Sport

Opinioni në Zvicër del kundër Pektoviqit për mënyrën se si e përjashtoi Behramin

Trajneri i Kombëtares zvicerane, Vladimir Petkoviq, të hënën përmes një telefonate 30-sekondëshe ia ka bërë të ditur futbollistit Valon Behrami se nuk llogarit më në shërbimet e tij

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Behramit, i cili u shpreh mjaft i zhgënjyer, sidomos me mënyrën se si Petkoviqi ia ka bërë të ditur vendimin, raporton KTV.

Për futbollistin me prejardhje nga Kosova, vendimi i trajnerit ishte politik.

E, këto zhvillime nuk kanë kaluar pa u trajtuar në mediat zvicerane.

Është gazeta më e madhe në Zvicër, “Blick”, që kërkon arsye nga trajneri për vendimin e shumëdiskutuar.

Madje, Andreas Boeni, i cili udhëheq me sektorin e sportit në këtë gazetë prestigjioze, kërkon që Petkoviqi të japë dorëheqje.

“Zvicra është e habitur nga qasja joprofesionale e Petkoviqit në rastin e Valon Behramit. Kupa është mbushur, trajneri duhet të zëvendësohet”, ka shkruar gazeta.

“Blick” tutje ka shtuar se më e pakta që do të duhej të bënte trajneri ishte të ftonte Behramin në një darkë, e t’ia premtonte një ndeshje lamtumire.

Behrami ka gëzuar përkrahje të madhe publike në Zvicër, pasi u njoftua se do të largohet nga kombëtarja.

Sipas mediave tjera në Zvicër, Behrami është përjashtuar nga kombëtarja për shkak të peshës në rritje të tij në dhomat e zhveshjes, duke u bërë sipas tyre, një pengesë e madhe për Petkoviçin.

Ndryshe, 33-vjeçari ka luajtur për Zvicrën për plot 13 vjet dhe ka 83 ndeshje të zhvilluara.

Po ashtu, Behrami është paraqitur në katër kampionate botërore dhe dy kampionate evropiane, si asnjë lojtar tjetër i Zvicrës.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *