Kulturë

Marin Mema: Ja si i harrojmë varret mbretërore dhe historinë Ilire

Varret monumentale të Selcës së Poshtme në krahinën e Mokrës janë sot një nga vlerat më të mëdha të arkeologjisë shqiptare, e në të njëjtën kohë më pak të mbrojturat nga abuzuesit e shumtë

Pjesa më e rëndësishme e sitit arkeologjik përfaqësohet pikërisht nga këto monumente të rralla të kulturës dhe trashëgimisë ilire. Për herë të parë siç ka saktësuar arkeologu i ndjerë Hasan Ceka rrënojat e vendbanimit janë zbuluar diku në vitin 1948 gjatë një ekspedite që preku gjurmët e para të këtij vendi të fshehur.

Varret janë pesë, katër prej tyre të ndërtuar në shkëmb, ndërsa njëri i mbështetur mbi blloqe të mëdha guri. Për fat të keq relievet zbukurues të tyre janë dëmtuar shumë, aq sa shpesh është thuajse e pamundur t’i dallosh. Ato kanë qëndruar aty për shekuj, si simbole identifikues se këto varre ishin bërë për prijës apo mbretër ilirë, ndaj edhe studiuesit shpesh kanë hamendësuar për historinë e tyre. E megjithatë, sot është e dhimbshme të shikosh e të prekësh, sesi gjendja e tyre po degradon ditë pas dite… Në dhomat e gurta dallohen lehtësisht dëmtimet e kohës, lagështira, rrëshqitjet, gërvishtjet e ndryshme, ku më shumë e ku më pak, çdo monument ka pjesën e tij.

Gërmimet e kryera këtu kanë dhënë tre periudha të ndryshme arkeologjike . E para dhe më e hershmja i përket periudhës së hekurit, e dyta nga shekulli i IV para erës sonë deri në atë të I të erës sonë , ku me sa duket ka patur edhe zhvillimit më të madh. Faza e fundit sipas arkeologëve shkon nga shekulli i IV deri ne atë të VI çka është lehtësisht e dallueshme edhe nga objektet e zbuluara arkeologjike.

Sipas arkeologut Neritan Ceka varret e gdhendura në shkëmb përbëjnë një shfaqe unike në arkitekturën Ilire, dhe mesa dihet deri më sot edhe në atë ballkanike. Në lashtësi kjo hapësirë dominohej nga fisi ilir i dasaretëve, ndërsa qyteti i këtushëm mendohet se ka qenë Pelioni. Elementët e lënë pas nga autorët e lashtë, flasin për beteja e përballje të mëdha në këto zona.

Padyshim më të famshmet janë ato të vitit 335 para Krishtit kur Aleksandri i madh ndërmori një fushatë të gjerë për të shtypur kryengritjet e ilirëve dhe prijësit të tyre Glaukut e po ashtu Klitit. Të dhëna të tjera kanë lënë edhe autorë të mëpasshëm, por ajo çka ka rëndësi është fakti se ende edhe sot identitifikimi i këtij qyteti me Pelionin e lashtë mbetet në trajtën e hamendësimeve. Ai ende pret të marrë një përgjigje përfundimtare nga ekspertët e fushës.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *