Kulturë, Lajmi kryesor

“Lamtumirë Atdhe i dashtun, _Po të la, po, me zemër të plasun!”

Mesazi i poetit martir Havzi Nela: “Lamtumirë Atdhe i dashtun, _Po të la, po, me zemër të plasun!”
Sot u bënë 40-vjet që poeti Havzi Nela u var në litar midis qytetit të Kukësit, se poeti kishte vetëm një faj, donte lirinë, njeriun dhe atë e dashuri e shprehte me poezinë e tij

Nga Ymer Avdiu

Nuk ishte as i pari e as i fundit poet-kurban i lirisë, i dashurisë për njeriun, për të drejtën që Zoti ua ka dhënë njërzëve dhe tiranët e nëpërkëmbin këtë të drejtë natyrore. Dhe, kush tjetër pos poetëve (profet-rebel), do duhej të bëhej kurban për njeriun për të drejtën e tij për frymëmarrje. Sigurisht se poetët oborrtarë kishin mision tjetër-thurjen e odeve e ditirambeve për diktaturat, për dhunuesit, në të gjitha kohët që nga asirobabilonët e vjetër e deri në ditët tona… I vranë se nuk shëmbëllenin me të tjerët, se nuk dinin ta përkulnin kurrizin… I vranë se desh Perëndia që as tiranët e diktatorët të mos harrohen dhe krimet e tyre përgjithnjë të rrinë të dënuar përballë atyre veprave që ishin në shërbim të lirisë , të dritës diçka si në legjenden e Diogjenit. Sokrati i sofizmave në pleqësi të thellë shkoj në atë botë i dhunuar se “prishte moralin e rinisë” (lexo prishte rehatinë e tiranit) dhe sa herë e kudo pati diktatorë, pati edhe poet liridashës të dhunuar.

E diktatura shqiptare e ushqyer nga dreqi dënoi me vdekje Vinçenc Prendushin e “visareve të kombit”, kur ishte 83 vjeç, një grup idiotësh të sigurimit të shtetit në Kënetën e Maliqit e varrosën për së gjalli autorin e ‘Poemit Kosovar” dhe ‘Tregimeve të moçme shqiptare, Mitrush Kutelin, po deshi fati që të mbetej prapë në jetë, ai regjim burgosi Petro Markon, Bilall Xhaferrin, burgosi dhjetëra poet e artistë. Po fatkeqësia e tyre ishte se poeti kombëtar, që shkroi epin kombëtar, Gjergj Fishta kishte vdekur pra se ata ta merrnin pushtetin dhe Perëndia nuk ua dha atë mundësi që t’i kënaqnin epshet e tyre sadiste mbi trupin e tij dhe të tërbuar për këtë nxorën inatin duke dhunuar varrin e poetit, duke ia nxjerr eshtrat nga varri dhe duke ia humbur. Pak vjet më herët këndej kufirit në birucat e UDB-së në Prishtinë kishin mbytur me dru një poet tjetër, një djalë të ri që e donte lirinë e gjuhën e arsimimin e kombit të vet dhe shkruante poezi-Fazli Grajcevcin. E kishin anatemuar edhe Radovan Zogoviqin njëri ndër poetët më të mirë të përmasave jugosllave se kishte stigmatizuar diktaturën dhe kishte ngritur fort zërin për vrasjen e “lejlekut të Ali Binakut”…

Havzi Nela ishte poet, që siç theksoj dikush, nuk synonte as rolin e prijësit që të kishte pasues e as rolin e profetit të kishte ithtarë që ta ndiqnin pas. Ishte thjesht poet, dhe siç do të thoshte psikologu frëng Gustav le Bon, poetët janë të dashur se me naivitetin e tyre i tregojnë sinqerisht dhe pa djallëzi ato që i shohin në shoqërinë ku jetojnë. Dhe vdiq poet. Ishte i pamëshirshëm ndaj diktaturës, por edhe diktatura ishte aq e pamëshirshme ndaj tij. Diktatura me varje në konop midis pazarit të Kukësit ia mori frymën, po jo veprën, jo mesazhin e lirisë dhe derisa i shkruaj këta rreshta më vinë në mendje fjalët e një shkrimtari boshnjak se “ai që e do atdheun me shpirt është i dashur si Zoti e i mallkuar si dreqi” dhe pak kujt kjo shprehje i shkon më mirë se poetit Havzi Nela.

Havzi Nelën ne shqiptarët e Kosovës nuk e njphim, nuk e kemi mësuar në shkolla e as tash nuk e mësojmë, sic nuk njohim shumicën e poetëve e shkrimtarëve disidentë të kohës së diktaturës, por edhe para e pas diktaturës. Mesa di po kaq pak sa ne në Kosovë e njohin edhe në Shqipëri. Havzi Nela lindi më 20 shkurt 1934 në një fshat të Kukësi.] Qysh në shkollë të mesme u shfaqën kundërshtitë e tij të para ndaj padrejtësive të regjimit komunist. Më pas ai filloi studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës (sot Universiteti Luigj Gurakuqi), por u përjashtua si element destruktiv për bindjet e tij. Pas shumë vështirësish, ai gjeti një punë si mësues në shkollën fillore të Planit të Bardhë, një fshat i vogël në rrethin e Matit. Ai u dëbua edhe nga ky fshat për shkak të aktivitetit të dyshimtë – u lexonte nxënësve poemat e tij.

Më pas ai arriti të përfundojë Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës me korrespondencë. Ai punoi si mësues në fshatra të ndryshme deri në vitin 1967, kur ai u transferua në Topojan. Topojani ishte vendi ku filluan ngjarjet më dramatike të poetit dhe familjes së tij. Havzi Nela, me gruan e tij, Lavdie, rrezikuan jetët e tyre duke marrë rrugën për të kaluar kufirin në Kosovë më 26 prill, 1967. Ndërsa kalonte vijën kufitare, ai shkroi në një copë letre, “Lamtumirë, atdhe i dashtun, po të la, por zemërplasun …” dhe e vendosi në degën e një peme lajthie që ta gjenin rojet e kufirit.Një fat më tragjik do ta ndjekë atë në Kosovë. Ushtarët jugosllav i vunë në prangat Havzi Nelës dhe së bashku me gruan e tij, i burgosën në burgun e Prizrenit.

Më 6 maj, 1967, jugosllavët i kthyen Havziun dhe Lavdien në pikën kufitare të Morinës, në këmbim të atdhetarëve shqiptarë nga Kosova që qeveria komuniste e Enver Hoxhës ia dorëzonte policisë sekrete jugosllave, UDB. ë 22 maj, 1967, poeti u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burg për kalimin në Kosovë. E gjithë pasuria e tij u konfiskua. Gruaja e tij u dënua me dhjetë vjet burg. Poeti kurrë nuk u pajtua me diktaturën dhe marionetat e tij në burgje.Më 8 gusht, 1975, atij iu shtuan edhe tetë vjet në burg, sepse konsiderohej një armik i zjarrtë i Partisë dhe popullit. Më 19 dhjetor, 1986, ai u lejua tën dalë nga burgu, por vetëm për një kohë të shkurtër.

Më pak se një vit më vonë, më 12 tetor, 1987, ai u arrestua dhe u dërgoi internua në fshatin Arrën. Më 24 qershor 1988, Gjykata e Lartë e Shqipërisë të përbërë nga gjyqtarët komunistë hodhi poshtë kërkesën Lavdie Nelës kundër dënimit burrit të saj me vdekje. Gjykata vendosi që Havzi Nela të dënohej me varje.

Më 10 gusht 1988, në orën 02:00 të mëngjesit, ai u ekzekutua me varje në mes të qytetit të Kukësit.
Pasi u ekspozua gjatë gjithë ditës më 10 gusht, 1988, në mesnatë terroristët komunistët e morën trupin e tij dhe e futën atë vertikalisht në një vrimë të krijuar nga heqja e një shtyllë druri. Ai ishte i privuar nga mundësia për tu shtrirë si të gjithë të vdekurit. Ai qëndroi në këmbët e tij për pesë vjet dhe dhjetë ditë, deri më 20 gusht 1993.

Kjo ishte dita që u bë e mundur që të gjendej vendi, i mbuluar me gurë dhe shkurre pranë fshatit Kolsh, dy kilometra larg nga Kukësi. Me dekretin presidencial të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Havzi Nelës i është dhënë titulli “Dëshmor i Demokracisë.”

Fjalët e fundit të Martirit Havzi Nela para ekzekutimit:

“I keq kam qenë dhe ashtu po shkoj. Të këqijat e mia i mora me veti. Kërkoj që të afërmit e mi të trajtohen mirë, mos të merren nëpër kambë. Kam nëntëqind e dhjetë lekë dhe kërkoj që këto t’u jepen të afërmve të mi, nanës”

Shënim i H. Nelës në fund të vjershës “Tirani ynë”:

“Të gjitha këto që shkrova deri këtu, me vjet të tana kanë qëndrue në tru dhe duke i përsëritë me vetveten, me kokë nën jorgan, ose në vende ku isha ma i vetmuem, kam mundë me i ruejtë në kujtesë. Gati gjysma janë krijue me mend, pa përdorë laps dhe janë rimue me anë të gishtave. Këto janë sidomos ato që janë krijue në biruca të Rrëshenit, kur u arrestuesh për së dyti dhe disa të tjera në Burrel. Kuptohet vetiu se këto që janë krijue pa laps e pa fletore, çalojnë dhe nga ana metrike, lanie anën tjetër artistike.

Në këto ditë që mora guximin t’i hedh në letër, sigurisht jam nxitue dhe për ma tepër duke hedhë sytë sa majtas-djathtas se mos kam tërheqë vëmendjen e shokëve që i kam fare pranë. Në këtë punë jam nisë ma tepër t’i hedh si material bruto dhe nuk kam pasë parasysh as anën gjuhësore. Gjuhën letrare nuk e kam zbatue, herë tosknisht e ma shumë gegnisht; nuk kam pasë parasysh as anën ortografike dhe shenjat e pikësimit, etj. Shkurt, due që ta shpëtoj si material, se do të përpiqem, po munda me i nxjerrë jashtë, se u lodha së mbajtuni në mendje…

Havzi Nela

Kur te vdes…

Kur te mesoni se kam vdeke,
Kur te thoni: “Ndjese paste!”
A e dini se cfare kam hjeke
Une, poeti zemerzjarrte?
Kur te pyesni: “Ku e ka vorrin?”
Kur t’kerkoni me ma gjete.
Thoni: ” Ai urreu mizorin”.
Thoni: “Dheu s’ka me e trete”.
Thoni: “Ai e deshi jeten,
Jeta n’vuetje e dermoi”.
Thoni se ka mbrojte te drejten,
Grusht tiranesh nuk duroi.
Thoni: “Desh, kerkoi lirine,
Si skifter ne fluturim,
Provoi prangat, t’errte qeline,
Per te mjeret leshoi kushtrim”.
Thoni: “Drite ai kerkoi,
E vete drite nuk pa me sy”
Thoni: “Per njerzine kendoi,
E per vete mbajti zi”.
Thoni se e qerroi terri
Thoni: “Dielli nuk u ngrohu”.
Thoni se e trishtoi tmerri
E te shtypunit i tha: “Cohu!”
Kur te vije, te cele pranvera,
Kur bilbili nis me kendue.
Mbi vorr tim me gur’e ferra,
Nji tufe luleme ma leshue.
Prekni vorrin,mos ngurroni,
Kush ka linde, ai ka me vdeke,
Veten ju kur t’a ngushelloni,
Thoni:”Gjalle kurkush s’ka mbete!”

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *