Lajme, Lajmi kryesor

Kurti: Katër frikacakë nuk e bëjnë një trim

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka deklaruar se korrupsioni në Kosovë nuk është kulturë por është sistem, pasi është i madh në nivelet e larta. Kurti tha se nuk mendon që korrupsioni në Kosovë është kulturë e shoqërisë, pasi raportet e ndryshe kanë dëshmuar se vetëm 10 përqind e qytetarëve paguajnë për shërbimet që iu bëhen

“Korrupsioni në Kosovë nuk është kulturë por është sistem, korrupsioni është i madh jo për shkak se është i përhapur por për shkak se është i lart në nivelet e larta dhe kjo është në përputhje me bindjen time që në Kosovë nuk kemi shumë hajni e vjedhje por kemi shumë plaçkitje e zhvatje se hajnia dhe vjedhja bëhet disi tinëz nga njerëzit e rëndomtë, ndërkaq plaçkitjet, madje plaçkitjet e armatosura sepse sistemi është armë, janë bërë nga njerëzit në sistem”, ka thënë ai.

Kurti shtoi se kryeprokurori Aleksander Lumezi më tepër i frikësohet ministrit të Drejtësisë, Abelar Tahiri, se sa ministri kryeprokurorit.

“Ne kemi nevojë që ministrat t’i frikësohet kryeprokurorit e jo anasjelltas, ne kemi nevojë që presidenti, kryeparlamentari, kryeministri t’i frikësohet kryeprokurorit dhe anasjelltas por ne e dimë shumë mirë se çfarë kryeprokurori kemi, ai është këngëtar por nuk këndon sepse është kryeprokuror pa aktakuza, kryeprokuror pa kryeaktakuza. Përderisa kemi avokat që janë shumë më të famshëm se sa prokuroret ky vend nuk i ka punët mirë.

Ne duhet ta çlirojmë sistemin e drejtësisë nga ekzekutivi, e kjo s’po duket ndryshe e mundshme përveç se duke e ndërruar ekzekutivin dhe asisoj të kemi prokuror dhe gjykatës që ta luftojnë krimin dhe korrupsionin”, tha ai.

Kurse, ministri Tahiri tha se do t’i rrisin kapacitetet dhe ndryshimet që janë bërë dhe që do të bëhen në legjislacion do ta fuqizojnë prokurorin.

Ai madje i ka quajtur prokurorët frikacak. “Kot e rritni numrin e frikacakëve, 4 frikacak, 5 frikacak, 10 frikacak nuk e bëjnë një trim, ju po e rritni numrin e prokurorëve dhe gjykatësve pa i ndërruar koordinatat që i fuqizojnë dhe trimërojnë prokurorët dhe gjykatësit, më mirë dy prokurorë e trima se 20 prokurorë e frikacak“, tha ai.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *