Opinion

Klepsidra në kullën e ngujimit

Nga Bejtush Isufi

Plaga që kaherë fshihej nën kraharorin tim, si zjarri i mbuluar nga hiri, sonte shpërtheu si vullkani e qiellit pastaj fluturuan shkëndijat e tij si fishekzjarrë… e më vonë u fikën ngadalë… u tretën rrugëve të gjithësisë, sikur të mos kishin qenë kurrë…

Ky shpërthim më vrau pritjen dhe më dogji ëndrrën e thurur me aq shumë fije shprese, si qilimat e nënës të mbushur me kënde të kuqe që hyjnë në katrorët e zinjë dhe anasjelltas, duke ndërruar kënd shikimin, këto kënde e katrore radhiteshin në vargje dhe rrathë si unazat e Saturnit,… si lumenjtë që rrëmbyeshëm zbresin bjeshkës…

…Besoja se e kisha gjetur rrugën time të dritës, e tash e shoh se i paskam humbur edhe gjurmët prej nga isha nisur… !? Si mund të ik nga ky labirint i pa fund… nga kjo kullë e ngujimit?

Kisha hapur gjithë ato rrugë të hekurta që nuk më shpinin askund, një soj si gjymtyrët e mija që i mbaj vetëm sa për të bartur kujtimet nga një ditë te tjetra, duke pritur që të ndërtoj muzeun tim të kujtimeve… aty ku do të vendos eksponatet e mija në vitrina, në dollapë qelqi të kyçura në dry…

… Por kot, në muze nuk ruhen ngjyrat, ato më duhet ti mbaj në bebëzat e syve të tu.. në pedalet e lules dhe në krahët e zogjve…

… Me shkëndijat dhe dritën, ikën edhe ajri e kujtesa, prandaj kthehem ti ndez vetes qirinjtë e mbetur dhe të takoj hijen tënde…

Por pse kthehen të ikurit dhe nuk na lën të qetë? Ndoshta edhe ata i shtynë dhembja dhe vetmia, sepse njeriu nuk dëshiron të humbas asgjë, e më së paku pjesët e vetvetes!

Por as këndet e as rrugët e qilimit nuk i zgjidhën pyetjet, vetëm i shtuan labirintet dhe i shkrinë ngjyrat me fyejt e mallëngjimit të zverdhur nga mërzia…

Si ngrijnë akujt, si ndizen flakët dhe si shkrihet zëri në heshtje, e unë nuk mund të prek as thellësinë e as lartësitë… sa filloj të ngrejë një mur më shemben tre të tjerë dhe nuk mund të vë askund një kryq të vetëm në këtë tokë të pa anë, në këtë ujë të pa tokë dhe në këtë kohë të braktisur… Kanë ikur edhe fjalët dhe zëri, prandaj ata nuk do të mund të më dëgjojnë më…

… A thua e gjetën rrugën kalimtarët apo ende janë duke u endur? Thuajse nuk kemi humbur kurrë asgjë, ne humbësit e mëdhenj dhe të pa ndreqshëm? Dhe tash çfarë mund të bëjmë tjetër… pos që të lozim derisa nuk na përzënë edhe nga loja?

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *