Lajme, Lajmi kryesor

Loja me politikën në dekadën e parë të shtetit

Një vit pas shpalljes së pavarësisë, më 2009, Kosova organizoi zgjedhjet e para lokale. Ishin këto zgjedhjet më të gjata dhe më të parregullta të mbajtura ndonjëherë në Kosovën e pasluftës. Ato u përcollën me një fushatë më shumë të mbushur me akuza dhe me premtime milionëshe

Vetëm 4 ditë pas këtyre zgjedhjeve, më 19 nëntor 2009, rreth orës 23, këtu në ZanziBar u lëkund koalicioni ndërmjet PDK-së dhe LDK-së. Me një mesazh telefonik, Hajredin Kuçi e njoftoi Ramë Manajn se më nuk duan të bashkëqeverisin me LDK-në.

Por, pas kaosit të krijuar atë natë, PDK-ja dhe LDK-ja vazhduan bashkëqeverisjen deri në 2010-n.

Me gjithë lëvizjet, 2009-ta e forcoi pavarësinë e Kosovës, kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi se Kosova nuk e shkeli të drejtën ndërkombëtare, as rezolutën 1244 dhe as kornizën kushtetuese, kur e shpalli pavarësinë.

Ky vendim vazhdon të mbesë mjeti më i fuqishëm i Kosovës në aspektin e forcimit të shtetësisë në botë por shumë shpesh shteti është kritikuar se nuk ka ditur ta shfrytëzojë si duhet atë, veçanërisht në vitin kur është marrë dhe në vitet vijuese.

2011 ishte vit i presidentëve. Disa që u zgjodhën e të tjerë që u rrëzuan nga Gjykata Kushtetuese.

Gjithçka nisi me Fatmir Sejdiun e LDK-së, për të cilin Gjykata në vitin 2010 vendosi se ishte duke e shkelur Kushtetutën sepse po mbante edhe postin e kryetarit të partisë edhe të shtetit.

Kur u mbajtën zgjedhjet, PDK-ja u mor vesh për koalicion me AKR-në, marrëveshje e cila i mundësonte postin e Presidentit Behxhet Pacollit.

Shumë lëvizje u bënë këtu në seancën e 23 shkurtit 2011, kur Behxhet Pacolli u zgjodh President. Nga atje lart, këshilltari i tij që u bë i famshëm, Esad Pushkar, i shkruante mesazhe e i jepte instruksione Pacollit se si të vepronte. Votat ia siguroi përmes bashkëpunimit me ish-ambasadorit amerikan, Christopher Dell. Të gjitha këto mesazhe u fotografuan nga Koha Ditore e u publikuan pastaj, duke ngritur dyshime për mënyrën e zgjedhjes së Pacollit President i Kosovës.

Opozita e dërgoi për mendim në Kushtetuese vendimin e Kuvendit të Kosovës dhe Gjykata vendosi se Pacolli u zgjodh jashtëligjshëm në krye të shtetit.

Shumë javë e muaj kaluan me bisedime ndërmjet partnerëve të koalicionit e zgjidhja u arrit vetëm më ndërhyrjen e ish-ambasadorit amerikan.

Nga zarfi ai nxori emrin e polices Atifete Jahjaga, e panjohur për kosovarët, e cila u bë Presidentja e parë grua në rajon.

Ajo qëndroi në këtë pozitë për 5 vjet, duke mbajtur mandatin e plotë, derisa më vështirësi arriti të bëhet pjesë e skenës politike.

Megjithëkëtë, lëvdata mori vazhdimisht për angazhimin e saj në çështje të grave, veçanërisht për gratë e mbijetuara të dhunës seksuale.

2012 – Pavarësia e Kosovës u mbikëqyr nga institucione ndërkombëtare edhe 4 vjet pasi ajo u shpall. Mbyllja e Zyrës Civile Ndërkombëtare u bë pas vendimit të Grupit drejtues ndërkombëtar për Kosovën në Vjenë në 2012.

Ky vit ndërkaq nxori në pah përçarjet ndër vite të Hashim Thaçit e zyrtarëve tjerë të partisë së tij, veçanërisht Fatmir Limajt e Jakup Krasniqit.

Zagarë i quajti malishevasit e jakupovski iu referua atëkohë kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Skandali i përgjimeve Pronto, që u publikua së pari në KTV, tregonte se si në fakt funksionon shteti i Kosovës dhe prapaskenat e politikës.

U kuptua se në hije, ish-udhëheqësi i SHIK-ut Kadri Veseli, atë kohë i panjohur për kosovarët, informohej për gjithçka që ndodhte në institucione.

Lajm në gjithë botën u bë Kosova në vitin 2015. Kjo për arsye se deputetë të opozitës nisën përdorimin e gazit lotsjellës për të penguar punimet e Kuvendit të Kosovës.

Gjithçka nisi me dy marrëveshje të nënshkruara nga qeveria.

E para në Bruksel – për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe e dyta në Vjenë – për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Deputetët shkuan në pushim veror tek në muajin gusht, kur e votuan pas disa përpjekjeve Gjykatën Speciale, atëkohë me insistim të PDK-së, e veçanërisht Hashim Thaçit.

Kur u kthyen nga pushimi veror, opozita e bëri të qartë se me çdo kusht do ta pengonte punën e Kuvendit.

Krejt në fillim, zbuluan muralet me motive kombëtare, të cilat ishin mbuluar prej vitesh me kërkesë të deputetëve minoritarë.

E në muajin tetor, nisën përdorimin e gazit lotsjellës.

Për këto marrëveshje u protestua edhe në rrugë disa herë e pas asaj të nëntorit 2015, njësi speciale të Policisë, në pamje të papara më herët, arrestuan Albin Kurtin, i cili kishte disa javë që po kërkohej pikërisht për gjuajtjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

Me muaj zgjati pamja e Kuvendit të mbuluar nga tymi i gazit lotsjellës dhe zvarritjeve që ua bënte Policia për t’i arrestuar ata.

Shumë deputetë vazhdojnë të përballen me akuza për gazin lotsjellës e të tjerë që janë dënuar me kusht për përdorim të armës.

Gazin deputetët e ndalën kryesisht pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili erdhi në përfundim se atëkohë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka shkelur 23 nene të Kushtetutës së Kosovës, kur nënshkroi Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Bruksel.

Kjo marrëveshje nuk është zbatuar e as rinegociuar asnjëherë. E njëjta vlen edhe për marrëveshjen për demarkacionin. Ende është në Kuvend por nuk është hedhur për votim dhe ratifikim para deputetëve.

2017 – Si asnjëherë më parë prej që mbahen zgjedhjet paslufte në Kosovë, në zgjedhjet e parakohshme të 2017-ës, ndërroi skena politike në Kosovë.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, u bë gati për zgjedhjet ende pa u shpallur ato. Nisi turin e tij të dëgjimit nëpër Kosovë, në rolin e të parit të PDK-së, me qëllimin kryesor – postin e kryeministrit pas zgjedhjeve.

Madje, KTV-ja gjeti se për incizimet që i postonte nga ky tur pagoi Kuvendi i Kosovës me taksat e qytetarëve e jo PDK-ja.

Por, pak orë para se të përfundonte afati për dorëzimin e koalicioneve parazgjedhore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, PDK-ja, AAK-ja e Nisma befasuan qytetarët me koalicionin e tyre.

Kadri Veseli hoqi dorë edhe nga pozita e kryeministrit e atë ia dorëzoi Ramush Haradinajt, me të cilin pati shumë përplasje vetëm deri para pak kohësh në Kuvend të Kosovës.

Por, befasinë që ua bënë qytetarëve me atë koalicion, iu kthye atyre me votat që fituan në zgjedhje.

Të bërë bashkë rreth PDK-së, e me kandidatin për kryeministër nga AAK-ja, koalicioni që u quajt i krahut të luftës, arriti që bashkë t’i marrë vetëm 33 për qind të votave.

Kjo ua pamundësoi krijimin e Qeverisë me një shumicë të thjeshtë.

Bazuar në rezultatet preliminare dhe krahasuar me ato të 2014-ës, koalicioni i PDK-së me 13 parti tjera, ka marrë vetëm 13 mijë vota më shumë.

Në 2014, PDK-ja, bashkë me tri parti tjera të vogla, kishte 13 mijë vota më shumë se në 2017-ën, kur u bë bashkë me dy parti tjera parlamentare AAK-në e Nismën.

Lidhja Demokratike e Kosovës, për herë të parë që nga ekzistimi i saj, ka dalë partia e tretë në Kosovë, ani pse e bërë bashkë me AKR-në e Pacollit dhe partinë e sapoformuar, Alternativa.

Por, AKR-ja e la koalicionin parazgjedhor dhe u bë bashkë me PDK-në, AAK-në e Nismën, duke ia mundësuar Ramush Haradinajt të zgjidhej kryeministër.

Në shkëmbim të kësaj dhe vetëm me 4 deputetë të saj, AKR-ja mori postin e zëvendëskryeministrit të parë, 4 ministritë kryesore të Qeverisë dhe shtatë zëvendësministra.

Këta të fundit janë rreth 70 deri tash e numri mund të rritet në çdo moment, ashtu siç kanë thënë në Zyrën e Kryeministrit, se numri nuk është përfundimtar.

E vetme në garë, Lëvizja Vetëvendosje ka shënuar rritjen më të madhe duke dyfishuar votat në zgjedhjet e 2017-ës.

Nga 13 për qind sa kishte fituar në 2014, partia e udhëhequr në këto zgjedhje nga kandidati i saj për kryeministër Albin Kurti, ka fituar rreth 27 për qind të votave.

Por, ky rezultat i tyre mbeti në hije kur në publik doli përçarja në këtë parti që u tha se ishte e vjetër më shumë se 1 vjeçare. Ish-sekretari i VV-së, Dardan Molliqaj u tha se ishte kundër rikandidimit të Albin Kurtit për kryetar partie, çka e ndau partinë në dysh. Nga 32 deputetë sa ka Vetëvendosje në Kuvend, 10 prej tyre dhanë dorëheqje nga partia por vazhdojnë të mbesin pjesë e grupit parlamentar.

Ramush Haradinaj e gjeti Qeverinë me dy marrëveshjet e papërfunduara për të cilat gjuajti edhe gaz lotsjellës.

Demarkacioni që ishte kauzë e partisë së tij AAK-së, u votua në Qeveri por Kuvendit iu dërgua edhe një raport i Komisionit të ekspertëve, ani pse kjo çështje ende nuk është zgjidhur.

Të tjera sfida pos kësaj e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ka Haradinaj para vetes, e veçanërisht Gjykatën Speciale, të cilën ai e PDK-ja tentuan ta shfuqizojnë pak pasi Haradinaj u bë kryeministër.

Më së shumti që Ramush Haradinaj do të mbahet mend për 100 ditëshin e tij si kryeministër, është luksi për vete në Kosovën e varfër.

Ia dyfishoi vetes pagën, e AKK-ja tha se nuk kishte drejtë të votonte për rritje të pagës së vet, e Hardinaj gjithashtu do të kujtohet për qasjen e tij arrogante në intervista.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *