Lajme, Lajmi kryesor

Kërcënimi direkt i Ramush Haradinajt ndaj Vetëvendosjes

Lëvizja Vetëvendosje është partia më e madhe opozitare, me 32 deputetë në Kuvendin e Kosovë. Me zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, qeveria është ndryshuar, kurse Vetëvendosja është akoma në opozitë. Vetëvendosje gjatë legjislaturës së kaluar, kishin shfrytëzuar forma të ndryshme për t’i shfaqur pakënaqësitë e tyre ndaj pushtetit

Kishin hedhur vezë, kishin hedhur gazlotsjellës, kishin shpërthyer gomat e zyrtarëve në pozitë e forma të tilla, duke u cilësuar kështu në një formë edhe partia më e dhunshme në Kosovë.

Mirëpo, gjatë kësaj legjislature, sipas Kryeministrit do të jetë ndryshe. Haradinaj ditë më parë në një intervistë për median, ka thënë se nuk mendon se Vetëvendosja do ta bëjë opozitarizmin e njëjtë edhe ndaj tij, siç bënte ndaj ish-kryeministrit Isa Mustafa. Ai thotë se Vetëvendosje e di kë e ka përballë dhe se ai nuk do të duronte të sulmohej. Haradinaj ka shtuar se, në përgjithësi, gjatë mandatit të tij, nuk pret një opozitë, përkatësisht një Vetëvendosje të dhunshme sikurse mandatin e kaluar.

“Nëse do të më gjuanin me vezë, unë i gjuaj me çka kam”, ka thënë Haradinaj

Por, kryeministri nuk mendon se Vetëvendosje do ta gjuanin me vezë, ose do të përdornin ndonjë metodë të dhunshme ndaj tij, sepse ata e dinë se kë e kanë përballë tani. Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pranuar ta komentojë deklaratën e Haradinajt, ata nuk i janë përgjigjur thirrjeve të gazetës “Bota sot”. Përkundër që Vetëvendosja ka “heshtur” ndaj kësaj deklarate, njohësit e zhvillimeve në vend këtë deklaratë e konsiderojnë “kërcënim” ndaj Vetëvendosjes. Sipas tyre, kjo është një gjuhë huligane e Kryeministrit dhe nëse do të përdorej ky fjalor nga dikush tjetër do të duhej ta dënonte, e jo ta përdorte ai vetë.

Kriza e thellë në Kosovë, Haradinaj kërcënim ndaj Vetëvendosjes

Analisti politik, Jeton Kelmendi, ka thënë se deklarata e Haradinajt tregon krizën e thellë në Kosovë.
Sipas tij, Haradinaj ka bërë një kërcënim direkt ndaj Vetëvendosjes. Kelmendi sjelljen e mëhershme të Vetëvendosjes e ka quajtur huligane dhe përgjigjen e Haradinajt gjithashtu të tillë.

“Kjo mendoj që është një kërcënim direkt i Haradinajt. Është e njëjta ecuri që pak a shumë që Haradinaj sa ka qenë në opozitë ka qenë në rregull të gjuajë, ndërsa tani nëse e gjuan dikush duhet t’i rivalizohet. Kjo pak a shumë është edhe një krizë e thellë në Kosovë dhe ajo krizë është kriza morale. Kriza morale është që njeriu nuk zgjedh mjete si Haradinaj e të tjerët në bashkëpunim me ta edhe Behgjet Pacollit nuk zgjedhë mjete për të ardhur në pushtet, domethënë çdo gjë arsyetohet dhe kur mbrrijnë në pushtet po ashtu është i gatshëm që çdo gjë të bëjë që t’i largojë ata që duan t’ia marrin pushtetin. Këtu kemi një sjellje huligane e Vetëvendosjes dhe po ashtu përgjigje huligane nga Kryeministri Haradinaj se nëse do të ndodhë diçka do të përgjigjet, asnjë mirësjellje me gjuhë të njëjtë që ka përdorur Vetëvendosja. Këto janë deklarata dhe sjellje huligane”, ka pohuar Kelmendi.

Fjalor kërcënues

Ndërsa, analisti Faton Mehmeti e ka quajtur fjalor kërcënues deklaratën e Kryeministrit. Mehmeti ka thënë se kërcënimi i Haradinajt ndaj VV-së, shpreh më së miri nivelin e politikës në vend. “Është non sens që një Kryeminstër të flet me gjuhë kërcënuese, ky fjalor kërcënues s’duhet të jetë në logjikën e një udhëheqëesi të një vendi që synon BE. Kërcenimi i Haradinaj ndaj VV-së shpreh më së miri nivelin e politikëbërjes në vend.

Këtë fjalor të Haradinajt duhet ta dënojnë të gjithë pa përjashtim, pasi është i rëndë dhe krejt i papranueshëm”, ka theksuar Mehmeti. Sipas tij, nuk i takon Kryeministrit t’i tregojë opozitës se si ta bëjë politikën.

“Nuk i takon një Kryeministri t’i tregojë opozitës se si ta bëjë politikën, çdo kush që do ta thyejë ligjin duhet dënohet, por kjo nuk i takon Kryeministrit të tregojë se si duhet veprojë opozita , nëse do ta thyejë ligjin dikush janë organet kompetente që merren, është drejtësia, e jo Kryeministri”, ka deklaruar Mehmeti. Përkundër që ka kaluar shumë kohë që nga veprimet e Vetëvendosjes për pozitën e atëhershme, njohësit e zhvillimeve në vend ende janë kundër akteve të tyre.

Konfrontimi fizik është shndërruar në diçka normale

Politologu, Mentor Tahiri, ka thënë se veprimet të atilla sikurse sulmi me vezë, janë për keqardhje për politikën e Kosovës. Sipas Tahirit, pavarësisht se çka nënkuptojnë fjalët e Kryeministrit në këtë rast, disi krijohet përshtypja se në këtë vend konfrontimi fizik është shndërruar në diçka normale.

“Përderisa është evidente se veprimet e tilla të sulmeve fizike si ky me vezë, nga ana e Vetëvendosjes janë bërë në mënyrë shumë selektive, janë përzgjedhur individë për të cilët është menduar se nuk kanë gatishmëri të kundërvënies fizike, mbi të gjitha është për keqardhje deri ku ka arritur diskursi në politikën e Kosovës. Pavarësisht se çka nënkuptojnë fjalët e kryeministrit në këtë rast, disi po krijohet përshtypja se në këtë vend konfrontimi fizik është shndërruar në diçka normale. Kjo është e papranueshme dhe u pa madje edhe në rastin “Krasniqi-Zeka”, ka pohuar Tahiri.

Ai shpreson se elektorati i Kosovës, do t’i ndëshkojë qasjet e dhunës. “Unë shpresoj se sa herë t’i vije rasti elektoratit kosovar, do të ndëshkojë këto qasje, siç edhe mendoj se ka bërë në zgjedhjet e 22 Tetorit. Dhuna fizike, qoftë ajo edhe simbolike përmes “gjuajtjes me vezë” është tregues i mungesës së argumenteve në politikë”, ka theksuar Tahiri.

Kuvendi mund të shndërrohet ne arenë e gjuajtjeve me vezë

Ndërsa, analisti Faik Krasniqi ka thënë se Vetëvendosje nuk do të ketë më nevojë të gjuajë me vezë kundrejt qeverisë për shkak të marrëveshjes së demarkacionit. Sipas Krasniqit, nëse do të përdoreshin vezët apo mjetet tjera në kuvend atëherë ai do të shndërrohej në arenë.

“Kur ishte në opozitë edhe Haradinaj ka gjuajtur me vezë ndaj kryeministrit dhe kabinetit qeveritar. Këtë e patë thënë edhe vetë kryeministri Haradinaj, të njëjtën gjë e patë thënë edhe Kurti. Kjo nënkupton që për të parandaluar ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi, opozita ka gjuajtur vezë në drejtim të Qeverisë. Edhe Vetëvendosje pa shkas nuk do të ketë nevojë të gjuaj më vezë drejt Qeverisë, dhe Haradinaj do t’i qëndrojë besnik kauzës së Demarkacionit, kauzës së tij shpirtërore. Përndryshe, Kuvendi do të shndërrohej prapë në arenë e gjuajtjeve të vezëve dhe mjeteve të tjera, mes Vetëvendosjes dhe Qeverisë”, ka përfunduar Krasniqi./BS/

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *