Lajme, Lajmi kryesor

Limaj flet për takimet e mbyllura me Thaçin

Presidenti Hashim Thaçi as në takimet e mbyllura që kishte me krerët e shtetit nuk foli e nuk e shpjegoi idenë e tij për dialogun me Serbinë. Fatmir Limaj, zv kryeministër dhe i propozuar nga qeveria për udhëheqjen e negociatave me Serbinë, bëri të ditur se përveç asaj që u fol në media, Thaçi nuk ka thënë asgjë më shumë

“Nuk na ka mbush mendjen se po të na mbushte mendjen do të kishim folur si ai. Presidenti na ka thënë kështu, unë jam i interesuar që me bashku Preshevën, unë jam për bashkim, a jeni ju për ndarje dhe për të qenë korrekt në tërësinë e fjalës, deklarimi i presidentit është pro bashkimit të Preshevës. Po, mirë, kur flitet se çka duhet të bëhet për ta bashkuar Preshevën, ai aty ndalet, nuk flet”, bëri të ditur Limaj.

Limaj e pranon se tri institucionet kryesore kanë përplasje për përfaqësim në dialog

Dialogu me Serbinë ka bërë që të ketë përplasje mes tri institucioneve kryesore të vendit – Presidencës, Qeverisë dhe Kuvendit. Fatmir Limaj, bëri të ditur se fillimisht edhe brenda koalicionit qeverisës kishte mosmarrëveshje për fazën e fundit të dialogut. “Ne si koalicion qeverisës kemi pas dallime brenda kësaj teme. Ne si Nismë kemi qenë kundër udhëheqjes së dialogut nga Presidenti. PDK ka qenë për, AAK ka thënë se i japin mbështetjen ‘blanco’ Presidentit. Ne gjithmonë kemi qenë për ekip negociator, tash dalin temat tjera”, ka thënë Limaj.

“Krejt ndodhin pasi nuk kanë shkuar gjërat me radhë siç duhet. Nuk mundem të ndërroj disponimin për një çështje javë më javë. Kthehu në Kushtetutë i ke gjërat në rregull, ku qeveria i ka kompetencat e veta, presidenti të vetat e Kuvendi të vetat”, ka thënë më tej ai teksa ka shtuar se ka pritur që pozitë e opozitë të jenë bashkë në çështjen e dialogut.

Sipas Limajt, presidenti Thaçi nuk u ka dhënë përgjigje për deklaratat për korrigjim kufijsh dhe bashkim të Luginës së Preshevës me Kosovën. “Na po merremi me veten e ata po bëjnë hajgare në Beograd. Jemi duke bërë veprime të papërgjegjshme sepse po taktizojmë. Për me marrë Preshevën është pretendim, është një dëshirë e tij, platformë e taktizim i tij. Neve nuk na ka dhënë përgjigje”, ka thënë Limaj.

Sipas Limajt, roli i Presidentit në dialog tash është veç formal dhe protokollar

Me marrjen e mandatit, ekipi shtetëror për negociata do të marrë rolin e udhëheqjes së negociata dhe një rol të tillë nuk do t’i takojë më presidentit Hashim Thaçi, sipas zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj.
Limaj, i propozuar si kryenegociator, theksoi se presidenti Thaçi mund të shkojë në Bruksel vetëm për prezantim siç ia lejon protokolli dhe asgjë më shumë.

“Shkojmë në Bruksel, vjen Presidenti në Bruksel, në një moment me i zgjatë duart, kur vjen momenti i nënshkrimit, vjen në një moment kur duhet me qenë niveli reprezentativ, protokolli i shtetit nuk na lejon që ta lëmë prapa”, ka thënë Limaj. “Formatin e bisedimeve nuk mundet ta përcaktojë Beogradi”.

“Për mua platformë është kushtetuta e Kosovës, për mua nuk ka asgjë më të rëndësishme se kushtetuta, ne e dimë se çka duam dhe jashtë asaj nuk ka diçka, por ende nuk e kemi dëgjuar se çka do Serbia. Nuk ka negociata, ka matje të pulsit. Por me ulje në tryezë duhet të dalin propozimet”, ka thënë Limaj. “Ne jemi kap, kemi rënë në kurthin e opinioneve. Më shumë në Kosovë flitet për ndarje të Kosovës se sa folët në Beograd”.

Limaj i quan tejkalim të kompetencave deklarimet e Thaçit për korrigjim kufijsh

Tejkalim të kompetencave kushtetuese, i ka quajtur zëvendëskryeministri Fatmir Limaj konferencat e presidentit Hashim Thaçi, në të cilat prezantoi idenë e tij për korrigjimin e kufijve me Serbinë.
Dikur bashkëpunëtori më i afërt i tij, Limaj ka thënë se është zënë në befasi dhe, sipas tij, nuk ka njeri që nuk është zënë në befasi duke qenë se nuk ishte i informuar askush.

Limaj ka thënë se konferencat e Thaçit kishin përmbajtje të gabuar. “Përmbajtjet kanë qenë të gabuara, të pakonsultuara. Ne jemi institucione, duhet të kemi konsultime paraprake, është temë me interes shtetëror. Nuk besoj që ka dikush që ka qenë i informuar dhe nuk është befasuar. Ai e ka pa rrugën dhe ashtu e ka bërë, na ka komplikuar situatën”, ka thënë ai në Rubikon të KTV-së. “E kemi parë tejkalim të kompetencave kushtetuese në paraqitjen e qëndrimeve”.

Limaj ka hezituar të japë opinionin e tij personal për konferencat e njëpasnjëshme të presidentit Hashim Thaçi për shkak të postit dhe detyrës që ka. “Ne jemi zyrtarë shtetërorë dhe nuk mundemi me dhënë opinione. Si zyrtar shtetëror duhet t’i përmbahesh Kushtetutës”, ka shtuar ai. Limaj ka thënë se presidenti me përmbajtjen e konferencave të tij i ka tejkaluar kompetencat e tij kushtetuese.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *