lashtë mbretërore maqedone.

Franke jep shembuj të shumtë. Në një denar republikan romak të mjeshtrit të monedhave L. Marcius Philippus të kohës rreth vitit 105 para Krishtit me portretin e mbretit maqedon Filipi V (221-179 para Krishtit), shumë herë fitimtar – ai mban një përkrenare me brirët e cjapit.

Me të njëjtën pamje ai del në një denar të Q. Marcius Philippius në një emision më të vogël.

Që Filipi V kishte përkrenaren me brirë cjapi merret vesh edhe nga Tit Livi (27, 33).

***
Në mozaikun e famshëm të Aleksandrit të Madh në Pompei që sot është në Napoli e që rrjedh nga një tablo e humbur e Filoksenit të Eritresë, rreth vitit 316 para Krishtit për mbretin Kasandër të Maqedonisë, në tokë, nën Aleksandrin e Madh kokëzbulur e që lufton me ashpërsi gjendet po ashtu një përkrenare me brirë, që mund t’i përkasë vetëm Aleksandrit të Madh.

***
Plutarku në kreun II të veprës së tij “Vita” e mbretit molos Pirro i Epirit, i cili dy herë për disa vjet mbajti si atribut edhe titullin e mbretit të Maqedonisë, njofton se Pirro në një betejë kundër Dimitër Poliorketit në vitin 287 para Krishtit mbante një përkrenare me një tufë pendësh e me dy brirë cjapi dhe maqedonasit menjëherë kaluan në anën e tij me që e njohën drejtpërdrejt si mbretin e tyre të vërtetë.

Në monetat e Tarentit, që u prenë nga ky qytet për Pirron gjatë fushatës së tij kundër Romës në vitet 280-275 para Krishtit dalin si simbole të mbretit ajakid një majë shtize, rrufeja e Zeusit të Dodonës si dhe përkrenarja me brirë.

Një përkrenare e ngjashme është simbol monetash edhe i uzurpatorit Trifon, që në vitet 142-139 para Krishtit në Siri, duke kujtuar prejardhjen e tij mbretërore maqedone u ngrit kundër seleukidëve.

***
Në letrën që Skënderbeu i dërgon princit Ursini në vitin 1460 në Itali përkujtohen paraardhësit e shqiptarëve, që kanë bërë beteja të mëdha me romakët nën udhëheqjen e Pirros, prandaj edhe Skënderbeu u mbiquajt “Epirotarum Princeps” (“Princi i Epirotëve”).

Por gjeneza e shpjegimit lidhet me emrin e Aleksandrit të Madh.

***
Për të goditur në shenjë duhet të kuptojmë mjedisin apokaliptik të shekullit XV, nga rrjedhin dhe fiksohen shumë metafora të mëdha kuptimore.

Librat biblikë citohen papushim, frymëzojnë artistët figurativë dhe mjeshtrit e shkrimeve.

Kjo gjë është mëse e vetëkuptueshme.

***
Një nga librat, jo vetëm me prapavijë, por dhe me perspektivë apokaliptike në të gjitha kohërat është Libri i Danielit.

Në këtë libër ka disa vegime profetike, në fragmentin 8, 2 – 5, tregohet, se profeti Daniel ndërsa gjendej në qytezën e Suzas, në krahinën e Elamit, befas në vegim u gjend pranë lumit Ulai.

***
Danieli thotë “ngrita sytë dhe shikova, dhe ja, pranë lumit pashë një dash me dy brirë, të dy brirët ishin të lartë… pashë dashin, që godiste kundrejt Perëndimit, drejt Veriut dhe drejt Jugut, asnjë kafshë nuk mund t’i rezistonte, askush nuk mund të çlirohej nga pushteti i tij, kështu ai bëri atë që desh dhe u bë i madh.

Ndërsa kisha parasysh këtë ja, ku po vinte nga Perëndimi një cjap, që përshkonte tërë sipërfaqen e dheut pa e prekur tokën… e pashë të afrohet dhe të zemërohet kundër dashit, pastaj i ra me bri dashit dhe copëtoi dy brirët e tij, ndërsa dashi nuk kishte fuqi për t’i rezistuar… Cjapi u bë shumë i madh”

***
Simbolologët biblikë janë shprehur qartë, se dashi përfaqësonte perandorin e Medëve, të persëve të vjetër, kurse cjapi Aleksandrin e Madh që sulmoi nga Perëndimi në Lindje dhe shkatërroi Perandorinë Persiane.

Në shumë shkrime teologjike dhe vepra me frymëzim apokaliptik është konsideruar se turqit e Lindjes kishin ripërtërirë perandorinë e persëve të vjetër, të simbolizuar nga totemi i dashit.

Për rrjedhim figura e Skënderbeut profetizohej si një edicion i dytë në shekullin XV i figurës së Aleksandrit të Madh, nëpërmjet totemit të cjapit. Europa qe tmerruar nga perandoria turke, që ishte në një vërshim kobzi. Rezistenca e Skënderbeut i bënte që të gjithë që të besonin në vegimin e famshëm të profetit Daniel të betejës së çuditshme dhe simbolike midis cjapit të Perëndimit me dashin e Lindjes.

Kjo është arsyeja përfundimtare, mendoj unë, që shpjegon përfundimisht enigmën e përkrenares së skulpturuar të Heroit.

Kështu gërshetohet tradita pagane antike me profecitë biblike, ç’ka përbën një sinkretizëm të hatashëm dhe tejet të fuqishëm.

Kështu përkrenarja e Skënderbeut mbijeton si një objekt, ku gërshetohen, përplasen dhe mpiksen, fosilizohen kulturat,mitet, shekujt, heronjtë, trimat,substanca e kohërave, mbretërit, profetët dhe simbolet, historia dhe arti. Amen!

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *