Opinion

“Kosova po prishet”

Nga Ndue Ukaj

Nuk di të ketë ndonjë libër që të ketë përshkruar më mirë paaftësinë e shqiptarëve për të bërë shtet, sesa romani, “Viti i mbrapshtë” i Ismail Kadaresë. Në këtë vepër, shkrimtari flet për çmësimin e shqiptarëve me shtet, një fenomen me të cilin po përballet Kosova e sotme.

“Viti i mbrapshtë” është një roman i bukur, i shkruar mjeshtërisht, plot pikëllim, humor e qesëndi, dhe trajton pasojat që i mbarte në supe Shqipëria e porsadalur nga nata e zezë osmane.

Si duket, Viti i mbrapshtë i Kadaresë, është sintagmë pikëllimi dhe dhimbje, që e përshkon historinë shqiptare në secilën stinë.

Shqiptarët, të paaftë për katharsis, nuk mësojnë nga historia dhe, nga një gabim, përplasën në një tjetër, më të madh dhe më tragjik.

Mjafton që të lexohen me vëmendje këto pasuese të mëposhtme dhe mund të kuptojmë shumëçka për dramën e Kosovës së sotme:

Ma ndjell zemra për keq, -thotë befas Doska. –

Shqipëria do prishet.

-T’u thaftë ajo gjuhë, -ia pret Alushi dhe kthen kryet nga Shestani. Me vete thotë: si i lëshon kështu, pa të keq, këto mynxyra ky njeri?

“Rrëmujë e shkuar rrëmujës, o Perëndi. Pa lindur mirë, shteti shqiptar ishte bërë lëmsh. Dhe as që dihej kishte a s’kishte shtet. S’dihej kryeqyteti, se një qytet i kërcente sot të shpallej i tillë, e tjetri shkrepej nesër. Kishin humbur vulat e qeverisë. Kufijtë s’gjendeshin dot. I matnin, thoshin, me litar, por njëri e tërhiqte litarin këndej e tjetri andej, e vinte i treti e i hiqet shenjat natën.”

“Doska trokiti pa pushin në njërën nga portat, gjersa më zë foli nga brenda:

-Me kënd jeni ju?

-Me Shqipërinë, -thirr Doksa, me kënd tjetër të s’ëmës do të jemi.

-Të gjithë ashtu thonë, por pastaj del që asnjëri nuk është me të.

-Mbylle atë gojë, more kërmill, dhe më thuaj a ka trupa të armatosur matanë fshatit.”

Heroi i romanit, Shestan Verdha, një i kryqëzuar për atdhe, me grupin e tij të sinqertë që lufton kundër prishjes së Shqipërisë, i pikëlluar e kupton se, ai dhe shokët e tij mezi, bëheshin njëqind, për të mbrojtë Shqipërinë, kurse bandat esadiste, që thërrisnin babën, ishin rreth njëmijë.

Dy dekada pas çlirimit të Kosovës dhe një dekadë pas pavarësisë, në vend se të flasim për zhvillim, dinjitet, mirëqeni, për arsim cilësorë, për shëndetësi normale, dhe, siguri ekonomike për të gjithë, ne flasim, nëse vendi ynë do t’ia dal të mbijetojë apo jo. Kudo dhe kurdo, dëgjon njerëz të shqetësuar, që thonë: Kosova po prishet.

Ndërkaq, në anën tjetër, sikur në romanin e Kadaresë, të gjithë bëhen sikur të jenë të Kosovës, të gjithë bëhen sikur po e ruajnë dhe duan atë, por në të vërtetë, punët janë ndryshe dhe pak duket të jenë vërtet me të.

“Dashurinë” tonë për Kosovën e përgënjeshtron fotografia e shtetit tonë, e dëmtuar dhe zymtë, aq shumë, sa që, ata që na ndihmuan ta fitojmë lirinë dhe pavarësinë, kanë filluar të mos e njohin.

Kosova e ka humbur simpatinë e perëndimit dhe kjo ka ndodhë për shkak të qeverisjes bashibozuke, të intrigave, mashtrimeve dhe budallaqeve të pashembullta që e kanë karakterizuar rritën e shtetit tonë.

Shteti i Kosovës, sot është shndërruar në një mishmash ngatërresash dhe për këtë, fajin nuk duhet ta kërkojmë jashtë nesh.

Duhet ta pohojmë me zë të qartë se, bashkëfajtorë në këtë mishmash, jemi të gjithë. Sepse, një kohë të gjatë, kemi bashkëjetuar me të keqen. Kemi votuar dhe duartrokitur politikanë dhe liderë, që nuk dinë ta shkruajnë as një fjali drejt në gjuhën e tyre amtare. Natyrisht, të tillët, nuk mund të mbrojnë interesa kombëtare. Imagjinojeni, të tillët që nuk dinë të shkruajnë një fjali shqip, si mund t’ i kuptojnë lëvizjet politike ndërkombëtar, gjuhën diplomatike, që është art në vete, apo tekstet me mesazhe të ndërlikuara.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *