Ekonomi

Kreditë e këqija 3.1 për qind, prijnë bizneset

Bizneset dhe qytetarët e Kosovës nga dhjetë bankat komerciale që veprojnë në Kosovë, deri në fund të vitit 2017 kanë marr mbi 2.5 miliardë euro kredi. Krahasuar me vendet e rajonit niveli i kthimit të kredive është i kënaqshëm, por në fund të dhjetorit të vitit të kaluar është 76.2 milionë euro, apo 3.1 për qind e totalit të portofolit kreditor

Nga të dhënat e publikuara në ‘Raporti mujor i Sistemit Financiar, nëntor 2017’, nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), shkruan Telegrafi, shihet se deri në këtë muaj bankat komerciale kanë lëshuar 2.46 miliardë euro kredi, nga to 887.9 milionë euro ishin nga kreditë për ekonomitë familjare dhe 1.57 miliardë euro nga financimi i bizneseve me kredi.

Kjo shumë vjen si rezultat që sistemi bankar u karakterizua edhe me rënie të ndjeshme të normave të interesit për kredi, ku sipas BQK-së norma efektive e interesit për kredi në muajin nëntor 2017 ka zbritur në 6.7 për qind, krahasuar me 7.3 për qind që ishte po të njëjtin muaj të vitit paraprak.

Besnik Kada, zëdhënës i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), për Telegrafi ka bërë me dije se niveli i kredive joperformuese shënoi rënie në 3.1 për qind në fund të vitit 2017 nga 4.9 për qind sa ishte në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Sipas tij, përmirësimi i cilësisë së kredive gjatë kësaj periudhe i atribuohet cilësisë së mirë të kredive të reja dhe rritjes më të shpejt të volumit të kredive në sektorin bankar.

“Raporti i kredive joperformuese në fund të vitit 2017 evidentohet 3.1 për qind, nga 4.9 për qind sa ishte në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Përmirësimi i cilësisë së kredive gjatë kësaj periudhe i atribuohet cilësisë së mirë të kredive të reja dhe rritjes më të shpejt të volumit të kredive në sektorin bankar. Gjithashtu, ndikim ka shfaqur edhe efekti i funksionalizimit të përmbaruesve privat, ku është evidente përshpejtimi i zgjidhjes së çështjeve gjyqësore lidhur me kreditë e këqija, mbikëqyrja e afërt e bankave në drejtim të ruajtjes dhe përmirësimit të praktikave të lejimit dhe menaxhimit të kredive, si dhe menaxhimi dhe mbikëqyrja e mirë në përgjithësi nga ana e menaxhmentit dhe bordit të drejtorëve të bankave”, ka thënë Kada.

Nga të dhënat e BQK-së, pjesëmarrja e kredive joperformuese biznisore, në fund të dhjetorit 2017, është rreth 2.6 për qind, ndërsa ajo familjare apo private rreth 0.5 për qind dhe se numri i kredive ne total të klasifikuara si me probleme, një person apo një kompani mund të kenë një e me shumë kredi.

Sipas Kadës, cilësia e kredive vlerësohet me ecuri pozitive ndër vite.

“Në dhjetor të 2017-së, kreditë joperformuese ishin 3.1 për qind. Ky raport në fund të vitit 2016 evidentohej 4.9 për qind, në fund të 2015-së evidentohej 6.2 për qind, ndërsa në fund të vitit 2014 ishte 8.3 për qind. Norma e mbulimit të kredive joperformuese me rezervat për humbjet nga kreditë përllogaritet 150.5 për qind, e cila vlerësohet normë e kënaqshme”, shpjegon ai.

Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, tha se për të ulur nivelin e kredive të këqija duhet një sundim më i mirë i rendit dhe ligjit. Sipas tij, nëse bëhet një krahasim me vendet e rajoni, Kosova qëndron më mirw sesa vendet e rajonit.

“Është evidente që ka tendencë për rritjen e kredive të këqija dhe kjo mund të ndikojë në aspektin negativ. Një dukuri e tillë vjen në shprehje fal mungesës së rendit dhe ligjit dhe një politizim të skajshëm i proceseve ekonomike në Kosovë, nga ky politizim shumë ndërmarrje favorizohen e të tjera kanë qasje selektive dhe në këtë mënyrë vjen në pyetje pabarazia në treg”, tha Gërxhaliu për Telegrafi.

Ai tha se një dukuri e tillë kur përcillet me ekonomi informale dhe korrupsion e bënë të pamundur që ndërmarrjet në Kosovë të jenë të jenë të afta për t’i shlyer borxhet, por me zbatim të ligjit dhe transparencë të të dhënave mund të përmirësohet ambienti i biznesit në vend.

“Një dukuri e tillë kur përcillet me ekonomi informale dhe korrupsion e bënë të pamundur që ndërmarrjet në Kosovë të janë të afta për t’i shlyer borxhet. Rekomandojë që të këtë më shumë zbatim të ligjit dhe në të njëjtën kohë transparencë me të dhëna statistikore të argumentuara dhe vetëm në këtë mënyrë mund të eliminohet një dukuri e tillë negative dhe të përmirësohet ambienti i biznesit në vend. Në qoftë se bëhet një analizë në nivel rajonal këto të dhëna, Kosova është në pozitë mjaftë të volitshme sa i përket fenomenit të kredive të këqija”, shpjegon ai.

Kosova vazhdon të evidentoj normë dukshëm më të ulët të kredive joperformuese krahasuar me vendet e rajonit. Niveli i ulët i kredive joperformuese ka ndikuar që sektorit bankar i vendit tonë të jetë profitabil, mirë i kapitalizuar dhe likuid.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *