Ekonomi, Lajmi kryesor

Pagesat e majme për shefat e AKP-së

As presidenti, as kryeministri, e as kryeparlamentari, nuk marrin paga nga buxheti i shteti, sa marrin kryesuesi dhe anëtarët e bordit të AKP-së. Ata punojnë vetëm një ditë në javë, dhe paga e tyre mujore, kap shifrën e mijëra eurove. 624 euro është shuma e meditjes, që buxhetit të vendit, ia merr kryesuesi i Agjencionit të Privatizimit të Kosovës, për një mbledhje të vetme. Zëvendësi i tij për një mbledhje paguhen në shumë prej 552 euro, kurse gjashtë anëtarët tjerë të AKP-së, paguhen me nga 480 euro për secilën mbledhje. Rrjedhimisht një anëtar i AKP-së, me vetëm gjashtë ditë punë në muaj, merr nga shteti rreth 39 mijë euro në vit

Një grup prej tetë njerëzish, të cilët nuk kanë më shumë se sa gjashtë ditë punë në muaj, llogariten si përfituesit më të mëdhenj të buxhetit shtetëror. Ata ia kalojnë me paga edhe presidentit, kryeministrit dhe kryeparlamentarit të vendit. Madje, me vetëm një ditë pune në javë, anëtarët e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), marrin para më shumë se Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, dhe shumë zyrtarë tjerë të shtetit.

624 euro është shuma e meditjes, që buxhetit të vendit, ia merr kryesuesi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, për një mbledhje të vetme. Zëvendësi i tij për një mbledhje paguhen në shumë prej 552 euro, kurse gjashtë anëtarët tjerë të AKP-së, paguhen me nga 480 euro për secilën mbledhje, shkruan Insajderi.

Ata mblidhen vetëm 12 herë brenda vitit, pa llogaritur mbledhjet e pa përfunduara dhe ato urgjente, dhe për këto mbledhje i kushtojnë buxhetit të shtetit të paktën 292 mijë euro të taksapaguesve kosovarë brenda vitit, vetëm për gjashtë anëtarët e bordit, duke mos e llogaritur kryesuesin dhe zëvendëskryesuesin, shkruan Insajderi. Shuma më e madhe vjetore për një anëtar të bordit të AKP-së, sillet rreth 39 mijë euro.

Sipas raportimit të “Kohës Ditore” anëtaret e bordit të AKP-së, nuk kishin qenë të kënaque me meditjet e tyre, dhe kështu që kishin votuar në mbledhjen e muajit prill për dyfishimin e shumës që përfitojnë nga pjesëmarrja në mbledhjet e këtij bordi.

Sipas zyrës për Informim të AKP-së, Drejtorët e bordit marrin kompensim sipas Rregullores për Kompensimin e anëtarëve të Bordit.

“Kompensimi, sipas kësaj rregullore, merr parasysh krahasimet me Bordet e ngjashme dhe të përafërta të organeve të pavarura të Kosovës si dhe të fushëveprimit dhe shtrirjes së përgjegjësive të tyre në krahasim me Bordin e AKP-së”, thuhet në përgjigjen e AKP-së për Insajderin.

“Sipas Rregullores në fuqi, drejtorët kompensohen për 6 ditë angazhim për një mbledhje të rregullt. Për mbledhje të rregullta dhe të jashtëzakonshme, kompensimi për një anëtar Bordi është 480€ bruto për një ditë angazhimi”, thuhet më tej në përgjigjen e AKP-së.

Për dallim nga gjashtë anëtarët e bordit kryesuesi dhe zëvendës kryesuesi marrin një mëditje më të lartë, raporton Insajderi.

Sipas AKP-së zëvendës Kryesuesi kompensohet me 15% më shumë se një anëtar i Bordit, ndërsa Kryesuesi kompensohet me 30 % më shumë se një anëtar i Bordit.

Nëse mëditja e një anëtari të bordit është 480 euro, llogaritur me 15% i bie se zëvendës kryesuesi merr kompensim prej 552 euro, apo në total 3 mijë e 312 euro.

Ndërsa sipas llogaritjes prej 30% nga mëditja prej 480 euro i bie se Kryesuesi i AKP-së ka mëditje prej 624 euro për një ditë pune në AKP.

Zyra për Informim e AKP-së, njofton se bordi mblidhet së paku një herë në muaj në mbledhje të rregullt, që do të thotë se kompensimi mujor nuk tejkalon zakonisht 6 ditë pune për një muaj.

“Në rastin e mbledhjeve të jashtëzakonshme, e cila mund të ndodhë vetëm në raste urgjente, kompensimi do të bëhet për ditët e angazhimit në shumën siç u përmend më sipër. Ditët e angazhimit përcaktohen nga Kryesuesi sipas rregullores dhe zakonisht nuk kalon më shumë se dy ditë pune”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.

Gazeta Koha Ditore pati raportuar vitin e kaluar se si anëtarët e Bordit kishin votuar për dyfishimin e shumës që përfitojnë nga pjesëmarrja në bordin e AKP-së.

Angazhimi shtesë në komisionet e themeluar nga Bordi

Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit po ashtu themelon edhe komisione brenda këtij institucioni. Angazhimi i anëtarëve nëpër komisionet është punë shtesë dhe rrjedhimisht kompensim shtesë për ta.

Pra angazhimi nëpër komisionet ua shton atyre edhe 482 euro, nëse ata takohen, të paktën një herë në muaj. Pra, një anëtar i bordit mund të përfitojë 3 mijë e 362 euro për punën e tij 8-ditore në AKP.

APK sqaron se kush mund të jetë pjesë e komisioneve dhe se si është paraparë kompensimi.

“Një anëtar i Komitetit/Komisionit kompensohet me 241€ për një ditë mbledhje dhe kompensimi për një mbledhje të tillë nuk tejkalon dy ditë. Kryesuesi dhe Zëvendës-Kryesuesi nuk janë anëtar të Komiteteve/Komisioneve”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.

Për më tepër AKP njofton se deri tani Bordi ka themeluar vetëm dy komisione, Komitetin e Auditimit, si komitet i përhershëm, dhe një komision ad hoc, për shqyrtimin dhe aprovimin e raporteve të Ofruesit të Shërbimeve Profesionale të Likuidimit, i cili Komision nuk është funksional që nga 10 korriku 2016.

Deklarimi i kompensimit të anëtarëve në AKK

Kryesues i bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit është Petrit Gashi. Ai në Agjencinë Kundër Korrupsion ka deklaruar si të hyra vjetore kompensimin nga AKP-ja në shumën prej 38 mijë euro e 412 euro.

Kurse Zëvendës kryesuesi, Bajram Zejnullahu ka deklaruar në AKK se ka marrë 2 mijë e 176 euro më shumë sesa Gashi kompensim nga Agjencia e Privatizimit.

Në total Zejnullahu ka deklaruar shumë prej 40 mijë e 588 euro kompensim vjetor, raporton Insajderi.

Sa i përket dallimit të kompensimit që këta dy zyrtare e kanë deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion, AKP ka pasur këtë sqarim.

“Dallimet e përmendura janë si pasojë e pjesëmarrjes apo jo në mbledhje të rregullta të Bordit (psh, prej 6 ditëve, mund të jetë kompensuar për 5 ditë apo 3 dite, etj.) dhe në mbledhje të jashtëzakonshme, pjesëmarrjes apo jo në mbledhje të Komisionit/Komitetit”.

“Po ashtu, dy anëtar të Bordit gjatë mandatit 2016-2017 kanë arritur moshën e pensionit dhe për rrjedhojë tatimet e kontributit pensional nuk janë ndalur. Po ashtu, nuk përjashtohet mundësia që ndonjë anëtar i Bordit të ketë deklaruar të ardhurat bruto e ndokush neto dhe të jenë paraqitur dallimet”, thuhet më tej në përgjigjen e AKP-së.

Gjashtë anëtarë të rinj të AKP-së ishin emëruar me 31 maj të këtij viti, Avni Ajdini, Hasime Mazreku, Skender Komoni, Ranko Gjokiq, Qemaj Behrami, Bekim Selimaj.

Disa nga ta nuk kanë deklaruar kompensimin nga AKP-ja në formularin e këtij viti që e kanë dorëzuar në AKK gjatë muajit qershor për shkak se ata ende nuk mbushur as muajin për të marrë kompenzimin.

Anëtarja Hasime Mazreku ka deklaruar kompensimin mujor prej 2,460, Bekim Selimaj ka deklaruar shumën prej 2,461 gjatë muajit qershor sipas formularëve në AKP.

Kurse anëtarët e mandatit të kaluar kishin deklaruar këto shifra si kompensim nga AKP-ja.

Hamdi Jaha kishte deklaruar shumën prej 35,294 si kompenzim, Hasime Mazreku-Krasniqi, Haxhi Arifi shumën prej 38,642 euro, Ismaili Januzi shumën prej 36,947 euro, Ranko Gjokiq shumën prej 37,152 euro dhe Skënder Komoni shumën prej 35,294 euro. /Insajderi.com

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *