Lajme, Lajmi kryesor

Kurti: Ky regjim do të donte që mos ekzistonte Vetëvendosje (video)

Deputeti më i votuar në nivel vendi nga radhët e Vetëvendosjes, Albin Kurti fjalimin e tij në tubimin përmbyllës të fushatës e ka nisur me disa fjalë për vendimin e Gjykatës që të shpallën fajtorë aktivistët e VV-së

“Me 21 vjet vite burgim u dënuan Adea, Egzoni, Atdheu e Frashëri, vetëm pak ditë pas mbytjes së Astrit Deharit. Ky regjim do të dëshironte që të mos ekzistonte Vetëvendosje, por këtë gjë në duar e ka populli i Kosovës, që na ka fuqizuar si asnjëherë më parë këtë vit”, ka thënë Kurti që në fillim të fjalimit të tij.

Tutje, ai tha se zemërimin duhet trajtuar me mençuri. “Zemërimin tonë duhet ta trajtojmë me mençuri. Me zemër e mendje të punojmë, që me zemër e mendje të votojmë e të festojmë. Jemi të fuqishëm duke u forcuar. 19 nëntori do ta bëjë vitin 2017, vit të Lëvizjes Vetëvendosje. Vetëvendosjen të gjithë e kanë parë duke u rritur”, deklaroi Kurti.

Ai tha se puna që u bë në Prishtinë mandatin e kaluar, do të bëhet edhe në komunat tjera ku do të fitojë Vetëvendosje sipas tij. “Në Prishtinë mandatin e kaluar pati punë e përgjegjësi. Kështu do të jetë edhe në komunat e tjera ku do të fitojë Vetëvendosje – Podujevë, Gjilan, Prizren, Kaçanik, Kamenicë. Komunat e Kosovës janë kapluar nga korrupsioni, përveç Prishtinës. Komunat janë bërë si pronë familjare, përveç Prishtinës. Komunat janë si plaçkë e hajnisë, përveç Prishtinës. Komunat janë pa plane, kanë kanalizime pa gypa, e gypa pa ujë, përveç Prishtinës. Qytetarët i duan ndryshimet, e duan Vetëvendosjen, sepse duan të ecin përpara. Vota është demokraci, jo tregti. Vullnet, punë e fitore maksimale”, vazhdoi tutje Kurti.

Ahmeti: S’është çudi që dënimi ndaj aktivistëve erdhi dy ditë para zgjedhjeve

Kryetari aktual i Prishtinës, Shpend Ahmeti i cili është kandidat edhe për një mandat në kryeqytet, tha se aktivistët e Vetëvendosjes sot u dënuan nga i njëjti gjykatës e prokuror që e mbajtën në burg padrejtësisht edhe Astrit Deharin. Në tubimin përmbyllës të Vetëvendosjes, Ahmeti tha se nëse aktivistët do t’i shpallin të pafajshëm, atëherë ata do ta fajësonin vetën.

Sipas tij, drejtësia do të vie, meqë nuk ka asnjë dëshmi për fajësinë e aktivistëve. “I njëjti gjykatës e prokuror e mbajtjen Astritin në burg padrejtësisht ku edhe humbi jetën. Nëse aktivistët do të shpalleshin të pafajshëm, ata do të fajësonin vetën. Drejtësia do të vie sepse nuk ka asnjë dëshmi për këtë fajësi. Nuk është çudi që vendimet e tilla të vinë dy ditë para zgjedhjeve. Por, tashmë jemi më të motivuar e të guximshëm për të dielën e 19 nëntorit”, tha më tej Ahmeti.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *