Lajme, Lajmi kryesor

Partitë nuk u besojnë sondazheve, nëse nuk radhiten në pozitën e parë

Partitë politike kosovare nuk preferojnë t’i komentojnë sondazhet që tregojnë renditjen e tyre po që se zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin tash, përjashtuar partinë që po sipas këtij hulumtimi, ka dalë fituese. Megjithëse, dyshojnë se jo gjithmonë, sondazhe të tilla, janë të sakta

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka shpalosur ditë më parë rezultatet e sondazhit me opinionin publik, lidhur me fazën përfundimtare të dialogut Kosovë-Serbi dhe çështjet aktuale që janë trajtuar së fundi nga partitë politike përfshirë edhe zgjedhjet e parakohshme.

Po sipas kësaj matjeje, Lidhja Demokratike e Kosovës del të jetë partia e parë me 30.8 për qind e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 23 për qind. Në vendin e tretë radhitet Lëvizja Vetëvendosje me 21.2 për qind, AAK me 10.4, Nisma me 6.3 ndërkaq shumë keq e kanë renditur partinë e Shpend Ahmetit, me 2.4 për qind.

Sidoqoftë, ky sondazh që nxori të parën LDK’në e Mustafës, i dha ‘fuqi’ shefit të GP’së Avdulllah Hotit, që në emër të kësaj matjeje të thotë se partitë në pushtet, e posaçërisht PDK, nën presionin e këtyre rezultateve, kanë filluar “gjuetinë e shtrigave”.

“Rezultatet e anketës të publikuara dje nga KDI kanë trazuar arkivat e mediumeve “të pavarura” dhe jo vetëm. Por, duhet ta kenë të qartë se këto rezultate janë vendim i qytetarëve, i të papunëve, rinisë, bujqve, pensionistëve, të cilët janë mashtruar nga kjo qeveri. Të gjithë këta po e thonë qartë se ka ardhur koha të shkoni në opozitë, aty ku e keni vendin moti”, ishte shprehur Hoti, duke shtuar se nuk do të ketë asnjë kompromis për t’i dërguar ata në opozitë.

Ndërkaq, nga partia e Kadri Veselit nuk kanë dashur të komentojnë shumë për të gjeturat e sondazhit ku PDK’në e nxjerr të dytën në renditje. Memli Krasniqi, shef i Grupit Parlamentar të PDK’së vlerëson se PDK bën matjen e opinionit publik rregullisht dhe është e përgjegjshme karshi bindjeve dhe pritjeve qe kane qytetaret

“Si parim, nuk i komentoj sondazhet e palëve te tjera, meqë nuk kam informata te mjaftueshme rreth metodologjisë se përdorur, mostrimit dhe shpërndarjes se respondenteve, si dhe pyetësorit ne tërësi. Rrjedhimisht, komentimi i vetëm një përgjigjeje, jashtë kontekstit të përgjithshëm është problematik. Unë mund të ju them se PDK bën matjen e opinionit publik rregullisht dhe është e përgjegjshme karshi bindjeve dhe pritjeve qe kanë qytetarët prej nesh”, ka shtuar ai për Express, të mërkurën.

Por me dyshime e vlerëson këtë sondazh Ahmeti Isufi i AAK’së i cili konsideron se shpeshherë këto matje nuk janë të sakta. “Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me strukturat e partisë dhe me qytetarët dhe besojmë që jemi shumë më mirë se rezultatin që e ka publikuar KDI-ja. Shpeshherë sondazhet nuk janë treguar të sakta sepse është varet nga sistemi dhe metodologjia që është përdorur”, thotë.

Megjithatë, sipas shefit të Grupit Parlamentar të AAK’së, kjo parti është duke punuar në terren dhe sapo kanë mbajtur Kuvendin e partisë nga i cili është rizgjedhur Kryetari dhe është formuar Këshilli Drejtues dhe shpejt do të zgjidhet edhe kryesia e AAK-së.

E nga Nisma SocialDemokrate theksojnë se partia e tyre ka synime të mëdha, më të mëdha se kjo e 6.3 për qindëshit të dalë nga këto matje. Madje sipas Bilall Sherifit, synimi i tyre është që në zgjedhjet e ardhshme t’i sigurojnë 10 deputetë.

“Sondazhet zakonisht shprehin besimin qe qytetaret e vendit kane për partitë politike. NISMA ne zgjedhjet e ardhshme ka synime me te mëdha se 6.3 %. Ne jemi duke punuar shume në te gjitha fushat, si në parlament ashtu edhe ne ministritë te cilat i drejton. Prandaj në zgjedhjet e ardhshme besojmë shume që qytetarët do ta mbështesin edhe më shume vizionin socialdemokrat të NISMES. Synimi ynë për zgjedhjet e ardhshme kurdo që të mbahen ato është mbi 10 deputetë”, ka thënë ai./Express/

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *