Lajme, Lajmi kryesor

Njeriu, ideja dhe sendërtimi i idesë

Në kohën e planetarizmit apo të shekullit XXI, duket se ne shqiptarët kemi shumë « hesape » të pa mbyllura me shekujt e kaluar, apo ndryshe ende do të “ vuajmë” shumë nga të “vdekurit”

Nga Bejtush Isufi

Njëra nga dëshmitë që po përsëritet për ditë është pamundësia për të kuptuar dallimin në mes idesë dhe individit (liderit) dhe mungesa e këtij dallimi është bërë një pengesë e madhe për të ardhmen, një pengesë për të ngritur shtetin dhe institucionet e tij.

Nuk mund të mos ketë lidhje të fuqishme, e jo vetëm ngjashmëri sipërfaqësore me të kaluarën historike fakti i besimit të përhapur te ne shqiptarët se udhëheqësit janë shpëtimi ynë, e jo institucionet tona.

Kështu ishte për shembull gjatë periudhës së pushtimit të Kosovës, që ishte pak më e kuptueshme, por edhe pas çlirimit mbetët shumë i përhapur besimi se vlerat e luftës së UÇK-së mund të mbrohen vetëm duke i pasur në udhëheqje njerëzit e sajë, pra luftëtarët, mbase duke dyshuar se atëherë kur brezi i pjesëmarrësve të luftës do të largohet, lufta do të harrohet dhe nuk do të ketë më kush ta mbroj atë?!

Nëse një luftë nuk arrin të mishërohet me kujtesën dhe ndërgjegjen e një populli, pra të “gravoj” porosinë e sajë në kujtesën kolektive, ajo luftë është e humbur, pra ky “mësim “ kurrë nuk do të përvetësohet vetëm për shkak se i kemi fizikisht dhe në pushtet bartësit e sajë.

Është mësim klasik se si “mbillen”, “ujiten” dhe “kultivohen” vlerat shpirtërore, historike dhe kombëtare dhe para se ti mësojmë të tjerët si duhet ta bëjnë këtë, ne duhet të dëshmojmë se kemi mësuar diçka nga shkenca e shtetformimit, përkatësisht të shohim si të tjerët e kanë bërë këtë tashmë.

Në përvjetorin e madh të Skënderbeut, doemos do të na kujtohet porosia e tij e madhe me rastin e hyrjes së tij në Krujë; “Lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta në mes jush” ( në këtë kontekst nuk ka rëndësi se a ishte kjo thënie e vetë Skënderbeut apo e biografëve të tij) dhe pastaj të kthehemi në realitetin e sotëm shqiptar për të kuptuar se e kundërta e thënies së mësipërme po trumbetohet me zë të lartë. Shumë ngjashëm, ashtu siç shihej Enver Hoxha, shiheshin më vonë Sali Berisha e Ibrahim Rugova, ndërsa kështu shihen edhe sot udhëheqësit e luftës së UÇK-së, ndërsa tani edhe Albin Kurti. Jo misioni apo ideja, por lideri. Sa më gjatë që të vazhdoj kjo jehonë ahistorike në ajër, aq më të “mëdha” do të jenë “të korrat” e sajë në tokë.

Edhe pse shkruhet e flitet sot për përmbajtjet bashkëkohore politike, kur kthehemi e shohim jetën tonë të përditshme, vendimet, sjelljet dhe metodat e veprimit politik, kuptohet se nuk kemi hequr aspak dorë nga e kaluara, përkundrazi, qytetarëve vazhdon tu servohët “ menyja” e vjetër dhe ata po ashtu vazhdojnë të “konsumojnë” atë, e pastaj kuptohet se nuk pritet që ata të sillen ndryshe nga modeli i shërbyer.

Pavarësisht se cilët janë udhëheqësit dhe cilat janë partitë politike apo liderët politik, kudo në tokat shqiptare, të gjithë pa përjashtim nuk do të ndërrojnë veprimet e tyre pushtetore, përderisa të mos kemi një qytetari aktive dhe të emancipuar politikisht, e cila do të çlirohet nga e kaluara, pra nga identifikimi i idesë me individin-liderin. Ky identifikim është edhe kufiri por edhe dëshmia më e mirë se “sëmundjet” e shekujve që menduam se i hodhëm pas shpine, ende nuk i kemi tejkaluar. Kuptohet se nëse pritet që ky ndryshim të vijë vetëm prej partive politike, ai ndryshim do të vonohet shumë apo nuk do të arrij kurrë.

Qytetarët, intelektualët, shoqëria civile dhe rinia duhet të bëjnë luftën e përditshme të zhvillimit të ideve përparimtare dhe bashkëkohore të cilat ide duhet të bëhen “lëndë djegëse” për institucionet bashkohore dhe demokratike, të cilat pastaj duhet të çlirohen nga tutela partiake dhe ti shërbejnë misionit të madh të çlirimit dhe të mirëçenies, të demokracisë dhe vetëvendosjes.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *