Lajme, Lajmi kryesor

Mbretërit tanë të rrejshëm

Njerëz që prezantohen rrejshëm ka pasur gjithmonë, ndërsa një i tillë në të kaluarën madje është pranuar dhe ka sunduar si mbret. Por, në kohë të sodit, një ambasador i rrejshëm në fakt zbuloi se sa të rrejshëm janë “sundimtarët” tanë për nga kompetenca, të cilët në kohën e internetit, kur mjaftojnë vetëm disa klikime në ekranin e kompjuterit apo të telefonit të mençur për të zbuluar se a është dikush ambasador a jo, mashtrohen për turp të botës nga një shakaxhi i dynjasë!

Nga Dush Gashi

Nuk na ka ndodhur vetëm neve të mashtrohemi nga një ambasador i rrejshëm. Gjatë historisë gjithmonë ka pasur njerëz, të cilët për përfitime të ndryshme, kanë prezantuar rrejshëm prejardhjen apo pozitën e tyre shoqërore. Ka edhe mjaft personazhe të tilla fiktive, ndërsa shkrimtari Nikollaj Vasileviq Gogol, në romanin e tij të njohur “Shpritra të vdekur”, e ka paraqitur gjendjen e rusisë feudale e të burokratizuar të kohës së tij nëpërmjet personazhit kryesor, i cili prezantohet rrejshëm si fisnik. Por, një tjetër mashtrues ishte i vërtetë në oborrin e carit rus. Gregori Rasputini, një pelegrin mistik dhe gjoja shërues, ishte prezantuar si i shenjtë, prandaj u bë i besuar i Aleksandra Feodorovnës, gruas së Car Nikollës II, monarkut të fundit rus, i cili lejoi atë të ushtrojë një ndikim të madh në oborrin perandorak të Rusisë deri në vrasjen e tij në Shën Petersburg.

Shçepani mbret

Malazezëve u ka ndodhur rasti më drastik – për disa vjet janë sunduar nga një mbret i rrejshëm! Edhe sot e kësaj dite nuk dihet me siguri se kush ishte njeriu, i cili në vitin 1776 u paraqit në Mal të Zi dhe u prezantua si Shçepani i Vogël (Šćepan Mali), por një rrethanë në Rusi e bën të besueshëm tregimin pse malazezët e morën për mbret. Sipas artikullit për të në Wikipedia, gjatë Krishtlindjes së atij viti ishin përhapur fjalë se cari rus Petri III, për të cilin mendohej se është vrarë nga dashnorët e bashkëshortes së tij Katerina II, e njohur gjithashtu si Katerina e Madhe, po fshehet në Mal të Zi dhe ai s’ishte askush tjetër pos Shçepani. Malazezët, nga dashuria që kishin për rusët, e pranuan të ardhurin si carin e tyre të ri (në vitin 1768) nën emrin Shçepani i Vogël. Vlladika Sava më kot ua kishtë përcjellë mesazhin rus se Shçepani s’ishte kush tjetër pos mashtrues, por populli e besoi të ishte ai mbret më parë se Sava. Pas kësaj, Shçepani i Vogël e burgos vlladikën Sava në një manastir dhe fillon të qeverisë së monark absolut. Pasi kishte dëbuar një sulm turk, një tjetër të Venedikut dhe i kishte shpëtuar një komploti rus, ai ka sunduar deri në vitin 1773, kur thuhet të jetë vrarë nga shërbëtori i tij grek, i paguar nga një bashkëkombas yni – veziri i Shkodrës, Mehmet Pashë Bushati.

Për çudi, ndonëse i rrejshëm si mbret dhe pa kurrëfarë përvoje në qeverisje, Shçepani i Vogël, gjatë sundimit të tij, jo vetëm që kishte bërë gjëra të mira në Mal të Zi, por edhe të pashembullta për atë kohë. Në një bashkësi primitive pa kurrëfarë rendi, çfarë ishte në atë kohë Mali i Zi, ai e kishte ndarë pushtetin shtetëror nga ai i kishës (!), ia ka dalë t’i shuajë grindjet ndërmjet fiseve malazeze, ka themeluar gjyqin e parë të përhershëm të përbërë nga 12 bajraktarë fisesh; ka formuar gardën trupore, si njësi të përhershme ushtarake; ka filluar ndërtimin e rrugëve dhe ka urdhëruar regjistrimin e popullsisë dhe të pasurisë!

Të mos harrojmë se jemi në shekullin në të cilin, ndonëse James Watti ka shpikur makinën me avull, do të duhet të kalojë edhe një shekull që hekurudha të bëhet mjet i përhapur transporti. Posta dhe shkresat mbretërore ende shpërndaheshin si në kohë të lashta, nga tatarët me kuaj dhe lajmet nga qendrat perandorake udhëtoni me ditë e me javë.

Ambasadori i rrejshëm

Por, një ambasador i rrejshëm në kohë të sodit, i pranuar hapekrah nga zyrtarë të lartë të shtetit të Kosovës, në fakt zbuloi se sa të rrejshëm janë “sundimtarët” tanë për nga kompetenca, të cilët në kohën e internetit, kur mjaftojnë vetëm disa klikime në ekranin e kompjuterit apo të telefonit të mençur për të zbuluar se a është dikush ambasador a jo, mashtrohen për turp të botës nga një shakaxhi i dynjasë. Dhe jo vetëm ata, por edhe një mori “oborrtarësh” të tyre, të cilët mbajnë tituj e grada.

Nuk ka qenë fare e vështirë që të shihet se Dr. Otto F. von Feigenblatt, i emëruar ambasador nderi i Kosovës nga presidenti Hashim Thaçi në mars të këtij viti, e i cili e “nderoi” Lutfi Hazirin, nënkryetarin e LDK-së dhe atë në emër as më pak as më shumë se të presidentit të ShBA-ve Donald Trump, është një anonim, të cilin thuaja se nuk e njeh fare bota virtuale. Kur e vë emrin e tij në kërkuesin e Google-it, të vetmet rezultate të cilat shfaqen janë kryesisht lajme mediesh, që kanë të bëjnë me të e më Kosovën. Në artikullin në enciklopedinë elektronike Wikipedia për ambasadorët e nderit të Kosovës, emri i tij, i cili shfaqet i fundit në listë, pas Franz Beckenbauerit, Xherdan Shaqirit, Valon Behramit, Granit Xhakës, Adnan Januzajt, Lorik Canës, Rita Orës dhe Majlinda Kelmendit, nuk është fare me hiperlink, siç janë të gjithë të tjerët, që do të thotë se kur të klikosh mbi emrin e tyre shfaqet një artikull tjetër në një faqe të re për të, me të dhëna më të plota rreth jetës dhe veprimtarisë. Vetëm emri i tij nuk ka hiperlink, që do të thotë se në Wikipedia nuk ka një artikull për të! Pastaj, deri sa të dhënat e të tjerëve ka edhe deri në 6 fusnota, të cilat paraqesin burimet e artikullit, për të ka vetëm një – nga presidenca e Kosovës! Vetëm nga këto do të mund ta konstatohej se diçka nuk është në rregull me ambasadorin Dr. Otto F. von Feigenblatt! Por, tashmë është më se e qartë se, sikur të mos ta bënte të njohur Kosova, Dr. Otto F. von Feigenblatti do të ende do te mbetej fare i panjohur për internetin!

Kjo sigurisht është e pamundur për dikënd, i cili i thotë vetes ambasador, madje i ShBA-ve. Për shembull, për ambasadorin e posaemëruar të ShBA-ve në Kosovë, Philip S. Kosnett, kërkuesi i Google-it për 0.29 sekonda jep 38.200 rezultate! Sigurisht se të gjitha këto rezultate nuk kanë të bëjnë me ambasadorin Kosnett, sepse më vonë paraqiten edhe shumë artikujt të cilët përmbajnë vetëm emrin Philip, apo mbiemrin Kosnett. Por, meqë rezultati i parë, nga faqja e ambasadës së ShBA-ve në Turqi, është shenjë pothuajse e sigurt se Philip S. Kosnett është ambasador i ShBA-ve! Dilemat e vogla të fundit të hiqen shpejt, pasi që fotot e tij që shfaqen në ekran janë kryesisht me në sfond flamurin a stemën e ShBA-ve! Kjo nuk ndodh kur e klikon emrin e tash të famshmit Dr. Otto F. von Feigenblatt!

Mbretërit lakuriqë

Meqë ra fjala, për vetë Hashim Thaçin, Google jep 2.790.000 rezultate dhe atë për 0,53 sekonda! (Koha dhe numri i rezultateve nuk del gjithmonë konstant, por rezultatet e para dalin gjithnjë po ato!)

Sot është e pamundur që gjatë punës intelektuale të mos i kesh të hapura disa tabela të internetit njëkohësisht në kompjuter – ndonjë fjalor, enciklopedi a media të ndryshme. Edhe ky artikull nuk do të mund të shkruhej në këtë formë pa ndihmën e internetit, ngase për këto subjekte, ndonëse të njohura për shumë kënd, të dhënat e detajuara për ta më askush nuk i kërkon nëpër enciklopeditë e shtypura të pluhrosura.

Por, për fat të keq, tërë këto njohuri, të cilat është e tepërt edhe të shkruhen sepse i dinë madje edhe kalamajtë, janë të kota. Sado që përditë “mbretërit” tanë zbulohen të jenë lakuriq, ende ka mjaft njerëz, të cilët u besojnë dhe i ndjekin si idhuj. Ndoshta ngushëllim i vogël është se kjo nuk na ndodh vetëm ne. Ndër shumë format të të pavetëdijshmes shoqërore, Erich Fromm numëron edhe atë që njerëzit sot nuk ia lejojnë vetes “të shohin” se sa të pakompetencë janë udhëheqësit e tyre, nga frika se kështu nga kohezioni shoqëror nuk mbetet asgjë. Diferenca duhet të jetë vetëm në nivelin e kësaj (mos)kompetence. Në botën e sotme është zor të gjendet një vend, i cili do ta “kapërdijë” një ambasador të rrejshëm. Pos këtij tonit.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *