Ekonomi, Lajmi kryesor

Pasi u vodhën 700 milionë dollarë, në Spaç nis rigjallërimi i industrisë së bakrit

Industria e bakrit, një prej industrive më fitimprurëse në kohën e diktaturës dhe një prej industrive më të abuzuara në kohën e demokracisë ka nisur të rigjallërohet duke nisur nga Spaçi, vendin e njohur më shumë për burgun famëkeq se sa për potencialin e tij ekonomik

Prej pak javësh, në këtë zonë ka nisur nga puna një uzinë moderne e pasurimit të bakrit, e cila për herë të parë pas më shumë se një dekade, do të rikthejë ciklin e mbyllur të përpunimit të këtij metali.

Uzina me 300 të punësuar shënon gjithashtu një ndarje nga koha kur bakri trajtohej si një mall pa zot, në duart e koncesionarëve të cilët në këmbim të rryshfeteve të majme shfrytëzonin këtë pasuri kombëtare për të pasuruar veten dhe politikanët, duke lënë në mjerim të plotë banorët e këtyre zonave.

Sipas të dhënave zyrtare, në fakt, bakri është i pari në listën e vjedhjeve të panjohura të realizuara nga qeveria e kaluar. Përgjatë tetë viteve 2005-2013, Shqipëria ka eksportuar jashtë vendit 1,8 milionë tonë xeheror, i cili nëse do të ishte përpunuar në vend do të kishte prodhuar një fitim prej 900 milionë dollarësh për ekonominë kombëtare.

Megjithatë, nga shitja e këtij produkti janë përfituar vetëm 205 milionë dollarë, me një humbje prej rreth 80 milionë dollarësh në vit. Shumica e kësaj shume është përfituar nga koncesionari dhe shumë pak, janë rikthyer në formë taksash në buxhetin e shtetit.

Dëmi ekonomik, i shkaktuar nga mungesa e vizionit për zhvillimin e kësaj industrie në vendin tonë si dhe nga korrupsioni në nivelet e larta, arrin në plot 700 milionë dollarë, në tetë vitet e qeverisë së mëparshme.

Për fat të mirë, plani i ri ekonomik i qeverisë shqiptare, ndonëse vendos theksin e zhvillimit tek sektorë si turizmi apo bujqësia, parashikon edhe një rimëkëmbje të industrive minerare përmes modernizimit të vendburimeve të mineraleve dhe investimin në modernizimin apo krijimin e ciklit të plotë të prodhimit.

Hapja e kësaj fabrike të re pasurimi në Spaç u parapri në muajin qershor nga një vendim i publikuar në VKM me numër 126, e cila i hapi rrugën e rikthimit në punë të minierës së Munellës, e cila në kohën e komunizmit u cilësua si një burim me rezerva të jashtëzakonshme, por që nuk mund të shfrytëzohej me teknologjinë e kohës.

Gjithashtu, do të rikthehet në punë miniera e bakrit në Lak Rosh dhe miniera e Karmës. Paralelisht, do të modernizohet fabrika e përpunimit të Fushë Arrëzit dhe do të rikthehet në punë impianti i fraksionimit të skorieve të bakrit në Shëngjit dhe fabrika e pasurimit të bakrit në Mjedë, pranë Shkodrës.

Rikthimi në punë i industrisë së bakrit do të favorizohet edhe nga rruga e re që lidh Fushë Arrëzin me Rrepsin, e rrjedhimisht me autostradën Tiranë-Kukës, një investim i qeverisë shqiptare që shkurton ndjeshëm rrugën deri në pikat e përpunimit dhe minierat e bakrit, duke lejuar një akses të tyre më të thjeshtë në tregun kombëtar dhe ndërkombëtar.

Gjatë 50 viteve të diktaturës, industria e bakrit ishte një prej industrive më fitimprurëse në vendin tonë. Kjo sepse përveç cilësisë së mineraleve tona ekzistonte edhe një proces i mbyllur, i përpunimit të xeherorit, deri në nxjerrjen e produktit përfundimtar.

Ndryshimet e fillimviteve 1990 goditën rëndë këtë industri dhe të gjitha fabrikat e pasurimit, me përjashtim të fabrikës së amortizuar të Fushë Arrëzit, u mbyllën.

Në vijim, shteti shqiptar lidhi një marrëveshje koncensionare, me disa kompani që operojnë në këtë fushë dhe eksportojnë mineralin tonë të papërpunuar jashtë vendit. Megjithatë, këto kompani, deri më tani janë kufizuar në shfrytëzimin e rezervave tona kombëtare, pa investuar aspak në realizimin e një cikli të mbyllur prodhimi. /LEXO.AL

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *