Ekonomi, Lajmi kryesor

Olluri: Biznesi i familjes së presidentit Thaçi ka përfituar nga Bechtel-Enka

Drejtori gjeneral i Insajderit, Parim Olluri ka folur për dhënien e 53 milionë eurove për kompaninë Bechtel-Enka. Ai ka përmendur afërsinë e disa kompanive të lidhura ngushtë me politikanë vendorë, e që janë nënkontraktuar nga kompania turko-amerikane. Përmend edhe faktin që për Bechtel-Enka kanë qenë të angazhuar kamionët e Zvonko Veselinoviq. Kurse, i fajëson Lutfi Zharkun dhe Pal Lekajn, të cilët sipas tij nuk kanë bërë çfarë duhet që shteti të mos e paguante këtë shumë të madhe parash

Drejtori gjeneral i Gazetës Insajderi, Parim Olluri ka komentuar dhënien e 53 milionë eurove nga qeveria e Kosovës për kompaninë Bechtel-Enka. Ai ka thënë se qeveria është duke paguar për shkelje të kontratës me kompaninë turko-amerikane, por që si tha ai nuk kanë arritur që ta detyrojnë këtë kompani, që ajo së pari ta respektojë atë kontratë.

Olluri gjithashtu ka shtuar se nënkontraktuesit e Bechtel-Enkas, kanë qenë shumë kompani që janë të lidhura ngushtë me politikanë vendorë, ndër to, kompania ‘Geo Mineral’, gurthyesi i familjes së presidentit Hashim Thaçi.

“Qeveria po paguan miliona euro për mos respektim të kontratës me Bechtel Enka-n. Por, Qeveria ka lejuar që Bechtel Enka ta shkelë kontratën. Nuk ka arritur ta dëtyrojë këtë konzorcium që ta respektojë kontratën. Bechtel-Enka ka qenë e detyruar që 40 përqind e nënkontraktuesve të jenë vendor. Nuk e ka publikuar asnjëherë listën e nënkontraktorëve. Nuk dihet se në farë mënyre kanë dhe në xhepat e kujt kanë përfunduar paratë e autostradës. Kanë përfituar kompani të fuqishme të lidhura me politikanët. Një prej nënkontraktorëve ka qenë kompania ‘Geo Minera’, gurthyesi i familjes së presidentit Thaçi”, ka thënë Olluri.

Kompania ‘Geo Mineral’, kompani e cila ka qarkullim milionësh, është në pronësi të Idriz Thaçit, vëllaut të presidentit Hashim Thaçi. Kjo kompani kishte qenë e kontraktuar me konzorciumin Bechtel Enka, i kontraktuar për ndërtimin e autostradës së Kosovës. Këtë e kishte konfirmuar Sami Heta, menaxher i punishtes së “Geo Mineral”, në Astrazub. “Kemi qenë të kontraktuar nga Bechtel-Enka por tash më nuk jemi për shkak se e kemi rritur çmimin e zhavorit”, kishte thënë Heta.

Olluri ka kritikuar edhe për faktin që nuk është bërë publike kontrata në mes qeverisë dhe kompanisë Bechtel-Enka. Madje, thotë se për ndërtimin e austradave nga Bechteli, janë përdorur edhe kamionë të Zvonko Veselinoviq, i njohur ndryshe si krye-mafiozi i Veriut të Mitrovicës. “Ne nuk e kemi parë kurrë kontratën siç duhet. Nuk e kemi ditur kush janë nënkontraktorët. Kemi parë që janë përdorur edhe kamionët e Zvonko Veselinoviq”

Ai fajtorë për dhënien e 53 milionë eurove i ka bërë edhe ish-ministrin e Infrastrukturës, Lutfi Zharku dhe ministrin aktual, Pal Lekaj. Në Info Magazine të Klan Kosovës ai ka deklaruar se në fakt problemi gjenezën e ka në kohën kur ministër i Infrastrukturës ka qenë Fehmi Mujota, por se pastaj as Lutfi Zharku e as Pal Lekaj nuk kanë bërë çfarë duhet që shteti të mos e paguante këtë shumë të madhe parash.

“Këtë e shoh si kurorëzim të tërë historisë tetëvjeçare të keqpërdorimit dhe keqmenaxhimit të kontratave që qeveria ka nënshkruar me Bechtel&Enka. Ishte tendencë e minsitrit Pal Lekaj për ta fajësuar ministrin paraprak Lutfi Zharku për keqpërdorim”.

“Është shkelje ligjore sepse Bechtel&Enka ka fituar tenderin duke rrëzuar kompanitë tjera që kanë kërkuar më shumë. Në vitin 2014 kur është nënshkruar kjo kontratë ministër i Infrastrukturës ka qenë Fehmi Mujota”.

“Ka pasur menjëherë reagim të LDK-së, pas koalicionit me PDK-në. Madje vet ministri Zharku ka thënë që ka mospërputhje dinamike. Pastaj gjatë qeverisjes të LDK-së për tre vjet nuk ka arritur të evitohet problemi. Aq sa është fajtore qeverisja aktuale, aq është edhe ish-qeverisja”.

“Ka pasur një hetim nga EULEX para gjashtë ose shtatë vjetësh, por ai nuk ka ecur tutje. Nuk ka pasur asnjëherë auditim të përgjithshëm nga Zyra e Auditorit. Dihet çfarë duhet të bëjë tani prokuroria. Por a mund ta bëjë atë gjë? Pritjet e mia janë se ajo nuk do të bëjë asgjë në këtë drejtim”.

“Në disa raste punëtorët e kësaj kompanie kanë vdekur në vendin e punës dhe ajo është dënuar me vetëm 7 mijë euro. Megjithëse nuk i ka plotësuar kushtet për punë të punëtorëve”.

“Ne kemi parë që nënkontraktor i Bechtel&Enka ka qenë një kompani e familjes të presidentit Hashim Thaçi. Ne nuk e kemi parë kurrë kontratën siç duhet. Nuk e kemi ditur kush janë nënkontraktorët. Kemi parë që janë përdorur edhe kamionët e Zvonko Veselinoviq”./Insajderi.com

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *