Lajme, Lajmi kryesor

Kurti tregon qëllimin e vërtetë Thaçi-Vuçiq, pyet ku janë sot Çakorri, Bjelluha, Zhlepi?

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në faqen e tij në facebook ka postuar fjalimin e mbajtur në tubimin e Vetëvendosjes në Mitrovicë. Sipas tij, tashmë kur kanë kaluar 6 muaj nga marrëveshja për demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi, kjo çështje tashmë është harruar, duke e quajtur mashtrim të Thaçit


Ky është postimi i plotë:

(Fjalimi në tubimin në Mitrovicë për protestën në Prishtinë)

Kryetar Agim, qysh e dini ju e qysh e di unë, e din edhe Mitrovica dhe mbarë Kosova se shqiponja e mund gjarpërin.

Të dashur qytetarë të Mitrovicës,
I nderuari Kryetar Agim, Nënkryetar Faruk,
E nderuara Fatmire dhe Albulenë,
Të dashur aktivistë, anëtarë e simpatizantë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!,
Të nderuar anëtarë të të gjitha partive politike dhe organizatave të ndryshme të shoqërisë civile, Zonja e zotërinj, motra e vëllezër,

Mitrovica i ka dhënë shumë histori, shumë kulturë, shumë shkencë e shumë zhvillim Kosovës. Mirëpo, pas çlirimit, ajo ka marrë aq shumë ndarje e aq shumë varfëri. Mitrovica këtë nuk ja ka pasur borxh askujt, prandaj politika i ka aq shumë borxh Mitrovicës.

Me datën 29 shtator, sot një javë, në kryeqytetin e Republikës sonë në Prishtinë, le të mbajmë një protestë masive e paqësore me të cilën tregojmë e dëshmojmë se populli i Kosovës nuk i ka rënë pishman pavarësisë sikur Presidenti Thaçi, i cili është diskredituar e delegjitimuar si asnjë politikan tjetër.

Mirëpo pikërisht sot, janë bërë 20 vjet të rënies së dëshmores Fatime Hetemi, e cila vjen nga Bistrica e Leposaviqit (Albanikut) dhe që u vra bashkë me Fehmi Lladrovcin e me Xhevë Krasniqin Lladrovcin. Andaj, unë ju ftoj gjithë juve që për Fatime Hetemin, për Fehmi e Xhevë Lladrovcin të mbajmë një minut heshtje… Lavdi Fatime Hetemit, Fehmi e Xhevë Lladrovcit!

Njerëzit si Thaçi, kur u rrezikohet pushteti i vet, e rrezikojnë vetë shtetin. Sepse, mendon ai, shqiptarët kanë jetuar e jetojnë edhe pa shtet të tyre, mirëpo Thaçi vetë s’jeton dot pa pushtet për vete.

Ai i donte zgjedhjet kur ato i fitonte PDK-ja. Tash që do t’i fitonte zgjedhjet Lëvizja VETËVENDOSJE!, ai nuk don më zgjedhje por flet për zgjidhje, e të cilat, në fakt, shkaktojnë edhe më shumë probleme.

Mirëpo, qytetarët e Mitrovicës edhe Kosovës e dinë shumë mirë se nuk mund ta durojmë një president që bën pazare personale me Vuçiqin e Serbisë, dhe, gjithashtu, nuk mund ta durojmë një qeveri e cila i jep leje Vuçiqit e pastaj ankohet për fjalimin e tij.

Qytetarët e Republikës sonë janë njerëz të cilët e duan vendin tonë. E duan vendin tonë më shumë se veten e tyre. E, Presidenti i Kosovës, e përdori grepin për t’i joshur gjithë të tjerët në aventurën e tij personale. Njëherë grepi quhej ‘ulësja për Kosovën në Organizatën e Kombeve të Bashkuara’, e tash grepi po quhet ‘bashkangjitja e Preshevës, Medvegjës, Bujanovcit’ (meqenëse grepi i parë nuk pati sukses). Natyrisht qëllimi është që opinioni publik të pajtohet me Zajednicën Thaçi-Vuçiq. Por, Mitrovicasit dhe gjithë shqiptarët janë njerëz që mendojnë e jo peshq që bien në grep.

Marrëveshja e nënshkruar për korrigjim kufiri me Malin e Zi nuk u zbatua. Dje, kjo marrëveshje që u ratifikua në Kuvendin e Republikës së Kosovës i mbushi gjashtë muaj. Gjashtë muaj janë bërë dje prej se u ratifikua demarkacioni me Malin e Zi, me shtojcën për kinse korrigjim të kufirit, e që i mashtroi shumë deputetë të Kuvendit të Republikës. Pra, ky njeri i cili premtoi korrigjim kufiri me Malin e Zi dhe nënshkroi një marrëveshje të tillë, e cila nuk po zbatohet as pas 6 muajve, tash, premton një korrigjim tjetër kufiri pa pasur marrëveshje dhe atë me Serbinë, e cila dihet shumë mirë se si nuk i respekton marrëveshjet. Ku janë sot Çakorri, Bjelluha, Zhlepi? Le t’mos e shëndrrojmë mashtrimin e madh të tyre në vetëmashtrim edhe më të madh të tonin. Le t’i themi ndal, le t’i themi stop, le t’i themi kurrë më me 29 shtator Thaçit, regjimit tij dhe qeverisë e cila i është nënshtruar.

Liqeni i Ujmanit ka dyfish më shumë ujë sesa gjitha liqenet e tjera të Kosovës marrë së bashku. Brezi metalogjenik i Trepçës është plot 80 km i gjatë. Dhe, krahasuar me kohën para 30 vjetëve, çmimi i Plumbit në bursat ndërkombëtare është katërfish më i lartë. Ndërkaq, çmimi i Zinkut është 50% më i lartë. Me fjalë të tjera, toka është e jona, toka jonë është e pasur, dhe, nuk duhet të ekzistojë asnjë njeri i cili do t’mund ta falë apo ta fus në pazare atë.

E, kur e kam takuar para disa viteve për herë të parë Kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtirin, e mbaj në mend që pat premtuar që Lagja e Doktorëve, Suhodolli, Vinarci, Gushavci, Vidimiriçi, ai kurrë nuk do t’ua nënshkruaj e nuk do t’ia jap Komunës Veriore të Mitrovicës. Dhe, këtë premtim ai e ka mbajtur para meje.

Protesta e 29 shtatorit nuk është protestë e inatit apo protestë nga urrejtja. Kjo protestë është paqësore dhe qytetare, është protestë e shqetësimit njerëzor dhe e brengës sonë kombëtare. Sepse, atë që mund ta ruajmë e ta shpëtojmë sot me protesta, nesër a pasnesër se kthejmë dot as me luftë.

Të shtunën më 29 shtator, pra sot një javë, mblidhemi para Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare në Prishtinë, në ora 14:00, dhe më pastaj marshojmë në mënyrë paqësore në rrugën “Eqrem Çabej”, në Bulevardin “George Bush”, në Bulevardin “Nëna Tereze” dhe deri te Sheshi “Skënderbej” e “Ibrahim Rugova” para ndërtesës së Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës.

Rruga përpara është rrugë përparimtare. Kjo është rruga jonë. Rrugë e paqes! Rruga e tyre është rrugë prapa, është rikverc, është rrugë e kthimit në të kaluarën e errët e të përgjakshme.

Prandaj, le të bashkohemi në protestë paqësore kundër bashkëpunëtorëve të dhunshëm të Serbisë. Ne nuk i kemi borxh Serbisë, as pasuri e as territor. Ajo neve na ka shumë borxh, për dëmet e vuajtjet e humbjet që na i ka shkaktuar.

Prandaj, për hir të Trepçës e të Ibrit e të Ujmanit, për hir të dëshmorëve tanë e fëmijëve tuaj, për hir të Mitrovicës e të Kosovës, ejani në protestë në Prishtinë më 29 shtator, sot një javë, në ora 14:00.

Ju falemnderit e mirupafshim.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *