Lajme, Lajmi kryesor

Partia populiste gjermane, AfD: Ballkani jo në BE

Pak ditë para zgjedhjeve të rëndësishme në Bavari, partia e djathtë gjermane, Alternativë për Gjermaninë i thotë jo anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Ata prezantuan në Berlin pozicionin e tyre

Në një konferencë shtypi në Berlin (09.10), zëdhënësi i kësaj partie për çështje të BE-së, Harald Weyel, dhe raportuesi i Ballkanit Perëndimor, Siegbert Droese, dhanë si shkakun kryesor për mospranimin e Ballkanit Perëndimor në BE lidhjen e korrupsionit në nivelet më të larta të qeverisë me krimin e organizuar. „Ky model është shndërruar në modelin e qeverisjes së tyre”, tha Drose. „Nuk jemi dakord me automatizmin që qysh ne vitin 2025 të hyjnë në BE vendet e para, si për shembull, Mali i Zi ose Serbia. Kemi nevojë për më shumë kohë dhe këto vende duhet të ofrojnë diçka vetë, para se të hyjmë në negociata konkrete me to, shtoi ai më tej.

Një shqetësim tjetër i lidhur me këtë refuzim ndaj Ballkanit Perëndimor për partinë më të djathtë populiste të Gjermanisë është rritja e peshës së vendeve të Evropës Lindore dhe Jugore me anëtarësimin e tyre në BE. AfD për këtë arsye propozon që këto vende të krijojnë një union të tyre, sipas modelit të vendeve Beneluks: „Përtej opsionit të një BE-je të madhe ekziston opsioni i një Unioni të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që do të sillte harmonizimin e ekonomisë, heqjen e doganave, zbutjen e politikës së jashtme etj., sipas modelit të shteteve të Beneluksit. Ky plan B ose C mund të ishte fare mirë plani A”, tha zëdhënësi i fraksioit të për çështje të BE-së, Harald Weyel.

Zgjerimi vetëm me referendum

Sipas dy politikanëve janë jo vetëm gjeografikisht, por edhe kulturalisht në kufij të BE-së. Ata veçuan sidomos Shqipërinë, duke sjellë si shembull ndikimin e Turqisë në Shqipëri, manifestuar me xhaminë e madhe në Tiranë të financuar nga qeveria e Erdoganit. AfD ka ndër mend që për zgjerimin e BE-së me këto vende të pyetet jo vetëm, siç parashikon ligji aktual, Bundestagu, por i gjithë populli votues me anë të një referendumi.

“Alternativa për Gjermaninë” është e vetmja parti e Bundestagut gjerman që është kundër anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në BE. Ajo zë vetëm 12,6 përqind të vendeve në Bundestag, por, për shkak të qeverisë së koalicionit të madh mes CDU/CSU dhe SPD, konsiderohet si partia kryesore e opozitës. E krijuar në vitin 2013, AfD është e përfaqësuar në thuajse të gjitha parlamentet e landeve, përveçse në Hessen dhe Bavari. Sa i përket Bavarisë, kjo gjendje pritet të ndryshojë në favor të AfD-së të dielën e ardhshme (14.10), kur do të zhvillohen zgjedhjet për parlamentin e landit. Sipas anketimeve paraprake, AfD-ja pritet të fitojë 10 deri 14 përqind të votave.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *