Ekonomi

Kosova brenda një viti importon 200 mijë kilogramë mish nga Belgjika

Publikimi i skandalit të mishit të importuar nga Belgjika ka vënë në dyshim cilësinë e produkteve të cilat konsumohen në Kosovë. Brenda një viti në Kosovë importohen 40 milionë kilogramë mish, prej tyre 200 mijë kilogramë vetëm nga Belgjika

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci ka thënë për Telegrafin se importi i mishit nga Belgjika për në Kosovë është i ulet në raport me sasinë konsumuese vjetore. “Nga Belgjika mesatarisht kemi rreth 200.000 kg brenda vitit e cila paraqet rreth 0.5% e tërë importit të mishit”, tha ai.

Sipas Stavilecit, Kosova më së shumti importon mish të pulës. ” Në Kosovë brenda një vitit importohen mbi 40 milionë kg e të gjitha llojeve së bashku. Sipas statistikave tona më së shumti brenda një viti Kosova importon mishin e shpezëve (pule). Derisa origjina e mishit të cilat importohen më së shumti në Kosovë janë kryesisht nga SHBA, Brazil, Argjentinë, Holandë”, ka thënë zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.

Dogana e Kosovës sipas tij, kontrollon produktet e mishit në kuadër të tarifimit dhe vlerësimit të saktë, kurse për cilësinë e importeve të ushqimit duke përfshirë edhe mishit është në përgjegjësi të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).

“Para se të fillojë zhdoganimi i mallrave ushqimore duhet të inspektohen dhe paraqitet certifikata për secilin import të produkteve ushqimore, certifikatë e cila lëshohet nga AUV”, tha zëdhënësi Stavileci.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *