Lajme, Lajmi kryesor

LDK, drejt fitores, apo drejt shkatërrimit

“Nëse LDK ndjek kursin e nënkryetarëve të saj, është duke shkuar drejt ndarjes dhe shkatërrimit total”, ka thënë Haki Abazi

Polemika të ashpra kanë shpërthyer ditëve të fundit në partinë më të madhe në Kosovë, Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ishte nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ai i cili thumboi tre deputetët e tjerë të kësaj partie, Vjosa Osmanin, të cilën e quajti “nusja e Preshevës”, Armend Zemajn dhe Haxhi Avdylin.

“Nuk po çuditna me Armend Zemajn e Haxhi Avdylin, por po çuditna me këtë nusen e Preshevës, vendlindjes së Idriz Seferit, e cila po shet men te Boletini i Kosovës, tue harrue vendlindjen e kolosit të Karadakut që sot gjendet në Serbi. Po i kallxoj asaj dhe krejt atyne që ‘shesin men’ për vota se qysh e kam pru simbolikisht Idriz Seferin n’Gilan, kam me e pru edhe vendlindjen e tij në Kosovë, Preshevën. Kam me e pru edhe Bujanocin, edhe Medvegjën, edhe autostradën, e edhe hekurudhën. Kosova Lindore ka me qenë Kosovë. Tash asht koha. E kemi amanet me e ba të mundun. Kush e konteston këtë fakt, fort marre duhet me i ardhë!”, kishte shkruar Haziri në mesazhin drejtuar ndaj tre deputetëve të LDK-së.

E Hazirit menjëherë iu kundërpërgjigj Vjosa Osmani, deputetja femër më e votuar në Kosovë.

“Para se të jem nuse e Preshevës, unë jam bijë e Mitrovicës. Atyre që i bëjnë argat idesë së ndarjes do u thosha marre ju koftë, por kurrë në jetën e tyre s’kanë pasur as marre e as fytyrë. Askush s’ka çka çuditet nga qëndrimet e mia, sepse ato janë qëndrime të LDK-së, të mbrojtjes së integritetit territorial, kushtetutës e deklaratës së pavarësisë dhe paqes dhe sigurisë në rajon, e të vulosura në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Këto qendrime nuk janë vetëm të miat, Armend Zemajt e Haxhi Avdylit, por janë të Kryesisë së LDK-së, degëve të LDK-së dhe gjithë Grupit Parlamentar të LDK-së. Por mbi të gjitha janë qëndrime që mbrojnë shqiptarët e Luginës nga gënjeshtrat e mashtrimet tuaja e të Hashimit. Qytetarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit nuk përbijnë më dot kurthe që ju dhe Thaçi ua servoni e nuk lejojnë që dinjiteti i tyre të përdoret për perfitime tuajat elektorale”, shkruante Osmani në kundërpërgjigjen për Lutfi Hazirin.

Por, si i sheh këto polemika në LDK, analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Haki Abazi.
Ai në një bisedë për “Bota sot”, thotë se LDK ka bërë shumë gabime të mëdha që nga vdekja e Rugovës.

“Ka kohë që LDK do të duhej të dalë nga kjo situatë që është. LDK ka bërë gabime shumë të mëdha që nga vdekja e Ibrahim Rugovës. Gabimet kanë shkaktuar shumë dhimbje dhe dështime Kosovës dhe kanë lejuar që krimi dhe korrupsioni të bëhen brejtësit më të mëdhenj të shtetësisë dhe vizionit qytetar. Përbrenda LDK ka elemente që janë po ashtu pjesë e rrjeteve të korruptuara dhe rrjedhimisht kriminale që po përfitojnë nga kjo formë e errët e qeverisjes pa transparencë dhe llogaridhënie”, deklaron Abazi.

Sipas tij, deklarimet e fundit në LDK, janë duke çuar ujë në “mullirin” e PDK-së.

“Deklarimet e fundit te Haki Rugovës, Lutfi Hazirit dhe Agim Veliut e bëjnë një gjë të qartë që të tre janë përfaqësues të një shtrese në LDK që e kanë ngulfatur energjinë pozitive, me apo pa vetëdije janë duke dërguar ujë në mullirin e PDK-së dhe në vend se të merren me çështjet thelbësore dalin “cung” në rrugë në orientimin pozitiv të LDK-së”, thekson ai.

Sipas Abazit, që të tre të lartpërmendurit, kanë lejuar që LDK të shantazhohet nga sekserët politik, siç është rasti me Astrit Haraqinë.

“Kjo duhet të ndërsehet. Që të tre së bashku edhe me disa të tjerë që janë po ashtu përfitues e janë bërë të pasur nga të qenurit faktorë kompromisi dhe kanë lejuar që LDK të shantazhohet nga sekser politik, siç është Astrit Haraqija dhe kanë ndërtuar edhe format e mekanizmat e kërcënimit ndaj familjes Rugova, duhet te largohen nga këto struktura”, shprehet analisti politik, Haki Abazi.

Ai për fund, ka thënë se në rast se LDK ndjek kursin e nënkryetarëve të, atëherë atë e pret një skenar i errët, që do të përfundojë më ndarje dhe shkatërrim të saj.

“Kontributi i tyre në të kaluarën është evident por qëndrimet e tyre dhe pozicionimi i tanishëm është vetëvrasje politike. LDK ka paguar çmimin e lartë të lidhjes së koalicionit me PDK-në në mandatin e kaluar, as strukturat e as votuesit më nuk kanë durim që dikush të i drejtojë drejt një skenari ku LDK prapë do të bënte vulosjen e vendimeve të bëra nga Thaçi dhe njerëzit e tij. Nëse deri tani ka pasur ndonjë justifikim kinse në mbrojtje të institucioneve tani justifikim nuk ka, ky është proces i degradimit të shtetit dhe kushtetutës dhe cenim territorial i tij. Nëse LDK ndjek kursin e nënkryetarëve të saj, është duke shkuar drejt ndarjes dhe shkatërrimit total”, përfundon Haki Abazi për “Bota sot”.

Ndërsa, kujtojmë së në një sondazh të realizuar së fundi nga KDI, LDK del se do të jetë partia e parë në rast se mbahen zgjedhjet të reja.

LDK-ja do të merrte 23.8 për qind, e ndjekur nga PDK-ja me 18.4 për qind, VV-ja me 17.6 për qind dhe AAK-ja me 8.8 për qind, Lista Serbe 4.1 për qind. Kurse NISMA Socialdemokrate, Partia Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Alternativa, nuk do të arrinin që të kalojnë pragun zgjedhor prej 5%.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *