Lajme, Lajmi kryesor

Mocioni ndaj qeverisë është i domosdoshëm, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme!

Njohësi i çështjeve politike, Haki Abazi në një prononcim për “Gazeta Blic”, ka komentuar paralajmërimin e LDK-së për ngritje të mocionit ndaj Qeverisë Haradinaj. Abazi ka thënë se mocioni për qeverinë është i domosdoshëm.Sipas tij pas daljes së Listës Serbe nga Qeveria dihet se kjo qeverinë më nuk i ka numrat e mjaftueshëm për asnjë çështje

“Mocioni për qeverinë është i domosdoshëm dhe në fakt është e qartë që pas tërheqjes së Lista Srpska qeveria nuk i ka votat e mjaftueshme që do të thotë se kjo qeveri ka mbaruar dhe nuk ka mandat”, ka deklaruar ai. Abazi ka kritikuar ashpër këtë qeveri duke thënë së është e mbështjellur me arrogancë dhe arbitraritet.“Nuk mund të vazhdohet të luhet me demokracinë, rregullat e saj dhe funksionimin e sistemit demokratik.

Është brengosëse se si adresimi i këtyre çështjeve po bëhet duke u shprehur me injorancë të mbështjellur me arrogancë dhe arbitraritet. Abortimi i institucioneve të shteti ka ndodhur disa herë në historinë e Kosovës, ju kujtoj kur parlamenti sabotohej nga deputetet e koalicionit qeverisës për të ruajtur pozicionet e tyre”, tha ai.

Abazi më tej ka folur edhe për dështimin e fundit të institucioneve të vendin me rastin e arrestimit dhe depërtimit të gjashtë shtetasve turq.“Shumica e atyre emrave të atëhershëm sot kanë aktakuza të ngritura nga Prokuroria Speciale për involvimin e tyre në kapjen e shtetit. Kjo formë e sjelljes ndaj shtetit ka krijuar rezultate e mijëra dhe të vështira por tani kemi edhe nivel të lartë të trajtimit joserioz nga shtetet tjera siç ishte rasti i Turqisë.

Tani si duket kanë kuptuar se në vendin tonë qeveriset me logjikën e individëve të papërgjegjshëm dhe që asnjë gjë nuk ju bën përshtypje përfshirë edhe integriteti dhe siguria kombëtare. Niveli i disiplinës dhe seriozitetit me të cilën po trajtohet shteti dhe institucionet e tije kurrë nuk ka qenë në nivelin me të ulët se tani”, është shprehur ai, përcjell Gazeta Blic. Edhe njëherë analisti ka ritheksuar nevojën për shkuarje në zgjedhje të reja por sipas tij fillimisht duhet krijuar një qeveri e mirëbesimit.

“Kjo përbën një situatë të rrezikshme dhe me pasoja të pa parashikueshme me mundësi befasimi. Rrjedhimisht mocionin dhe shkuarja në zgjedhje të reja nacionale është domosdoshmëri por prapë insistoje që ato zgjedhje duhet të kenë një fazë përgatitorë nga një qeveri e mirëbesimit për të krijuar kushte dhe rrethana të komfortit për votuesit që të dalin dhe të përzgjedhin nga pozita e barabarta përfaqësuesit e tyre”, ka përfunduar analisti.

Ndryshe, në një konferencë për media Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka paralajmëruar se shumë shpejt vendi do të shkojë në zgjedhje kjo për shkak të keqqeverisjes së Qeverisë Haradinaj. Hoti i ka dhënë ultimatum Qeverisë së Kosovës që ta rrëzojë veten ose siç tha ai, shpejt do të nisin mocionin e mosbesimit.

Ai tha se kjo Qeveri është pakicë si në Kuvend ashtu edhe në secilin prej Komisioneve.“Unë po çuditna kur e thonë se qeveria është stabile, në kushte normale ata duhet menjëherë të dalin para kuvendit dhe të japin dorëheqje.

Qëndrimi i kryesisë së LDK-së nga mbledhja e para disa ditësh është vendim që vendi nuk duhet të qeverisët nga kjo qeveri e pakicës dhe as temat e mëdha nuk mund të adresohen nga kjo qeverie, njëjtë siç është dialogu me Serbinë”, është shprehur Hoti. Ai tha se është e rëndësishme që të dakordohen për datën e zgjedhjeve. Nëse kjo nuk ndodh në jemi të obliguar të çojmë para mocionin për rrëzimin e Qeverisë.

Kujtojmë se Lista Serbe është larguar nga Qeveria Haradinaj, pas arrestimit të zyrtarit serb, Marko Gjuriq, madje kryetari i Listës, Goran Rakiq ka paralajmëruar institucionet kosovare që me 20 prill do të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. Në anën tjetër, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se pret reflektim nga Lista Serbe dhe se ajo do t’i kthehet prapë qeverisë që ai udhëheq.

Koalicioni qeverisës aktualisht ka vetëm 52 vota. Por një gjë e tillë nuk po e brengos, kryeministrin e vendit sepse ai është shprehur i bindur që edhe nëse Lista Serbe nuk i ribashkohet, ai ka përkrahjen e disa grupeve parlamentare shqiptare./GazetaBlic

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *