Opinion

Konteksti rajonal i aleancës strategjike Shqipëri-Turqi

Nga: Shaban MURATI

Nga pikëpamja diplomatike, gjeopolitike dhe gjeostrategjike, aleanca strategjike e Shqipërisë me Turqinë këshillohet nga raportet dypalëshe midis dy shteteve dhe nga roli jetik që këto marrëdhënie luajnë për ekuilibrat strategjikë të Shqipërisë në rajonin tonë. Konsiderata themelore, që duhet mbajtur parasysh, është se aleanca strategjike dypalëshe është marrëdhënie ndërkombëtare. Karakteri dhe interesi i aleancës strategjike nuk lidhet me format e regjimeve politike në një periudhë të caktuar në të dyja vendet dhe as me emrat e përveçëm, që drejtojnë qeveritë dhe shtetet. Është një konstruksion i politikës së jashtme dhe marrëdhënie e interesit strategjik afatgjatë, pavarësisht kontributit që jep njeri apo tjetri personalitet në periudha të caktuara historike në dobi të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe.

Nuk lidhet me oshilacionet e marrëdhënieve të njërit apo tjetrit shtet me palë të treta. Nuk lidhet me pikëpamje dhe emocione momentale, fetare, krahinore, kulturore, politike, ideologjike etj. të jetës së brendshme, dhe për më tepër, nuk mund të shihet nga këndi i luftës së brendshme politike. Pozicioni, roli, zhvillimi, ekzistenca dhe sigurimi i pavarësisë së shtetit dhe i kombit shqiptar në rajon janë një ndërvartësi kushtesh, faktorësh, rivalitetesh, ku loja strategjike nuk përballohet vetëm dhe ku rreziqet ekzistenciale të së tashmes për kombin prevalojnë mbi subjektivizmin e keqpërdorimeve të historisë.

Përcaktimi i Turqisë si aleat strategjik i Shqipërisë ka qenë një zgjidhje e drejtë strategjike e politikës së jashtme në vitin 2013, sepse vendosi një ekuilibër të nevojshëm në dobi të pozicionit dhe të rolit të Shqipërisë në rajon.

Lidhur me marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Turqisë periudha postkomuniste ka provuar domosdoshmërinë e përfshirjes së Turqisë në planifikimin strategjik të kapacitetit shqiptar për përballimin e ekuilibrave rajonalë dhe të rreziqeve rajonale ndaj kombit shqiptar.

Janë disa elemente, që i krijojnë Turqisë një profil më të favorshëm, në krahasim me shtetet e tjera të Ballkanit kontinental, në përcaktimin si aleat strategjik i Shqipërisë në politikën e jashtme dhe në veprimin tonë rajonal.

– Turqia është shteti më i madh ballkanik, pjesë e historisë dhe e gjeografisë ballkanike dhe si faktor rajonal ka një rol, të cilin asnjë shtet tjetër ballkanik nuk mund ta zëvendësojë. Turqia është një aleat i nevojshëm dhe i natyrshëm i faktorit shqiptar në rajon në ekuilibrat e forcës dhe në përballimin e sfidave gjeopolitike të së ardhmes.

– Turqia është një nga anëtarët më të rëndësishëm të NATO-s, është shtet kandidat i BE që ka hapur bisedimet e pranimit në BE dhe është shteti më i fuqishëm ballkanik si në planin ekonomik, diplomatik, ashtu dhe në planin ushtarak. Turqia është anëtare themeluese e të gjitha organizatave të rajonit tonë, që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndërballkanike dhe si e tillë, është një zë i fuqishëm rajonal, solidarizimi i të cilit përbën një nga faktorët më të rëndësishëm diplomatikë të rajonit.

– Kombi shqiptar, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni e kudo nuk mund të harrojnë se Turqia nuk ka asnjë centimetër tokë shqiptare në kufijtë e saj, nuk pretendon dhe nuk do të vijë të pretendojë asnjë centimetër tokë shqiptare. Janë shtete të tjera ato, që kanë dhjetëra mijëra kilometra tokë shqiptare dhe të cilat nuk mjaftohen me atë që na grabitën në 1913-ën, por edhe sot e kësaj dite rivendikojnë prapë territore shqiptare.

– Turqia nuk rivendikon dhe as nuk ka ambicie territoriale ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial tokësor, detar dhe ajror të Shqipërisë.

– Turqia ka njohur dhe ka pranuar zyrtarisht dhe plotësisht kufijtë shtetërorë, tokësorë, detarë dhe ajrorë të Shqipërisë.

– Turqia ka demonstruar mbështetje të jashtëzakonshme për Shqipërinë si shtet dhe për integritetin e saj territorial në periudhën më të vështirë shtetërore të Shqipërisë, në vitin e mbrapshtë 1997, kur shkatërrimi i shtetit dhe i gjithë kufijve tanë nxiti në disa qarqe recidiviste ballkanike mendimin se po ringjallet rasti i akaparimit të ri të territoreve të tjera shqiptare si në 1913.

Konteksti rajonal i aleancës strategjike Shqipëri-Turqi kushtëzohet nga dy rrethana të reja të rëndësishme strategjike dhe gjeopolitike, të cilat nuk i gjen dot në marrëdhëniet e Shqipërisë me shtetet e tjera të rajonit. Janë dy rrethana të reja strategjike, të cilat u përkasin zhvillimeve të shekullit 21 dhe që kristalizojnë natyrshmërinë dhe rëndësinë e aleancës strategjike midis dy shteteve.

1 – Rrethana e parë gjeopolitike dhe strategjike është transformimi i faktorit shqiptar në rajon në faktor ballkanik pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe pavarësimit të Kosovës si shtet. Dalja e dy shteteve shqiptare në skenë i dha faktorit shqiptar në rajon një dimension dhe një peshë, që nuk kishte qenë më parë në raportet gjeopolitike dhe në marrëdhëniet ndërballkanike. Kjo rrethanë u konsideruar e pafavorshme nga shtetet e rajonit, të cilat duhet të llogarisnin tani faktorin e ri rajonal me emrin “dy shtete shqiptare”. Krijimi i dy shteteve shqiptare u prit me ftohtësi dhe me armiqësi nga shumica e shteteve ballkanike, sidomos nga ato shtete, që ishin mësuar historikisht të diktonin në Ballkan, ishin mësuar ta nënvleftësonin kombin shqiptar dhe që kishin marrë padrejtësisht shpërblime territoresh shqiptare.

Vetëm Turqia është shteti i rajonit, që përshëndeti dhe mbështeti fuqimisht transformimin e faktorit shqiptar në një faktor ballkanik. Vetëm Turqia e konsideroi zhvillim pozitiv dhe përkrahu fort faktorin e ri rajonal të të dyja shteteve shqiptare. Turqia është e para, që njohu Kosovën si shtet të pavarur dhe që e mbështeti fuqimisht njohjen e saj në arenën ndërkombëtare, duke lobuar energjikisht për Kosovën në OKB, në OSBE, në Këshillin e Europës, në organizatat rajonale e ndërkombëtare, në organizatën e bashkëpunimit islamik, etj. Rëndësia e këtij elementi strategjik në raportet me faktorin shqiptar në rajon dhe në raport me kombin shqiptar, kuptohet më mirë po të mbahet parasysh se shtetet e rajonit si Greqia, Serbia dhe Rumania vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të mos e njohin Kosovën dhe ky është një qëndrim strategjik jomiqësor i tyre ndaj dy shteteve shqiptare dhe ndaj kombit shqiptar.

2 – Rrethana e dytë strategjike dhe gjeopolitike është fenomeni i ri negativ rajonal i kompozimeve të reja të grupimeve apo të aleancave shtetërore të veçuara në shekullin e 21, me krijimin dhe rikrijimin e grupeve të ngushta aleancash midis dy, tri apo katër shteteve ballkanike. Ky proces, që vjen si reminishencë e fenomenit të grupimeve armiqësore ndaj çështjes shqiptare në periudhën e luftërave ballkanike, bëhet akoma me antihistorik kur kemi parasysh se po ndodh në kohën kur shtetet e Ballkanit janë anëtarë ose aspirojnë të bëhen anëtare të BE dhe të NATO-s. Nëpërmjet samiteve të kryetarëve të shteteve dhe të qeverive shohim të krijohet “grupi Krajovës” me Serbinë, Rumaninë dhe Bullgarinë. Shohim të jetë krijuar grupi i “Traktatit të Bukureshtit” me katër shtete: Serbinë, Greqinë, Rumaninë dhe Bullgarinë. Shohim të jetë krijuar grupi i tri shteteve Bullgari, Rumani, Greqi. Kemi grupin vertikal të tri shteteve Serbi, Maqedoni, Greqi. Mund të përmendim gjithashtu dhe projektin e diplomacisë ruse për të krijuar një aleancë të shteteve ortodokse si Serbia, e ashtuquajtura “serpska republika”, Maqedonia, Mali i Zi, Greqia dhe Bullgaria. Kjo tendencë duhet konsideruar kundërvënie ndaj procesit të integrimit euroatlantik dhe perëndimor të Ballkanit. Kjo kundërvënie separatiste duhet konsideruar si rrethanë dhe perspektivë jomiqësore ndaj Shqipërisë dhe ndaj kombit shqiptar.

Veçori dhe emërues i përbashkët i gjithë këtyre grupeve e grupimeve të veçuara ballkanike rreth e rrotull nesh është fakti se të gjitha ato e kanë përjashtuar Shqipërinë dhe nuk e kanë thirrur të bëjë pjesë në asnjë grup, megjithëse Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe disa shtete të këtyre grupeve e grupimeve janë gjithashtu anëtarë të NATO-s. Veçori tjetër e përbashkët, jorastësore, është se të gjitha grupimet e mësipërme janë krijuar vetëm me shtete ortodokse.

Është një zhvillim negativ në rajon, të cilin shteti, diplomacia dhe strategjia shqiptare nuk mund të mos e marrin në konsideratë në kompleksin e faktorëve të sigurisë dhe të perspektivës. Në këto kushte, në mënyrë të natyrshme, Shqipërisë i lind nevoja e një kundërbalancimi strategjik ndaj këtij fenomeni jo pozitiv rajonal. Arsyetimi gjeopolitik dhe rezonanca e interesit strategjik çojnë tek logjika e aleancës strategjike me Turqinë, një shtet anëtar i NATO-s. Turqia është shteti ballkanik, që ka mbështetur si asnjë shtet tjetër ballkanik edhe Shqipërinë, edhe Kosovën. Në planin rajonal, një diplomaci largpamëse shqiptare duhet të punojë për ndërtimin dhe për forcimin e një lidhjeje të veçantë Shqipëri-Kosovë-Turqi.

Përpjekjet e shteteve ballkanike për ndryshimin e raporteve të forcës në Ballkan në dëm të faktorit shqiptar dhe intrigat e nëndheshme diplomatike e strategjike ndaj kombit shqiptar, nuk kanë reshtur në Ballkan nga ballkanasit, megjithëse jetojmë në erën e integrimit euroatlantik. Nuk është rastësi që pas daljes së faktorit shqiptar në Ballkan me forcë të re me dy shtete shqiptare dhe transformimit të tij në një faktor ballkanik, disa shtete të rajonit kanë ndërmarrë fushata të vazhdueshme dhe të gjithanshme për ta izoluar faktorin shqiptar dhe sidomos për ta penguar atë që të krijojë raporte strategjike me Turqinë. Këto shtete jomiqësore i tremben zhvillimit të pritshëm, që aleanca strategjike me Turqinë forcon Shqipërinë në rajon. Sidomos pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe pas pavarësimit të Kosovës dhe deri në ditët tona, kur faktori shqiptar është kristalizuar si faktor ballkanik në formën e dy shteteve shqiptare, konstatohet një lëvizje intensive dhe një strategji e qartë e qendrave antishqiptare rajonale për organizimin e një diversioni diplomatik, politik, mediatik, akademik etj., për t’i lënë Shqipërinë dhe shqiptarët pa miq. Dinamika e veprimtarisë së sponsorizuar rajonale dhe jashtërajonale për izolimin apo për vetmizimin diplomatik e strategjik të Shqipërisë evidenton dy fenomene:

Së pari, ringjalljen e një antiamerikanizmi në jetën politike shqiptare dhe në disa forca politike shqiptare, me qëllimin e çarjes së aleancës së Shqipërisë me SHBA, aleati ynë strategjik global nr.1.

Së dyti, ringjalljen e një vale turkofobie dhe përpjekjeje për të krijuar bllokadë për marrëdhëniet e veçanta midis dy shteteve shqiptare dhe Turqisë.

Shtetet e rajonit, që nuk e kanë dashur dhe nuk e duan realizimin e çështjes kombëtare shqiptare, në strategjinë e tyre diplomatike dhe gjeopolitike rajonale kanë objektivin që Shqipëria të mbetet e vetmuar në rajon, me qëllim që ato ta kenë më lehtë për të ushtruar presion dhe për ta mbajtur Shqipërinë si shtet raja.

Duke mos qenë në gjendje të frenojnë tendencën historike të rritjes së faktorit shqiptar në rajon pas pavarësisë së Kosovës dhe krijimit të dy shteteve shqiptare në Ballkan, disa shtete si Serbia, Rusia e ndonjë tjetër po punojnë në rrugë të tërthortë që ta dobësojnë faktorin shqiptar, për ta privuar atë nga miqtë ndërkombëtarë. Taktika e tyre diabolike është që të përdorin vetë shqiptarët që ta bëjnë këtë detyrë vetëvrasëse për të larguar shtetet mike. Ndaj, del si një çështje me rëndësi të dorës së parë mbajtja dhe forcimi i lidhjeve me ato shtete dhe faktorë miqësie, të cilat janë më të përputhshëm me strategjinë kombëtare të shqiptarëve në Ballkan. A janë shqiptarët gjithmonë të kujdesshëm në këtë drejtim? Nuk duket se janë tepër të kujdesshëm për të mbajtur miqtë dhe për të qenë luajalë me ta dhe ndodh që disa herë të bien viktima të emocioneve të huazuara, të koniukturave të momentit apo të modës diplomatike.

Një nga kurthet diplomatike dhe mediatike më të përdorua nga shtetet ballkanike, jomiqësorë ndaj çështjes shqiptare, është ajo me ngjyrim fetar. Ka një intrigë diplomatike ballkanike, e cila kërkon që përbërjen dhe raportet fetare t’i paraqesë në frymën e një mode rajonale dhe ndërkombëtare dhe ta devijojë shtetin dhe diplomacinë tonë nga rruga e interesit të vet jetik. Shenja e njëjtë fetare, që Turqia ka me shumicën e popullsisë në Shqipëri dhe me shumicën dërrmuese të popullit shqiptar në Kosovë dhe në Maqedoni, është një kapital diplomatik me vlerë të veçantë pozitive për marrëdhëniet dypalëshe dhe për strategjinë rajonale afatgjatë të Shqipërisë. Ka një praktikë të konfirmuar të diplomacisë botërore dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare për efektin katalizator të shenjave të njëjta fetare në stimulimin e lidhjeve dhe farkëtimin e aleancave shtetërore e strategjike. E shohim këtë edhe në praktikën e diplomacisë së shteteve si Greqia, Serbia, Rumania, Rusia, Vatikani etj. në vendin tonë, në drejtim të pakicave fetare me shenja të njëjta fetare me ta. Në marrëdhëniet ndërkombëtare të një shteti me një shtet tjetër, vendimmarrja themelore i takon shumicës së popullsisë së një shteti, sepse siç vendos shumica në demokraci, ashtu vendos edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Shqipëria, Kosova dhe kombi shqiptar i kanë të rralla shtetet e miqësive afatgjata në Ballkan. Fati historik e deshi që interesat tona kombëtare të përputhen me strategjinë e interesave dhe të vlerave, që mbrojnë SHBA dhe Aleanca Atlantike. Këto janë miqësi dhe aleanca, që duhen ruajtur me fanatizëm dhe nuk duhet lejuar asnjë përpjekje, qoftë në nivel shtetëror, qoftë në nivel politik, qoftë në nivel mediatik apo të të quajturës shoqëri civile që ta dëmtojë. Nuk mund të bësh kurrë miq të rij në arenën ndërkombëtare, duke shndërruar në armiq miqtë që ke. Kjo përbën vlerën themelore të miqësisë dhe të aleancës midis Shqipërisë dhe Turqisë në kontekstin rajonal. Aleanca strategjike me Turqinë është një interes jetik i politikës rajonale, i strategjisë rajonale dhe i ekuilibrave rajonalë të Shqipërisë. Turqia është aleati strategjik më optimal i Shqipërisë në Ballkanin kontinental.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *