Opinion

Mos e takso t’ardhmen

Nga Zef Zefi

Thonë se një ditë William Gladestone, atëherë i ngarkuari më i lartë i mbretëreshës Viktoria me detyrën e kancelarit të ekonomisë, financave, tregut e thesarit, viziton laboratorët e Michael Faraday. Legjenda thotë se nëpunësi i lartë i mbretëreshës, duke parë me habi përqëndrimin e gjeniut në punët e tija të pakuptimta për të, i bën një pyetje idiote: “…e çuditshme, po çfarë dreqin shërbejnë gjithë këto rrakuke?”

“Tani për tani nuk e di as unë sër, po ajo që di me siguri është se një ditë, ju do t’i vini një taksë të majme sipër,” – ishte pëgjigja flakë për flakë e tjetrit.

Pak vite më vonë Faraday do të bënte që të fikeshin një herë e përgjithmonë, qirinjtë dhe kandilat e ndriçimit të Anglisë e mbarë botës. Shkencëtari përveç se njohës i mekanizmit të ndriçimit, të magnetizmit, dhe punëve të çuditshme të shkencës, paskësh qënë po aq njohës edhe i mekanizmit të taksave sa dhe nëpunësi i lartë i Mbretëreshës.

Mbas më pak se pesë vitesh, ish-opozitari dhe vizionari i sloganit idiot “rrugët e askundit” bërtiste sa i skuqeshin veshët, se këto lodra të Saliut nuk i vlejnë askujt.

E njejta britmë kundër dixhitalizimit, kundër TAP, kundër NATO, kundër liberalizimit të vizave, kundër autostradave të Jugut dhe gjithë urbanizimit, madje edhe kur Presidenti i SHBA që po jepte njoftimin historik të Pavarësisë së Kosovës, ai u mor me orën e tij të dorës. Tani kthehet tek Rruga e Kombit, dhe po aq idiot sa kur ishte në opozitë, dhe pa u tharë kuintalët e pështymës se Ruçit, Ballës e top-braçeve, udhëtarit i cili e ka paguar një herë këtë rrugë,(sipas tij shumë shtrenjt) i kërkon edhe ditën e punës ta dorëzojnë në xhepin e qeverisë se tij të babëzitur.

Sigurisht çdo krahasim çalon, ruajna zot, personazhet e rrugëve dhe qeverive tona. Po ajo që mbetet prej gjeniut, përveç dritës dhe magnetizmit mbi të cilin sot vrapojnë super-trenat modernë, është dhe këshilla lakonike, të cilën supernëpunësi perandorak i shekullit të XIX Gladestone me sa thonë, s’e harroi kurrë: “Mos e takso të ardhmen…!

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *