Ekonomi, Lajmi kryesor

Minatorët paralajmërojnë grevë të përgjithshme nëse nuk u plotësohen kërkesat

Me thirrjet “Trepça është e jona”, “Jetën e japim Trepçën se japim”, punëtorët e Trepçës kanë protestuar për një orë para Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar nga institucionet e vendit, plotësimin e kërkesave të tyre

Kërkesat e tyre janë: njohja e pensionit 70 përqind e pagës, mosha 50-55 vjet, Ligji për invalidët e punës, stazhi i benificuar, sigurimi shëndetësor në punë, njohja e stazhit 89-99 si dhe pensioni familjar. Shyqyri Sadiku kryetar i Sindikatës së minatorëve të Trepçës tha kjo protestë një orëshe është paralajmëruese dhe se në rast se institucionet nuk marrin parasysh kërkesat e tyre, atëherë ata do të hyjnë në greva dhe në protesta në rrugë, të cilat nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesave që ata kanë.

Ai tha se janë duke pritur qe 19 vjet për përmbushjen e kërkesave të tyre, të cilat sipas tij janë të arsyeshme. Sadiku tha se kërkesë e tyre është që të gjitha asetet e Trepçës e që janë gjithsej 27, të futen në draft statut dhe të formohet një komision i përbashkët nga Qeveria, menaxhmenti i Trepçës dhe bordi, me qëllim që të gjitha asetet të trajtohen një nga një.“Ne i drejtohemi nga ky protestë paralajmëruese të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës, duke nisur nga Qeveria, Kuvendi nga të gjithë deputetët e Republikës së Kosovës këto kërkesa t’i marrin parasysh se janë kërkesa të arsyeshme dhe të drejta. Kërkesat nuk janë veç kërkesa sociale.

Janë kërkesa që Trepça për momentin me draft statutin të cilin e ka punuar një bord i Trepçës, i cili është një bord politik dhe një bord i padijshëm e ka rrezikuar Trepçën. Trepça është e rrezikuar se të gjitha vend burimet përreth minierave nuk i kanë fut në draft statut….Edhe njëherë iu apeloj të gjitha institucioneve që nëse nuk merren parasysh kërkesat tona, afati është 09.07.2018 dhe atëherë do të fillojnë grevat e përgjithshme, ose do të ketë protesta në rrugë apo greva që do të jenë dhe greva me ngujimin në minierë“, tha Sadiku.

Ndërkaq Avni Ajdini kryetar i BSPK-së kërkoi nga Qeveria që ta marrë një hap të guximshëm, për t’i zgjidhur problemet e minatorëve dhe të dal me një plan për të diskutuar, përndryshe protestat e minatorëve do të vazhdojnë.“Këto po ma rikujtojnë kohën e kaluar, kur kemi protestuar të gjithë së bashku. Megjithatë na erdh puna edhe tani me protestu përsëri, për të drejtat tona elementare. Kjo sot çka është me Trepçën, është një turp nga vet Qeveria jonë. Sepse minatorët janë harruar, atje nën tokë dhe askush nuk kujdeset për ata. Kërkesat e punëtorëve sot për me rujt Trepçën janë legjitime dhe në asnjëherë nuk do të lëshojmë pe që Trepçën do ta humbim”, tha Ajdini.

Megjithëse kërkesë e tyre ishte që të takoheshin me kryeministrin dhe kryeparlamentarin, para tyre dolën deputetët e VV-së Sami Kurteshi, Fitore Pacolli dhe Xhelal Sfeçla. Si dhe deputeti i Nismës Milaim Zeka, të cilët u premtuan protestuesve, se do ta kenë përkrahjen e tyre.“ Në qoftë se baballarët tanë kanë ardh dhe iu kanë vizitu kur keni hy brenda dhe keni bërë veprën më heroike për neve është marre mos me u solidarizu me juve. Ka njerëz brenda parlamentit që kur kamionët e Trepçës me mallrat e mineralet e Trepçës, janë shkruar 250 euro, kur kanë mbrri në Kinë janë shitur 250 mijë euro .Dëgjoni vllazën hajni nuk ka identitet. Nuk ka nevojë me qenë as serb as malazez as kroat as rom as shqiptar, për me kanë hajn. Hajnat e vjetër e hajnat e ri e kanë vjedh Trepçën. Ata iu kanë pru në këtë situatë ku jeni”, tha ai.

Sami Kurteshi i Vetëvendosjes tha se partia e tij nuk do të lejojë legalizimin e shitjes dhe të humbjes së Trepçës, për shkak të interesave të ngushta private dhe ekonomike, të disa personave.Kurteshi: Ne do të iu përkrahim (video) “Tash ka ardhur statuti për ndarjen e Trepçës për rregullimin e punëve, sipas ligjit dhe këtë e kemi kundërshtuar. Ne e kemi mbajtur një takim edhe me ekspertët në lidhje me statutin që është ofruar dhe nuk ka qëllim tjetër përveç legalizimit të huajsimit të Trepçës nga punëtorët dhe nga pasuria publike. VV as tash as përpara nuk do të lejojë legalizimin e shitjes dhe të humbjes së Trepçës, për shkak të interesave të disa personave që kanë interesa të ngushta private dhe ekonomike”, tha ai.

Por Qazim Avdyli, minator në minierën e Artanës ishte i pakënaqur që para tyre dolën deputetët. Ai kërkoi që para tyre të dal vet kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i cili tha se u kishte bërë premtime të shumta, gjatë fushatës.“Kisha bërë apel deputetëve qeveritar, mos të vijnë në emër të partive me na tradhtu neve minatorëve. Sepse ne nuk tradhtohemi, ne nuk jemi për parti, ne jemi për zhvillim dhe ndërtim të Kosovës….Ne po e dojna kryeministrin me ardh. Se ka ardh para zgjedhjeve na ka premtu, i ka dhënë premtimet e veta. Tani e ka ndreq fotelen e vet. I ka bërë 4 mijë euro rrogë, më nuk po ndin as për minatorët as për banorët e Kosovës”, tha ai.Ndryshe pas një ore proteste, protestuesit u shpërndanë të qetë. Ata i kanë dhënë ultimatum institucioneve që të merren me kërkesat e tyre deri më 9 korrik. Përndryshe kanë paralajmëruar greva edhe protesta, deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *