Lajme, Lajmi kryesor

Partitë politike deklarohen për hetimin e SHIK-ut, ja kërkesa për Veselin

Deputetët e partive opozitare dhe ata të AAK-së janë pro themelimit të një komisioni parlamentar për të hetuar të bëmat e organizatës SHIK të pas luftës, por deklarata e Kadri Veselit për hetim të kësaj organizate po shihet me rezervë dhe me prapavijë politike

Analisti politik Haki Abazi, ka thënë se në parim nuk do të duhej të ishte në dorën e Veselit për të treguar se kur duhet hetuar këtë organizatë, pasi që sipas tij ai e ka udhëhequr SHIK-un, që dyshohet të ketë lidhje me vrasjet politike të pasluftës.
“Në parim, ky hetim nuk do të duhej të ishte në dorën dhe vendimin e Kadri Veselit. Ai në fakt po tregon që prokuroria dhe sistemi gjyqësor, janë të varur nga krerët politik. Çfarë është e qartë dhe e padiskutueshme, është se ka listë të njerëzve të vrarë e të eliminuar për shkak të përcaktimit dhe angazhimit të tyre politik. Dhe në anën tjetër, kemi një grup të apostrofuar që mund të ketë lidhje me këto vrasje, e që në këtë rast është SHIK-u e udhëheqësi i kësaj organizate ka qenë vet Veseli”, ka thënë Abazi në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, Veseli është i fundit që duhet të flas për zbardhjen e vrasjeve politike.
“Prandaj, kjo situatë në asnjë mënyrë nuk duhet të luhet politikisht me drejtësinë dhe zbardhjen e këtyre rasteve. Dhe aq me pak që Veseli është i fundit që duhet të flas, nëse ai apo dikush nga klani i tij do të lejojë apo nuk do të lejojë hapjen e dosjeve dhe nisjen e hetimeve”, ka thënë më tej Abazi.

Partitë parlamentare pro hetimit të ShIK-ut

Nga ana tjetër, deputetët e partive politike opozitare në Kuvend janë deklaruar se ata do të përkrahin iniciativën e themelimit të një komisioni hetimor për SHIK-un.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se VV që nga hyrja në parlament ka bërë përpjekje për themelimin e një komisioni të tillë, por që nuk kishte mbështetje nga partitë tjera.

“Qe një kohë të gjatë po bëjmë përpjekje që ta krijojmë një komision për hetim të SHIK-ut. Prej legjislaturës së parë që Vetëvendosje pati hyrë në parlament, kemi bërë përpjekje të themelojmë një komision të tillë, por nuk kemi mundur, sepse nuk kemi pasur mbështetje të partive të tjera të përfaqësuara në Kuvend”, ka thënë për “Bota sot” Glauk Konjufca.

Ai madje për këtë ka fajësuar edhe LDK-në. “Mandatin e vitit 2014 nuk kemi mundur, sepse PDK-ja ishte bashkë me LDK-në në qeverisje. Tash do të shohim. Kemi disa premtime prej disa deputetëve të ndryshëm të Lidhjes Demokratike që do të mund të përkrahnin këtë komision. Prandaj, unë jam plotësisht optimist se këtë legjislaturë ky komision hetimor për SHIK-un do të mund të themelohej edhe më mbështetjen e LDK-së”, ka thënë më tej Konjufca.

AAK: Mbështesim komisionin, por s’besojmë në themelimin e tij

Edhe deputeti i AAK-së Ahmet Isufi, ka thënë se subjekti i tij politik e përkrah çfarë do iniciative për të hetuar SHIK-un për veprimtarinë e tij të pasluftës.
“Po në çdo çështje që ka të bëjë me instrumente të parlamentit të Kosovës, qoftë për të hetuar, qoftë për të vërtetuar të gjitha elementet të cilat janë të periudhave të ndryshme që kanë ndikuar në proceset në Kosovë, ne normalisht që i përkrahim me kusht që Kuvendi të kryejë detyrën e vet ashtu si duhet”, ka pohuar Isufi.

Por ai është shprehur skeptik se gjatë kësaj legjislature do të ndërmerret diçka në këtë drejtim, pasi që sipas tij, iniciativa për hetim të SHIK-ut ka pasur edhe me herët, por kurrë nuk kanë shkuar deri në fund.

Abazi: Të merren parasysh akuzat e Naim Miftarit dhe Nazim Bllacës

Nga ana tjetër, analisti Haki Abazi, ka vlerësuar se për të pasur sukses në hetimin e SHIK-ut, duhet të merren parasysh deklaratat e ish-pjesëtarëve të SHIK-ut. “Për të shkuar me tutje akuzat për këtë çështje, organet e drejtësisë duhet të kenë parasysh ish-pjesëtarët e SHIK-ut, siç është Nazim Bllaca dhe Naim Miftari, të cilët hedhin akuza publike lidhjet e SHIK-ut me vrasjet”, ka thënë Abazi.

Sipas tij, duhet të merren për bazë edhe një numër i madh i bizneseve, të cilat akuzojnë se janë dëmtuar nga organizata SHIK.

Ndryshe, Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli teksa po i përgjigjej deputetit të LDK-së, Driton Selmanaj, i cili e akuzoj atë për të bëma misterioze gjatë kohës që ai po e drejtonte SHIK-un, ka thënë se “gjatë këtij mandati do t’i ngijë SHIK deputetët e opozitës”.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *