Lifestyle

Në vend të përkujtimit për Dr. J.K.

Nga Sami Uka

…askush nuk do shkruajë përkujtim për të. As unë nuk jam i thirrur ta bëjë këtë. As ata që ia nxinë jetën dhe ‘rriteshin’ duke u tallur me sëmundjen e tij. Për një arsye apo një tjetër kam frikë se as familja s’do ta bëjë këtë. Ai mbase është personifikimi i fatit të njerëzve me probleme të ngjashme apo të njëjta në sishtetin tonë që sikur po përpiqet të marrë veten dhe të nxë rrugën e drejtë dhe të përparimit.
Nuk e dija se do më dhimbsej kaq shumë. Mbase për shkak se isha nga ata që kurdo që e shihnin bënin përpjekje ta shmangin. Po, po zgjidhja ta shmangë sepse as nuk kisha kurajë të dëgjojë ankesat e tij të arsyeshme dhe të gjata për zullumin që i bënin axhamitë dhe të marrët dhe as isha ai që i bëja ndonjë zgjidhje. Prandaj kjo më bënte me kokëdhembje dhe anipse mund ta merrja me mend se biseda me mua mund t’i ndihmonte atij sadopak, egoizmi më kërkonte të kurseja shëndetin tim.

Kisha dëgjuar për të … për dashurinë e tij të dështuar që thashethemexhinjtë e regjur e lidhnin me problemin e tij mendor dhe ngecjen e vijueshmërisë shembullore të studimeve. Pastaj u mësova ta shohë rrugës dhe të ndjejë dhembje dhe mëshirë për të: “ajo mjeke – unë mjekë; asaj i mungon një dhëmbë këtu – edhe mua bash aty më mungon një dhëmbë; Zoti na ka krijue për njëri tjetrin!” – i dëgjoja kolegët tek përsërisnin rrëfimin për shkarjen e tij.

Fati deshi që pas dëbimit nga Kosova në vitin 1999 të gjendemi në kampin e njëjtë të refugjatëve në Kirklareli të Turqisë. Ishte vetëm me të ëmën meqenëse thuhej se e shoqja i ishte ndarë. Vazhdimisht e shihja me të ëmën tek tymoste ndonjë cigare dhe përherë i gatshëm të futej në bisedë. Mbrëmjeve tek çadra e TV-së ai ishte përherë i stacionuar në radhën e parë për të dëgjuar lajmet.

Pas lufte filloi specializimin e MF dhe rastisi që mes trajnerëve të tij të jem edhe unë. Përkundë problemeve të tij ai ishte më i miri në testet e provimeve. Gjithmonë i përqendruar maksimalisht në testin e vet. Teorikisht qëndronte më mirë se unë që i ligjëroja. Jo shumë kohë pas specializimit që e përfundojë me sukses më ndali në rrugë dhe më tregoi se kishte botuar librin e parë për jetën e tij të rëndë – për vuajtjet e tij dhe se e kishin ndihmuar njerëz vullnetmirë. Ndjehej i përmbushur, i realizuar dhe më erdhi shumë mirë. Pastaj dëgjova se fillojë të punonte në MF. Më pas ai vet më tregoi se e kishin transferuar në këndin e rehidrimit oral.

Ndjehej i lënduar dhe nëpërkëmbur. Kjo ndjenjë nuk ishte e huaj për të. Megjithatë kishte pritur trajtim më të mirë nga kolegët. Athua mund të bënim më shumë për të?! Nuk e di…sot kur mora vesh për vdekjen e tij vërtet u ndjeva shumë keq. A mund të bënim më shumë si shoqëri, si shtet për të dhe njerëzit me halle të njëjta? Kush duhet t’u tregojë pushtetarëve tanë, politikë-bërësve dhe vendim-marrësve tanë se njerëzit si ai sot vlejnë për koka gjeniale të letërsisë dhe shkencës botërore?! Apo ndoshta iu tregojmë kot sepse këta nuk mërziten as për ata të shëndoshët e lëre më për ata me probleme.

Zoti pastë mëshirë për ty J.K! Nuk ishe e keqja e askujt anipse nuk përjetove mirësinë e askujt pos mbase prindërve tu! Mirësi kishe dhe ke pasur mundësi dhe gatishmëri të ofrosh. Nuk është faji yt që ne nuk deshëm dhe nuk ditëm ta pranojmë mirësinë tënde origjinale dhe të dëlirë. Zoti pastë mëshirë edhe për mëkatarët që me veprimin apo mosveprimin tonë shtuam vuajtjet Tua!
Pusho në paqe!

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *