Lajme, Lajmi kryesor

PDK rrit presionin ndaj Haradinajt

Demarkacioni u dërgua të hënën nga Qeveria në Kuvend në versionin që u kundërshtua aq shumë, pa u ndryshuar aspak. Në mbledhjen e Qeverisë u votua nga kabineti qeveritar që kjo çështje të vazhdojë tutje në Kuvend. Kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj, në kohën kur ishte në opozitë u bë kundërshtues i madh i kryeministrit të asaj kohe, Isa Mustafës lidhur me këtë çështje, ndërsa të hënën ai u ‘detyrua’ të votojë të njëjtin version të Demarkacionit

Këtë ia kishte kërkuar ditë më parë edhe partneri i koalicionit, kryetari i PDK-së dhe kryeparlamentari, Kadri Veseli. Madje ishte kërkuar edhe nga Presidenti, ish kryetar i PDK-së, Hashim Thaçi që demarkacioni të procedohej drejt Kuvendit. Dhe me këtë vendim duket se Haradinaj do t’ia zgjasë ‘jetën’ koalicionit qeverisës aktual. Një vendim i tillë i tij, të hënën u kundërshtua fuqishëm, për faktin se ishte vet Haradinaj që kishte premtuar se kufirin do ta kthente në Kullë dhe Çakorr. Madje këtë e kishte premtuar edhe para qytetarëve të Rugovës.

Të kontaktuar nga ‘Bota sot”, zyrtarë të Qeverisë nuk kanë dashur të komentojnë më tutje këtë çështje.
Ndërkaq, sipas analistëve politikë, fajtori në këtë mes është PDK-ja. Sipas tyre, kjo parti luajti lojën e njëjtë edhe në mandatin paraprak me LDK-në, ndërsa tani do ta ‘djeg’ edhe Haradinaj, që nga momenti kur i dha postin e kryeminisitrit.

Arsyet pse PDK mbështet ratifikimin e Demarkacionit

Kështu, analisti politik Skender Zogaj, ka thënë se PDK-ja ka arsye të insistojë në ratifikimin e demarkacionit. “PDK-ja është “kumbari” i marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, prandaj është krejtësisht normale që Kadri Veseli me insistim të fort të kërkojë ratifikimin e saj! Mirëpo, e keqja e deklaratës së Veselit është se njëanshëm e cënon rëndë partneritetin e koalicionit qeverisës me Ramush Haradinajn, i cili ka qëndrim të kundërt! Kjo është lojë e cicmicit, që PDK-ja e luan mirë dhe, përmes kësaj loje në të kaluarën ka arritur përfitime të shumta! Ta kujtojmë koalicionin me LDK-në, e cila doli e lagur”, ka theksuar analisti Zogaj.

Ai ka thënë më tutje se PDK-ja prapë ka të njëjtin qëndrim dhe demarkacionin mund ta përdor si një “mollë të lyer me sheqer, që kush e kafshon i pari, i rrezikon dhëmbët”. “Në fakt kësaj radhe Kadri Veseli, deklaratën ua ka dedikuar parlamentarëve të saj, duke i ftuar të reflektojnë dhe ta kuptojnë se “bashkimi bën fuqinë!” për të cilën PDK-ja ka nevojë jetike”, ka theksuar analisti Skender Zogaj.

Mehmeti: Haradinaj do të shkojë në shtëpi i djegur politikisht

Edhe analisti Faton Mehmeti është i të njëjtit mendim se PDK-ja ua la ‘pataten e pjekur’ në dorë edhe AAK-së. “Tashmë po shihet se PDK-ja ia ka dhënë Ramushit postin e kryemistrit për ta djegur atë për herë të fundit, si dhe duke e hequr nga vetja pataten e pjekur. Mbase tani do fillojë t’i dalë gjumi Ramushit, dhe të kuptoj lojën kurthit që Kadriu ia ka përgaditur”, ka thënë Mehmeti.

Ai ka theksuar poashtu se Demarkacioni do të votohet edhe nga AAK-ja, ashtu siç është nënshkruar, pasi ishte kauzë e rrejshme për të ardhur në pushtet dhe kjo do ta dërgojë Haradinajn në shtëpi të ‘djegur politikisht’.

“Demarkacioni do ta djeg përfundimisht Ramushin në politikë, derisa PDK do të dalë “e pafajshme” ndonëse e gjithë kjo padrejtësi që po i bëhet Kosovës me demarkim, është vepër e PDK-së. Ky koalicion s’do ketë jetë të gjatë, Ramushi është bërë kryeministër vetëm sa për të kaluar Demarkacioni dhe Asociacioni. Sapo këtu të kryen, Ramushi do të shkojë në shtëpi, i djegur politikisht”, ka thënë analisti Faton Mehmeti për “Bota sot”.

Duhanaj: PDK rrit presionin ndaj kryeministrit

Ndërkaq, analisti tjetër Leon Duhanaj, ka thënë se çështja e demarkacionit, ishte shndërruar në një kauzë politike, përmes së cilës u arrit edhe rrëzimi i qeverisë.

“Ishte pikërisht Kryeministri Haradinaj që u identifikua me këtë kauzë. Por, tanimë ka kaluar shumë kohë dhe BE, por dhe SHBA, e kanë bërë të qartë se, Demarkacioni është çështje me rëndësi të veçantë dhe, se pa përfundimin e kësaj çështjeje, Kosova, nuk mund të ecë përpara në proceset integruese, përkatësisht liberalizimin e vizave, që për Kosovën dhe qytetarët e saj, është me rëndësi jetike. Tani më kryeministri Haradinaj, nuk ka se çfarë pret. Komisioni të cilin e ka emëruar, duhet ose ta bindë të gjithë opinionin, fqinjët nga Mali i Zi dhe miqtë ndërkombëtarë. Ose të heqin dorë së manipuluari me ndjenjat e qytetarëve, në këmbim të mbajtjes së vendit peng”, ka thënë analisti Duhanaj.

Duhanaj ka theksuar më tutje se edhe Kadri Veseli, ka bërë të qartë qëndrimin e PDK-së rreth kësaj çështje, e që sipas tij, kjo nënkupton që presioni ndaj kryeministrit rritet edhe më shumë.

“Qytetarët e Kosovës duan dhe duhet të lëvizin lirshëm. Kryeministri Haradinaj, nëse nuk ka argumente, që flasin ndryshe, është shumë më mirë për të dhe Kosovën, të përballët me realitetin, duke hequr dorë nga kokëfortësia. Sepse, mund t’i hakmerret pikërisht në proceset e ardhshme. Tani më edhe presioni ndërkombëtar, është më i madh dhe duke qenë shef i qeverisë, do të detyrohet medoemos të marrë vendime. Kështu që do të thoja, që kjo çështje, shpejtë do të marrë trajtim të merituar”, ka theksuar analisti Leon Duhanaj.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *