Lajme, Lajmi kryesor

Kush po i turbullon mesazhet për Kosovën

Dëshprimi më i thellë që mund të pushtojë një shoqëri është dyshimi se të jetosh ndershëm është e kotë (Corrado Alvaro)

Nga Shemsi Syla

Në një darkë me disa miq nga Kosova një ish – kryeadministrator i Kosovës gjatë bisedës ndër të tjera kishte thënë se në karrierën e tij politike e diplomatike nuk kishte hasur në ndonjë vend tjetër si Kosova të cilës mesazhet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijnë kaq të kthjellëta si loti e në fund dalin ujë i turbullt. Ky konstatim i këtij ish- kryeadministratori mu kujtua gjatë diskutimit që u bë javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës lidhur me Projektligjin për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë …

Për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar institucionet përkatëse të Kosovës disa herë kanë marrë mesazhe të çarta e po ashtu të kthjellëta si loti nga miqtë amerikanë, por kur këto mesazhe është dashur të inkorporohen edhe në ligjet e sistemit juridik të Kosovës si produkt final kanë dalur ujë i turbullt. Në fund i tillë do të dal edhe ky ligj i cili është ende në diskutim.

Nuk jam profesionist i kësaj fushe, vërejtjet, interpretimin dhe opinionet duhet ti bëjnë ekspertët, por sa i takon rrugëtimit të shtetndërtimit në rrafshin politik kjo dukuri e dominimit të pakicës duke mbrojtur interesat e grupeve të caktuara kriminale po bëhet dita ditës pengesë e madhe në ndërtimin e shtetit ligjorë.

Kosovën po e përcjell një paradoks i çuditshëm ku për të gjitha problemet madhore vendos pakica.
Pakica serbe vendos për për rregullimin dhe avansimin e brendshëm të shtetndërtimit të Kosovës;
Pakica apo 5 vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës në kuadër të Bashkimit Evropian vendosin për liberalizimin e vizave dhe avansimin e procesit integrues;Pakica vendos për Kosovën edhe në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuar.

Por çka është më e keqja pakica e ka rritur ndikimin e saj edhe brenda vetë faktorit politik shqiptarë në Kosovë. Ishte vullneti i pakicës e jo vullneti i qytetarëve kur u aprovua Demarkacioni me Mailin e Zi, është pakica ajo që po e pengon luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Vullneti i luftimit të kësaj dukurie ka përkrahjen e madhe qytetare por grupet kriminale kanë kapur sistemin, prandaj edhe aprovimi dhe zbatimi i ligjeve që janë kusht për ndërtimin e shtetit ligjor këto grupe kriminale po e diktojnë edhe hartimin e ligjeve duke i kamufluar me lloj lloj terminologjie juridike.

Në instutcionet e Kosovës ende mungon fryma e reformimit dhe po vazhdon të dominoi fryma e konformizmit karrshi presionit të grupeve të kriminalizuara që nuk mund ta justifikojnë pasurinë e tyre dhe nuk duan ligje që godasin piramidën e tyre të krimit.

Si gjithmonë, pushtetarët dhe punonjësit e lartë të administratës, pretendojnë se po ndërtojnë një legjislacion të tipit Perëndimor apo Evropian, por injorojnë që ky legjislacion duhet, patjetër e në mënyrë të pa diskutueshme, të shoqërohet me politika, procedura, direktiva dhe udhëzime përkatëse për ta bërë ligjin apo aktin e parlamentit apo të qeverisë të zbatueshëm. Kjo nuk ndodh në Kosovë. Kjo do të thotë të gënjesh veten e të propagandosh në mënyrë të pa sinqertë apo injorante për t’i hedhur hi syve të huajve se shteti i Kosovës bën dhe ka ligje siç i do Evropa! As të huajt dhe as qytetarët nuk gënjehen nga këto deklarata demagogjike e tollumbace politike.

Tash, kur luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk lidhet më me liberalizimin e vizave, do të kemi ligje e vendime edhe më skandaloze të korrupsionit të qeverisë dhe politikës, do të shohim politikanë, prokurorë, gjykatës dhe policë super të pasur, nënshtrim dhe servilizëm total të sistemit të drejtesisë karshi politikës dhe nëntokës.”

Qeveria është aq jashtë kontrollit dhe është aq e fryrë dhe e infektuar me mashtrim, korrupsion dhe abuzim të pushtetit, por bashkëpunëtor në krimin e korrupsionit është shpesh edhe indiferenca jonë.
Në një sistem ku zyrtarët publik të lidhur me politikanë negociojnë kriteret e një tenderi me bizneset e tyre do të thotë nuk funksionon ligji ose ligjet janë të brishta dhe japin hapësirë të madhe interpretimi. Sipas Kodit Penal të Kosovës, konfiskimi i pasurisë së kundërligjshme bëhet vetëm te personat që kanë kryer ndonjë vepër të rëndë penale, ndërkaq nuk ka mekanizëm ligjor, me anë të të cilit do t’i nënshtroheshin verifikimit të pasurisë të gjithë ata që nuk e justifikojnë atë pasuri me të ardhurat e tyre.

Nëse duamë ta luftojmë korrupsionin dhe krimin e organizuar atëherë nuk ka zyrtarë që nuk mund të burgoset, qoftë ai president i vendit apo qytetar i thjeshtë, por që kjo të ndodhë, rregullat e lojës duhet të jenë të njëjta për të gjithë. Nuk mund të ketë një lloj të rregullave për qytetarët e thjeshtë dhe një lloj tjetër për zyrtarët e lartë. Politikanë, biznesmenë të cilët nga qytetarë të thjeshtë u bën milionerë brenda natës, duhet të dëshmojnë para prokurorëve se si e krijuan këtë pasuri në një kohë kaq të shkurtër derisa qytetarët e tjerë të thjeshtë mbetën në varfëri.

E njëjta ndodhë edhe në nivel të lartë të pushtetit. Ndëshkimi i liderëve partiakë dhe politikanëve të korruptuar, zyrtarëve të lartë shtetëror dhe i bizneseve të lidhur duhet të ndodh sa më parë dhe ndëshkimi i tillë do të ndihmojë në distancimin e qytetarëve nga ky rrjet korruptiv dhe kriminal duke e hapur shoqërinë që të frymojë lirshëm.

Pasuria e fituar në mënyrë korruptive dhe të jashtëligjshme duhet t’iu kthehet qytetarëve.
Është koha që t’u japim qytetarëve atë që po kërkojnë dhe atë që meritojnë. Këtë fillim mund ta bëjëm vetëm duke votuar e aplikuar ligje që ndëshkojnë krimin e jo që diferencojnë grupe të caktuara nga ndjekja penale. Duhet ta ndalim këtë turbullim që po i ndodhë Kosovës në të gjitha proceset.

/Autori është deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *