Lajme, Lajmi kryesor

Ndryshimi i ekuilibrave politikë në Europën Perëndimore: E majta tkurret, e djathta fiton terren

Zgjedhjet e së dielës së kaluar në Suedi çuan një hap më përpara një trend që ka nisur prej disa kohësh në Europën Perëndimore: rritjen e partive populiste të djathta dhe rënien e partive të majta të qendrës

Për herë parë, e djathta ekstreme, Demokratët Suedezë, hyri në Parlament në vitin 2010, me 6% të votave. Që prej atëherë, ata janë trefishuar. Në zgjedhjet e së dielës, ata u renditën parti e dytë me 18% të votave, pas socialdemokratëve të qendrës së majtë, të cilët regjistruan rezultatin më të dobët elektoral të 100 viteve të fundit.

Një vështrim i përgjithshëm i skenës politike në Europë tregon se Demokratët Suedezë nuk përbëjnë anomali. Në zgjedhjet e mbajtura gjatë dy viteve të fundit, socialistët francezë, socialdemokratët gjermanë dhe Partia e Punës në Holandë, të tria parti të mëdha të qendrës së majtë, kanë shënuar rezultatet më të dobëta të periudhës së pasluftës. Po ashtu, parti të majta dikur të forta në Austri, Danimarkë, Finlandë, Norvegji dhe Spanjë janë pranë minimumit historik në aspektin e rezultateve zgjedhore. Kjo konstatohet në një analizë tëinstitutit kërkimor Pew.

Jo të gjitha partitë socialdemokrate janë në këtë pozicion. Përjashtim bëjnë laburistët në Britani, që në zgjedhjet e e vitit 2017 morën 40% të votave.

Megjithatë, shumica e partive të qendrës së majtë në Europën Perëndimore pozicionohen më dobët se para 20 vjetësh.

Arsyet për këtë dobësim të pozitave të tyre, sipas vëzhguesve, janë disa. Në disa raste, këto arsye janë specifike për secilin vend. P.sh. në Francë, shumë ia faturojnë rënien e Partisë Socialiste ish-presidentit François Hollande. Mandati i tij u karakterizua nga reforma ekonomike që nuk gjetën mbështetje, sulme terroriste të përgjakshme dhe skandali personal me një aktore.

Dobësimi i Partisë Socialiste Franceze prishi sistemin dypartiak dhe u hapi rrugën sfiduesve të rinj që hynë në spektrin ideologjik, përfshirë Presidentin aktual, Emmanuel Macron.

Në të kundërt, Partia Socialdemokrate në Gjermani ka pasur rënie për dekada të tëra. Mbështetja e votuesve ra më shumë se asnjëherë në vitin 2005, pasi kancelari Gerhard Schröeder vendosi shkurtime në rrjetin e sigurimeve shoqërore. Rënia vijoi edhe më pas me krizën financiare që mbërtheu botën, krizën e emigrantëve dhe dy qeveritë e koalicionit mes Angela Merkel dhe CDU-së së qendrës së djathtë. Këto koalicione i lanë votuesit pa një alternativë të qartë të qendrës së majtë përballë CDU-së së Merkelit.

Partitë e qendrës së djathtë në Europën Perëndimore në përgjithësi nuk kanë përjetuar rënie të ngjashme. P.sh. Partia e Moderuar e Suedisë fitoi 23% të votave në vitin 1998 dhe 20% këtë vit. Partia e Koalicionit Kombëtar Finlandez ka ruajtur mbështetje relativisht konstante, duke rënë vetëm 3% nëse krahason zgjedhjet e vitit 1998 me ato të vitit 2015. Për më tepër, ajo ka fituar një pjesë më të madhe të votave sesa Partia Social Demokratike Finlandeze në secilën prej tre zgjedhjet e fundit, diçka që nuk e kishte arritur kurrë më parë.

Për shkak të rënies së qendrës së majtë në pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore dhe qëndrueshmërisë së qendrës së djathtë, shumica e vendeve të Evropës Perëndimore udhëhiqen nga parti të qendrës së djathtë.

Vetëm dy vende, Italia dhe Franca, qeverisen nga parti relativisht të reja që i kanë shpëtuar skemës tradicionale e majtë-e djathtë, edhe pse të dyja kanë ndjekur axhenda që ekspertët i shohin si të djathta. Vetëm dy vende në Europë drejtohen nga qendra e majtë: Spanja, e cila udhëhiqet nga Partia e Punëtorëve Socialistë dhe Portugalia, e qeverisur nga Partia Socialiste. / Kyle Taylor / Pew Research Center TemA TV/

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *