Ekonomi

Mosmarrëveshjet tregtare SHBA – Kinë

Ministria e Jashtme e Kinës thotë se bisedimet tregtare me Shtetet e Bashkuara janë të pamundura në kushtet e tanishme. Kjo deklaratë vjen pasi Shtetet e Bashkuara vendosën tarifa të reja ndaj mallrave kineze, një veprim që u pasua me përgjigje të ngjashme nga Pekini

Të dielën, duke komentuar në Twitter, Presidenti Donald Trump parashikoi se do të arrihej zgjidhje ndaj ballafaqimit të Shteteve të Bashkuara dhe Kinës për çështjen e tarifave ndaj mallrave të dy ekonomive më të mëdha të botës.

Presidenti Trump bëri një parashikim, duke thënë se Kina “do t’i hiqte barrierat e saj tregate, sepse është masa e duhur që duhet ndërmarrë.”

Por të hënën, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Geng Shuang, ishte pesimist lidhur me situatën dhe fajësoi Shtetet e Bashkuara për gjendjen e ngërçit në marrëdhënet mes të dy vendeve:

“Prej disa kohësh, zyrtarët e financave të të dy vendeve nuk kanë patur bisedime për tregtinë. Në rrethanat aktuale, bëhet edhe më e pamundur për të dyja palët, që të bisedojnë për këto çështje. Unë mendoj se grindjet tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës janë një provokim nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe përgjegjësia bie tërësisht tek pala amerikane. SHBA nga një anë përdorin kërcënimin me sanksione dhe në të njëjtën kohë duan të bisedojnë. Nuk jam i sigurtë se përse Shtetet e Bashkuara sillen në këtë mënyrë”, – tha zëdhënësi i Minsitrisë së Jashtme të Kinës.

Kërcënimet e Uashingtonit dhe Pekinit kanë tronditur tregjet financiare të botës.

Aksionet në Shtetet e Bashkuara ranë më tepër se 2 për qind të premten, pasi presidenti Trump kërëcënoi se do të vendoste tarifa ndaj mallrave kineze me një vlerë prej 100 miliardë dollarësh, përveç produkteve me vlerën e 50 miliardë dollarëve për të cilat ai kishte thënë më parë se do të prekeshin.

Pekini u përgjigj, duke thënë se do të vendoste tarifa ndaj mallrave amerikane, “deri në fund dhe me çdo lloj kostoje”.

Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin, tha të djelëjn në televizionin CBS, se rreziku i vendosjes së tarifave më të larta përbënte kërcënim për një luftë tregtare, por se ai nuk pret që kjo të materializohet.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *