Ekonomi

Lekaj zotohet se autostrada “Arbën Xhaferi” përfundon më 31 dhjetor

Zyrtarë shtetërorë kanë realizuar një vizitë inspektuese në segmentin e fundit të Autostradës “Arbën Xhaferi”, me ç’rast inspektuan punimet që janë duke u realizuar në urën më të gjatë në rajon, e cila është edhe njëra nga vlerat e arkitekturës infrastrukturore në vend

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, duke folur për rëndësinë e kësaj autostrade dhe për progresin e bërë në këtë segment, tha se është i kënaqur me punët që janë bërë dhe po bëhen dhe se tashmë është krijuar një standard i lartë i infrastrukturës rrugore në Kosovë dhe se infrastruktura rrugore dhe qarkorja e autostradave do të përmbyllet brenda katër viteve.

“Përmbyllja e infrastrukturës rrugore ka ndikim në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e potencialit turistik në vend dhe krijon lidhje të korridoreve që e rrethojnë Kosovën”, tha Lekaj, ndërsa shtoi se ky projekt ndikon edhe në rritjen e GDP-së, sepse në Autostradën “Arbën Xhaferi” janë të nënkontraktuara 344 kompani, me mbi tre mijë punëtorë dhe tetëdhjetë për qind e buxhetit mbetet në Kosovë, duke shtuar se, projektet e tilla kanë mbështetjen e Parlamentit të Kosovës.

Ministri, po ashtu ka thënë se janë të përkushtuar që ta ndryshojnë politikën e deritashme “kur projektet janë stërzgjatur”, duke ripohuar se “kjo autostradë do të përfundojë me 31 dhjetor të këtij viti”.

Ai saktësoi se investimet e këtij lloji mundësojnë integrimin rural e urban të Kosovës, por mbi të gjitha “po bëhemi epiqendër moderne e lidhjes së korridoreve ndërkombëtare”, ndërsa duke folur për angazhimet dhe mbështetjen që Ministria e Infrastrukturës e ofron në projekte të ndryshme, Lekaj tha se janë 42 milionë euro që janë ndarë për mbështetje të të gjitha komunave në vend, pa dallim se nga kush janë të menaxhuara ato komuna dhe krejt kjo vetëm që të ndryshohet pozitivisht infrastruktura në vend.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *