Lajme, Lajmi kryesor

Limaj kërkon rishikimin e çmimit të tarifës për Rrugën e Kombit

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj gjatë vizitës së sotme në Tiranë, ka kërkuar nga krerët e shtetit shqiptar rishikimin e tarifës për taksën rrugore dhe heqjen e barrierave për prodhimet vendore. Një delegacion i qeverisë së Kosovës i kryesuar nga zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj, kanë zhvilluar një vizitë zyrtarë në Tiranë

Delegacioni i qeverisë së Kosovës, janë pritur nga ministri i jashtëm, Ditmir Bushati dhe ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj. Në këtë takim është diskutuar për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive shqiptare që do të mbahet muajin e ardhshëm në Pejë.

Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri Limaj ka kërkuar nga qeveria shqiptare që të rishikojë edhe një herë çështjen e çmimit të taksës rrugore sepse, sipas tij, është e papranueshme vendosja e kësaj tarife kaq të lartë për qytetarët dhe për bizneset.

Po ashtu Limaj ka kërkuar edhe heqjen e skanerit për kontrollin që iu bëhet bizneseve kosovare që kalojnë nëpër Shqipëri, e që iu shkakton kosto shtesë bizneseve. “Jemi të shqetësuar me vendosjen e çmimit të taksës rrugore në Rrugën e Kombit. Qytetarët e Kosovës nuk e kanë pritur mirë vendosjen e kësaj tarife dhe ne bashkërisht duhet ta gjejmë një zgjidhje dhe ta tejkalojmë. Po ashtu duhet t’i heqim barrierat që po pengojnë bizneset tona, siç është çështja e skanerit”, ka thënë ndër të tjera Limaj.

Në këtë mbledhje po ashtu përfaqësuesit e dy qeverive janë dakorduar për një sërë marrëveshjesh që do të nënshkruhen në mbledhjen e ardhshme të dy qeverive. Kësisoj, në mbledhjen që do të mbahen në Pejë gjasat janë që të nënshkruhet marrëveshja, e cila i mundëson Kosovës një portë hyrëse në portin e Durrësit.

Poashtu, marrëveshja për lëvizjen e lirë të qytetarëve andej e këndej kufirit, Marrëveshja për njohjen reciproke të patent shoferëve, Marrëveshja për heqjen e romingut, pastaj Marrëveshja për heqjen e barrierave jotarifore si dhe të krijohet një grup punues i përbërë nga dy qeveritë, i cili do të diskutonte për çështjen e tarifës rrugore dhe skanerit.

Limaj poashtu ka kërkuar nga qeveria shqiptarë themelimin e një zyrë në Prizren për zhdoganimin e prodhimeve me origjine nga Kosova dhe Shqipëria.

Pjesë e delegacionit të qeverisë së Kosovës në këtë mbledhje përveç Limajt ishin edhe zv.kryeministri, Dardan Gashi, ministrat Bejtush Gashi e Endrit Shala, zv.ministrat, Fatmir Gashi e Rexhep Kadriu, si dhe drejtori i doganave të Kosovës, Bahri Berisha.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *